Lidhje


Histori/ Gjenocidi grek ndaj banorëve të Çamërisë në vitet 1944-1945

Historia e shqiptarëve etnikë në Çamëri është mbushur padyshim me një varg datash tragjike, të ruajtura në kujtesë si akte të dhimbjes kulmore. Por historiografia jonë e ka pranuar se nëse në vitet 1913-1943 gjenocidi helen ndaj shqiptarëve çamë ka patur një përshkallëzim, po ashtu është pranuar që pranvera dhe vera e vitit 1944, përbëjnë apogjeun e barbarisë greke ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare. Ky gjenocid do të provonte edhe njëherë qëndrimin e palëkundur të Athinës, e cila kërkonte jo vetëm largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, por edhe rrënimin e plotë të kujtimeve mbi ekzistencën aty të racës sonë.

 


Në muajt gusht-shtator 1943, vlen të thuhet se rezistenca e atdhetarëve çamë ishte organizuar më së miri. Ndonëse në thelb, kjo rezistencë u organizua kundër okupatorit, në të pati edhe elemente të mbrojtjes vendore, çka do të thoshte ruajtja e shtëpive dhe popullsisë së pambrojtur ndaj andartëve grekë. Atdhetarë të tillë si Isuf Izeti, Xhafer Çafuli, Musa Demi, Dervish Dojaka, Braho Karasani, Sami Alushi e dhjetëra të tjerë u përpoqën që këtë front të rezistencës ta mbanin të ndezur edhe nëpërmjet zhvillimit të disa betejave kundër gjermanëve, duke parë sigurisht që këto beteja të mos i jepnin mundësinë kundërshtarit që të bënte reprezalje.
Kështu në ditët e fundit të shtatorit 1943 dhe deri në fillim të nëntorit të këtij viti, efektivat e batalionit “Çamëria” të ndihmuar edhe nga vullnetarët e zonës përreth, zhvilluan betejën e famshme të Konispolit, e cila zgjati 55 ditë. Në të vërtetë, në këtë betejë, morën pjesë shqiptarë nga të dy anët e kufirit politik dhe ky fakt u përcoll jo pa shqetësim në qarqet shovene të Athinës. Ky bashkëpunim i ngushtë i shqiptarëve brenda shtetit amë me vëllezërit e tyre çamë, pavarësisht se ata luftuan kundër okupatorit gjerman, u kuptua si një rrezik i madh për vorioepirotët dhe qëllimet e tyre.


Ndërkaq efektivat e batalionit “Çamëria” në bashkëpunim edhe me komandën nacionaliste të forcave të jugut zhvilluan luftime edhe në zonat e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Delvinës. Sipas dokumentave gjermanë që gjenden në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë, këto luftime u karakterizuan nga disa prita tepër të rrezikshme ku kanë gjetur vdekjen dhjetëra ushtarë dhe oficerë gjermanë. Në këto luftime qoftë atdhetarët e Çamërisë, qoftë nacionalistët e jugut të Shqipërisë, patën marrë krahë sidomos “nga deklarata e Uinston Çërçillit, sipas të cilit kufiri shtetëror i Shqipërisë do të rishqyrtohej menjëherë pas mbarimit të luftës.” (Gazeta “Atdheu” Tiranë 20 tetor 1943.)
Gjithashtu mendoj se nuk mund të lihet në heshtje fakti që nacionalistët e Çamërisë, iu kundërvunë disa çetave komuniste shqiptare, të cilat patën krijuar lidhje të ngushta me Partinë Komuniste greke. Këto çeta, të udhëhequra nga disa filogrekë të njohur në Çamëri, trumbetonin me të madhe se vetëm lufta e tyre e përbashkët me grekët do t’i sillte “lumturinë” Çamërisë. Ata nuk mund të kuptonin dot se çfarë tragjedie po përgatitej në Athinë dhe ishte vetëm prezenca gjermane që e vononte pikërisht këtë tragjedi. Një nyjë e çuditshme lidhte në këtë rast atë grusht komunistësh të Çamërisë, me klikën e Tiranës, e cila po ashtu pretendonte se komunizmi do të ishte liria e ëndërruar e gjithë popujve.

