Lidhje


SPAK kontrollon Sokol Ballën: Dyshime për pastrim parash të Belinda Ballukut

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndërmarrë një strategji të gjerë dhe agresive hetimore ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

 

Ky hetim, i cili po funksionon si një "unazë" rrethuese, nuk po kufizohet vetëm te veprimtaria zyrtare e ish-numrit dy të qeverisë Rama, por është shtrirë gjerësisht në rrethin e saj më të ngushtë familjar dhe shoqëror. Një nga pikat qendrore të këtij operacioni të fundit ka qenë gazetari i njohur Sokol Balla, ish-bashkëshorti i Ballukut, i cili është vënë në shënjestër të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

 

Pak ditë më parë, oficerët e BKH-së ushtruan kontroll në banesën e Ballës, pasi SPAK ka ngritur dyshime të forta se ai mund të ketë shërbyer si një mekanizëm për pastrimin e parave të siguruara nga ish-bashkëshortja e tij gjatë kohës që ajo mbante poste të larta shtetërore.

 

Megjithëse ligjërisht janë të ndarë, prokurorët dyshojnë se lidhja mes tyre ka vijuar të përdoret për të përfituar benefite financiare dhe pasuri të paluajtshme, duke kamufluar burimin e vërtetë të të ardhurave.

 

Ky aksion nuk erdhi papritur, pasi më herët Sokol Balla ishte paraqitur në ambientet e SPAK për të dhënë shpjegime rreth disa transfertave të dyshimta monetare, kryesisht drejt Austrisë por edhe në destinacione të tjera jashtë vendit.

 

Dëshmia e tij duket se ka qenë e tensionuar, pasi gjatë daljes nga prokuroria, gazetari u shfaq dukshëm i shqetësuar dhe i "trullosur", aq sa ngatërroi edhe derën e daljes dhe refuzoi të jepte çdo lloj deklarate për kolegët e tij mediatikë që e pritnin jashtë.

 

Paralelisht me këtë situatë, goditja e SPAK po vijon edhe në rrugë ligjore e teknike. Vetëm dy ditë më parë, organi i akuzës i është drejtuar gjykatës me një kërkesë zyrtare për të marrë autorizimin për këqyrjen dhe ekspertimin e të gjitha pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë kontrolleve.

 

Kjo lëvizje synon të zbulojë komunikime të mundshme ose të dhëna digjitale që mund të vërtetojnë qarkullimin e paligjshëm të parave. Hetimi është intensifikuar gjithashtu me marrjen në pyetje të një sërë personash, përfshirë biznesmenë të fuqishëm që kanë rezultuar fitues të tenderave miliona eurosh për ndërtimin e 7 loteve të Unazës së Madhe, një projekt që ka qenë nën monitorim të vazhdueshëm për shkak të dyshimeve për abuzime./joq

XS
SM
MD
LG