Lidhje


Afrim Krasniqi: Skandal në “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” – Rehabilitohet Sigurimi i Shtetit

 

Studiuesi Afrim Krasniqi ka shpërthyer me një kritikë të ashpër ndaj versionit online të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, duke e akuzuar për një deformim të rrezikshëm të së shkuarës dhe për mungesë të theksuar depolitizimi. Sipas tij, fjalori përmban terma, shpjegime dhe referime që i përkasin hapur logjikës së sistemit komunist, ndonëse Shqipëria prej vitit 1991 është zyrtarisht një shtet demokratik. Ai thekson se procesi i “konsultimit publik” ka prodhuar ndryshime minimale, ndërsa shumica e përkufizimeve problematike kanë mbetur të paprekura.

 

Si shembull flagrant, Krasniqi sjell përkufizimin e “Sigurimit të Shtetit”, i cili në fjalor paraqitet si “organ shtetëror që mbron shtetin nga keqbërësit dhe ndërhyrjet nga jashtë”. Sipas tij, ky formulim përbën një rehabilitim të hapur të një strukture represive. Ai kujton se në vendet demokratike, institucione të ngjashme si Securitate në Rumani apo STASI në ish-Gjermaninë Lindore, përkufizohen qartësisht si polici sekrete të regjimeve komuniste, të identifikuara me survejimin masiv, represionin politik dhe shtypjen sistematike të kundërshtarëve.

 

Krasniqi nënvizon se edhe në dokumentet zyrtare të diktaturës shqiptare, si Platforma e Sigurimit e vitit 1977, ky institucion cilësohej “armë e fuqishme e diktaturës së proletariatit”, me mision mbrojtjen e Partisë së Punës dhe të rendit socialist. Ndërkohë, ligji shqiptar nr. 45/2015 e konsideron Sigurimin “strukturë kriminale” dhe vendos kufizime për individët që kanë qenë pjesë e tij.

 

Sipas studiuesit, përkufizimi aktual në fjalor jo vetëm që relativizon krimet e së shkuarës, por cenon drejtpërdrejt kujtesën e qindra mijëra viktimave të sistemit totalitar. Ai e cilëson këtë qasje si fyese dhe alarmante, pasi viktimat e persekutimit rrezikojnë të paraqiten sërish si “keqbërës”, ndërsa vetë Sigurimi shfaqet si strukturë legjitime që “mbrojti shtetin”.

 

Reagimi i Krasniqit e kthen debatin në një çështje madhore publike: a po rishkruhet historia përmes botimeve zyrtare dhe a po normalizohet, në mënyrë të heshtur, trashëgimia represive e regjimit komunist?

 

XS
SM
MD
LG