 

Në këto momente tejet të ndërlikuara, Athina zyrtare si kurdoherë u orientua drejt politikave të saj antishqiptare. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi një marrëveshje të Partisë Komuniste të Greqisë me klikën e Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës në Tiranë, sipas të cilës, në fshatrat me minoritet grek në Shqipëri, mund të shkonin përfaqësues komunist grekë dhe të bënin propagandë dhe organizime për të luftuar okupatorin. Komunistët grekë që ngarendën në jugun e Shqipërisë, nxituan të bënin propagandë për idetë panhelene të Vorio Epirit dhe brenda pak javëve , në kuvendin e organizuar në vendin e quajtur Akrovjan, përfaqësues të këtij minoriteti brenda kufijve të shtetit amë shqiptar, kërkuan me forcë që “duam të jemi një Greqi, qoftë kjo komuniste apo e djallit, vetëm të jemi në Greqi.” Nënteksti ishte i qartë, kufijtë e Shqipërisë duheshin shtyrë akoma më tej, duke i rrudhur tinëzisht ata.

 


Një rol jo pak të rëndësishëm, në pranverën e vitit 1944 do të luanin edhe atdhetarët nacionalistë të Çamërisë. Këta me propagandën e tyre, por edhe me veprime të hapura aspironin bashkimin e trojeve çame me Shqipërinë. Këtë lëvizje e drejtonte një Këshill Krahinor me organizmat e tij, të shtrirë në nënprefekturë e deri në fshatrat më të largët. Mendoj se është me vend të kuptohet se pikërisht në muajt e parë të vitit 1944, ndryshe nga çfarë është publikuar deri më sot, autoriteti gjerman ka dashur të luaj një rol amortizuesi apo frenuesi të mërive të vjetra greko-shqiptare. Kështu, në një dokument tepër sekret që komanda gjermane në Çamëri, i dërgon komandës së lartë ushtarake të Athinës, midis të tjerave shkruan tekstualisht: “Gjendja në krahinën e Çamërisë është përkeqësuar, sidomos në këto javë të fundit. Deri afër fundit të vitit 1943, shqiptarët mjaftoheshin me ushtrimin e zotërimeve të tyre në disa zona influence pa marrë përsipër të administrojnë vendin. Tashmë ata kanë bërë hapa përpara duke forcuar pozitën e tyre nëpërmjet krijimit të disa organeve administrative. Marrja e këtyre masave motivohet për shkak të administratës greke, e cila ka falimentuar plotësisht dhe pa ndërhyrjen e shqiptarëve rendi dhe qetësia rrezikohen totalisht. Për zbatimin e organizimit administrativ ata kanë ngritur një Këshill Kombëtar Shqiptar të Çamërisë.” (Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë. Dokumente gjermane. Dok. 23/44 sekret, datë 10 janar 1944)
Veprimtaria e lartpërmendur e Këshillit Kombëtar, në asnjë mënyrë nuk mund të pranohej prej qarqeve shovenë të Athinës. Për këtë shkak qeveria greke, me një telegram të posaçëm, iu drejtua ministrit gjerman për Evropën Juglindore, Nojbaherit ku midis të tjerave i kërkonin të rivendosej sa më shpejt pushteti helen, pasi ndikimi i nacionalizmit shqiptar do të ishte me pasoja të mëdha për fatet e nesërme të shtetit grek. Nga ana tjetër në krah të dymijë forcave të komanduara nga gjenerali famëkeq Napolon Zerva u vu edhe Divizioni i Dhjetë i komanduar nga krimineli Vasil Kamara, i cili do të ishte i destinuar në luftë mizore kundër banorëve të Çamërisë.
