BE nis hetim ndaj TikTok. Dyshime se ka shkelur detyrimet për mbrojtjen e të miturve
Komisioni Europian nis hetimet ndaj TikTok, një prej rrjeteve më të mëdhenj socialë në botë, pasi dyshohet për shkelje të rregullave për mbrojtjen e fëmijëve përballë rreziqeve që u kanosen atyre në internet. Komisioneri i Bashkimit Europian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton mori këtë vendim pasi analizoi raportin ku vlerësohen rreziqet që vijnë nga videot e shkurtra, mbi bazën e të cilave funksionon ky rrjet social. “Hetimet për TikTok-un i nisim pas dyshimeve për shkelje të transparencës dhe detyrimeve për mbrojtjen e të miturve që kanë të bëjnë me varësinë e qëndrimit para ekranit, kufizimin e kohës para ekranit, efektin e “gropës thithëse”, verifikimin e moshës dhe përzgjedhjen e kushteve të privatësisë”, tha ai.
Të gjitha këto pika parashikohen në Ligjin për Shërbimet Dixhitale të Bashkimit Europian që hyri në fuqi më 17 Shkurt dhe që u kërkon veçanërisht platformave të mëdha dhe motorëve të kërkimit në internet të bëjnë më shumë për të ndaluar përmbajtjet e jashtëligjshme dhe rreziqet për sigurinë publike.
ByteDance, kompania me bazë në Kinë që ka në pronësi TikTokun, rrezikon të përballet me gjoba në vlera që arrijnë sa 6% e të ardhurave në shkallë globale, nëse shpallet fajtor për shkeljen e ligjit të ri.
Zëdhënësit e TikTok-ut thanë se do të vazhdojnë të punojnë me ekspertë dhe kompani që janë pjesë e kësaj industrie për të garantuar sigurinë e të miturve në platformën e vet dhe se mezi pret ta sqarojë këtë punë në detaje para Komisionit Europian.
Hetimi i Komisionit Europian do të fokusohet tek sistemi i funksionit të TikTok-ut, duke përfshirë sistemet algoritmike që mund të stimulojnë varësitë e sjelljes dhe të krijojnë të ashtuquajturin ‘efekt të gropës thithëse’.
Gjithashtu do të hetohet nëse TikTok ka vendosur masa të përshtatshme dhe proporcionale për të garantuar një nivel të lartë privatësie dhe sigurie për mbrojtjen e të miturve.
Komisioni po shqyrton nëse TikTok ofron një bazë të dhënash të besueshme për reklamat në platformën e tij, në mënyrë që ata që kryejnë vlerësime të mund të shqyrtojnë rreziqet e mundshme në internet.
Tv Klan