Marta Kos thyen propagandën: Nuk ka më datë fikse për Shqipërinë
Era e "premtimeve me afate" në korridoret e Bashkimit Evropian duket se ka marrë fund. Komisionerja e re për Zgjerimin, Marta Kos, ka lëshuar një "shuplakë" diplomatike për vendet kandidate, duke e bërë të qartë se Shqipëria dhe fqinjët e saj nuk duhet të presin bileta falas për në BE, pavarësisht deklaratave optimiste të deritanishme.
Në një seancë kyçe në Parlamentin Evropian, Kos ka vendosur "pikat mbi i", duke theksuar se procesi nuk do të jetë më një marshim drejt një date të caktuar, por një garë e vështirë që bazohet vetëm te merita dhe qëndrueshmëria demokratike.
Mesazhi më i fortë i Komisioneres ishte siguria kombëtare e BE-së. Ajo paralajmëroi se Brukseli nuk do të tolerojë shtete që mund të shërbejnë si "ura" për ndikimet ruse. “Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtare. Duhet të sigurohemi që vendet e reja të jenë demokraci të forta, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë,” deklaroi Kos.
Kjo tregon se BE-ja e sheh zgjerimin jo vetëm si proces teknik, por si një mburojë gjeopolitike, ku Shqipëria duhet të provojë se është 100% në linjë me vlerat perëndimore.
Deri dje, Shqipëria dhe Mali i Zi shpesh etiketoheshin si "liderët" e procesit në Ballkan. Marta Kos e preu këtë hov duke thënë se ky status nuk vlen asgjë nëse reformat ngecin.
Komisionerja u kujtoi liderëve ballkanas se qytetarët evropianë janë skeptikë dhe kërkojnë një proces të rreptë. Mesazhi është i qartë: Nuk do të ketë "favore" politike apo anëtarësime për hatër të stabilitetit. Ose plotësohen standardet, ose dyert mbeten të mbyllura.
Nëse qeveria shqiptare e bazon strategjinë e saj vetëm te "propaganda e progresit" pa prekur thelbin e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit, rrezikon të mbetet në një "stacion pritjeje" pafund. Marta Kos e bëri të qartë: BE-ja nuk po nxiton më të fusë brenda vetes probleme, por kërkon zgjidhje./JOQ