Në ditët e para të qershorit të vitit 1944, në zyrën e gjeneral Zervës në Janinë, andartët grekë dërgojnë një të quajtur Harallamb Kallojeri, kinse pati furnizuar me armë batalionin Çamëria. Ky me lot në sy e mohoi këtë fakt dhe ngase ishte grek nuk pësoi gjë. Por vlen të sjellim këtu fjalët me të cilat e përcolli Zerva. Gjeneral Zerva duke shtrënguar nofullat kishte vazhduar: “Po dolën të vërteta ato që më kanë thënë se ti u shet çamëve armë, ta dish se jo vetëm ty, por gjithë fisin tënd do ta djeg me benzinë së gjalli, në mes të fshatit që të lemerisen të gjithë.” Pastaj ai u drejtua të gjithë të pranishmëve duke shtuar: “Çamërve duhet t’u afrohemi dhe t’i marrim me të mirë, që të mos na ikin nga duart deri sa të zëmë kufirin. Pasi t’i kemi mbyllur si bagëtitë në vathë, jo vetëm njerëz që nuk do të lemë të gjallë, por edhe macet e tyre do t’i shkojmë në thikë. (I.D.Hoxha “Viset kombëtare në shtetin grek” Tiranë 2000, faqe 356)
Preja e parë e dhunës makabre helene, do të ishte krahina e Paramithisë, e cila u pati bërë ballë shpeshherë, me armë në dorë, hordhive të andartëve grekë. Në mesnatën e 26 qershorit 1944, ata iu afruan Paramithisë nga të katër anët. Në agun e 27 qershorit, disa atdhetarë çamë ranë në pritën e zervistëve dhe lufta filloi e fuqishme. Por dinakëria greke nuk vonoi të funksiononte sërish. Komanda e lartë zerviste vrapoi te myftiu i Paramithisë Sali Hafizi duke i mbushur mendjen atij se nuk kishin punë me çamët ndaj këta të ulnin armët dhe të rrinin të qetë në shtëpitë e tyre. Sali Hafizi u besoi nga ana e tij dhe në një kuvend të shkurtër burrash dha porosi të pritej lufta.
Më pas komanda zerviste e udhëhequr nga majori famëkeq Kranjani dhe antishqiptari i tërbuar Kristo Stavropulli shkuan në mitropoli dhe bënë planet kokë më kokë me dhespotin grek. Me të mbaruar takimin me dhespotin, disa ushtarë grekë u shpërndanë nëpër rrugë dhe sheshe duke njoftuar me zë të lartë: “Urdhërohen tërë ata që kanë armë, t’i dorëzojnë menjëherë se qetësinë dhe rendin do ta mbajë ushtria. Askush të mos frikësohet! Këdo e quajmë vëlla. Duam të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin.” (Gazeta “Bashkimi” Tiranë, 7 mars 1947) por kjo s’mund të ishte tjetër, veçse gënjeshtra e radhës e helenëve për të arritur në planet makabre të gjeneral Zervës.
Vite më pas, në dëshmitë që Asllan Myftari dhe Sadete Katiu do të dërgonin në OKB përmes Komitetit të Mbrojtjes së Çamërisë, midis të tjerave do të kujtonin: “Rreth mesditës, kur ende nuk kishte mbaruar dorëzimi i armëve, zervistët grupe-grupe… të udhëhequr nga oficerë u derdhën egërsisht mbi popullatën. Me të dëgjuar krismat e armëve njerëzit lanë shitoret dhe ia dhanë vrapit nga të mundnin. Më të shumtët vrapuan drejt anës perëndimore të qytetit ku mendohej që shtegu nuk ishte mbyllur akoma. Pati raste që familja u nda më dysh, dikush çau gardhin e kriminelëve dhe dikush tjetër jo.

 


Meqë rrethi u mbyll në mënyrë të hekurt njerëzia vraponin në qytet të ndjekur nga vrasësit si egërsira prej gjahtarit. Vritej kushdo që hasej përpara. Rrugët dhe sheshet u mbushën me të vrarë… kur zervistët u turrën në një shtëpi të thernin një djalë 6 muajsh dhe e ëma e mbuloi djepin me trupin e vet, ata i ngulën gruas thikat në kurriz. Më pas ata therën me thikë djalin tjetër të shtëpisë dhe të zotin e saj. Motrën e Hasan Belulit, 3 djemtë e Asim Dinos, dy çupat dhe të shoqen e Rexhep Malit, i mbërthyen me gozhdë përpara murit të shtëpisë. Pasi vranë Mulla Çenin, argëtoheshin me të bijën. Aty pranë vranë edhe 12-13 fqinjë të Mullait. Në tërë Paramithinë dëgjoheshin kujet dhe vajet rrëqethës, të pleqve, të rinjve dhe fëmijëve që shuanin shpresat e fundit nën krismat e plumbave apo presat e thikave e sopatave.”
Masakra e Napolon Zervës ndaj banorëve të pambrojtur të Çamërisë, do t’ia kalonte për nga egërsia e saj edhe dënimeve të inkuizicioneve mesjetare. Asnjë lloj pengese nuk do të haste ky kriminel i lindur dhe gjithë tabori i tij, në barbarinë e pashembullt. Dëshmitë e dhimbshme vazhdojnë: “Poshtë xhamisë së Prronjatëve dergjeshin sa e sa kufoma. Dalluam nusen e Ibrahim Bollatit, motrën e Muharrem Bakos, djalin e saj, Mit’hatin 10-vjeçar, Harun Mezanin 14-vjeçar ndërsa të tjerët nuk i njohëm, sepse ishin prishur në fytyrë. Ndërsa Estref Ilmiu tregon se kur atë dhe disa të burgosur të tjerë i shpunë të varrosnin trupat gjysmë të prishur pranë kishës së Shën Jorgjit, njohu vetëm katër prej trupave, ndërsa dhjetëra të tjera nuk mundi t’i njihte pasi fytyrat ishin gjymtuar në mënyrë të llahtarshme prej vrasësve.” (Gazeta “Bashkimi” Tiranë 4 prill 1947)
Sigurisht epshet shtazore të Zervës me kompani, nuk mund të preheshin vetëm me kasaphanën e Paramithisë. Ata u derdhën dy ditë më pas në fshatrat Grikë, Kacjan, Karbunarë dhe në një varg fshatrash të Çamërisë së Mesme. Nëse gjenin gjë të gjallë (njerëzia dhe bagëtia ishin barazuar tragjikisht) andartët dhe zervistët e thernin menjëherë. Në ato shtëpi ku njerëzit qenë larguar nxitimthi, komandot ushtarake ushtronin kontroll të imët duke vjedhur e plaçkitur gjithçka, deri edhe pajat e vajzave fatkeqe të Çamërisë. Në fshatrat Luar dhe Karbunarë, po ashtu edhe në qytezën e Margëlliçit, në të vërtetë u organizua një qëndresë e vogël, disaorëshe. Por përballë 25-30 burrave të këtyre fshatrave, Athina dërgoi Regjimentin e Dyzetë të komanduar nga major Angora, i cili pas 1700 ushtarëve dhe oficerëve, kishte në përbërje të vet edhe një kontingjent prej 40 kriminelësh grekë, të cilët patën “fituar” lirinë nga burgjet greke, vetëm e vetëm për të therur sa më shumë shqiptarë etnikë të Çamërisë.
Kjo epërsi numerike në njerëz, kjo shpejtësi çoroditëse në arritjen e qëllimeve, ky brutalitet i pashembullt, kishin të bënin sa me vrasjet e çamëve aq edhe me heshtjen që do të shoqëronte ky terror. Madje me gjithë fshehjen misterioze që Athina i ka bërë në decenie kësaj tragjedie, diplomacia evropiane do të shënonte në analet e saj: “Duke shkelur në mënyrë të qëllimshme Marrëveshjen e Kazertës, trupat e Divizionit të Dhjetë, njësitë e dy divizioneve të E.DH.E.S-it, ato të regjimenteve 100, 110 dhe 40, po mësyjnë mizorisht territoret e pambrojtura të Çamërisë.” (Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë. “Çështja e Çamërisë” Fondi 251, dosja 14, fleta 143)

 


Tanimë atdhetarët e Çamërisë e kishin plotësisht të qartë se Athina kërkonte zhdukjen përfundimtare të shqiptarëve etnikë. Rrethanat në verën e vitit 1944 kishin favorizuar Athinën, e cila duke marrë edhe përkrahjen e aleatëve shekullorë të saj Anglisë dhe Francës, kryente njëherësh dëbimin e çamëve dhe popullimin e trojeve të tyre me të krishterë të jugut helen. Në këtë mënyrë, krahas organizimit të njësiteve të vegjël për shpëtimin e popullsisë, këta atdhetarë u përpoqën të sinjalizonin rreth masakrës edhe diplomacinë evropiane. Ndërsa lidhjet me shtetin amë nuk u ndërprenë për asnjë moment. Kështu në telegramin e firmosur prej disa burrave të Çamërisë dhe dërguar kryeministrit shqiptar në gushtin e vitit 1944, midis të tjerave shkruhet tekstualisht: “Nuk kanë të numëruar as vrasjet, as grabitjet dhe as përdhunimet e kriminelëve të Zervës. Madje, ajo pjesë e popullsisë që akoma nuk ka rënë ndënë thikat e zervistëve, po ikën e tmerruar drejt Shqipërisë duke humbur gjithçka.” (Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë. Fondi 251, dosja 179, fleta 2)
Ndërkaq propaganda shovene helene vazhdonte me ritme akoma më të mëdha t’u binte tamtameve të Vorio-Epirit. Kështu, në mbrëmjen e 1 tetorit 1944, Radio Kajroja shpërndante në eter mesazhin e ministrit grek të informacionit, Kartallit për kinse revoltë të vorioepirotëve në Gjirokastër e Sarandë, të cilët kërkonin bashkimin e trojeve të tyre me ato të shtetit amë, Greqisë. Duke pretenduar se këto troje ishin plotësisht greke, Athina madje me anë të emisarëve të fshehtë të saj, nisi të shpërndante në jugun e Shqipërisë fletushka duke u thënë shqiptarëve etnikë aty se nuk ishte e largët dita kur fshatrat e tyre do t’i bashkoheshin Greqisë. Madje ndikimi i Athinës u shtri deri në komandën e lartë gjermane, duke e fshehur realitetin dhe duke e afruar Zervën sa më shumë me këtë komandë. Aq i thellë ka qenë ky ndikim saqë komanda gjermane përpiqej të ruante indiferencën përpara masakrës që ndodhte me çamët. Kështu, në një informacion dërguar Raihut të Tretë, lidhur me një protestë të atdhetarëve të Çamërisë, midis të tjerave, komanda gjermane e Filatit shpjegonte: “Kërkesat e parashtruara lidhur me evakuimin e popullsisë shqiptare që nuk është në gjendje të mbrohet, nuk ka asnjë bazë. Ushtria gjermane ka marrë përsipër mbrojtjen dhe sigurimin e paqes dhe të rregullit në zonat e okupuara prej saj.” (Arkivi i Institutit të Historisë- Tiranë. Dok.gjerman nr. T 314-1458)
Vala tjetër e spastrimeve të shqiptarëve etnikë, nga trojet e tyre në Çamëri, iu besua sërish gjeneralit famëkeq Zerva, në marsin e vitit 1945. kësaj radhe do të goditej, digjej e shkretohej pikërisht Filati, çerdhja e qëndresës kulmore të banorëve të Çamërisë. Ndonëse burrat e Filatit ishin larguar, të mobilizuar në njësite të vogla vullnetarësh, drejt Filatit u derdh me egërsi të paparë makina luftarake e Zervës. Nuk munguan me këtë rast as vrasjet, as therjet, as djegiet e njerëzve dhe shtëpive. Krimet ishin pothuaj të papara. Në informacionin që koloneli britanik Vuthaus i dërgonte Londrës në fundmarsin e vitit 1945, midis të tjerave shkruante tekstualisht: “Nisur nga Misioni Aleat që drejtova, ju bëj me dije se Zerva i nxori jashtë çamët nga shtëpitë e tyre më 1944, shumica e të cilëve mundën të gjenin strehë në Shqipëri. Dëbimi i tyre u krye sigurisht përmes një gjakderdhjeje të madhe. Veprimi i Zervës u ndoq më pas në marsin e vitit 1945 nga një masakër akoma më e madhe, siç ishte kjo e marsit, në Filat, e cila nuk mund të falet.” (Arkivi i Institutit të Historisë- Tiranë. Fondi Zyra e jashtme britanike PRO\ FO Nr. 371\ 48094). Sipas Memorandumit të emigrantëve çamë në Shqipëri, i cili u paraqit jo vetëm në kancelaritë evropiane por deri në SHBA, në periudhën qershor 1944-mars 1945, janë vrarë gjithsej 2771 civilë të pambrojtur. Gjatë kësaj periudhe gjithashtu u dogjën dhe plaçkitën 68 fshatra me rreth 5800 shtëpi. Në humbjet e tjera materiale llogariten 110 mijë krerë bagëti të imta, 2400 gjedhë, 80 mijë kuintalë vaj ulliri, 21 mijë kuintalë grurë pa llogaritur dramën e madhe të shkombëtarizimit të këtyre trojeve. Një pjesë e konsiderueshme e politikës greke gjatë viteve të Luftës së Ftohtë si edhe lajkat e historisë së tyre, kanë mbrojtur dhe vazhdojnë të mbrojnë tezën absurde sipas së cilës shqiptarët e Çamërisë janë larguar me vullnetin e tyre nga trojet stërgjyshorë, kinse kanë qenë të lidhur me Gjermaninë, pra kundërshtaren e Greqisë. Këto teza justifikuese sidoqoftë nuk mundën të shuajnë gjurmët e përgjakura të atij gjenocidi biblik.

 


Sa për pronat e banorëve të Çamërisë, fillimisht ato iu shpërndanë kolonëve grekë të ardhur nga Pireu, të cilët nuk vonuan të thellojnë krimet edhe kundër atyre shqiptarëve ortodoksë që patën mbetur në këtë trevë. Më pas, me urdhër mbretëror U.B. 2185\152 dhe me vendim 2781\54, pasuria e shqiptarëve etnikë në Çamëri iu konfiskua këtyre për t’ia falur apo shitur me çmime qesharake vullnetarëve grekë që linin jugun e vendit, për t’u ndeshur “trimërisht” me ndonjë shqiptar të vetmuar ortodoks në këto vise. Një proces i tillë i paprecedent në rrafsh të Kartës së të Drejtave të Njeriut, ndodh edhe sot në mileniumin e ri dhe me gjithë zhurmën mediatike, Athina vazhdon të verë në jetë çdo ditë e më shumë, planet e veta aneksioniste ndaj Shqipërisë.

 

Marre nga Gazeta Mapo

XS
SM
MD
LG