Kush është biznesmeni turk që dhuroi kompleksin memorial të Jasharajve.
Megjithëse shumë pak i përmendur, është fakt interesant se memoriali i familjes së heroit tonë Adem Jashari në Prekaz është financuar (dhuruar privatisht) nga një biznesmen i shquar turk, i quajtur Jusuf Özer.
Özer, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2014, ka qenë një biznesmen i njohur dhe i suksesshëm në Turqi, pronar i kompanisë Özerler Holding. Në fakt ajo që e bënte më së shumti të njohur këtë biznesmen, nuk ishte fakti që ai ishte ndër njerëzit më të pasur të Turqisë, por veprimtaria e tij bamirëse. Për shkak të kësaj veprimtarie ai thirrej në publik turk me titullin “agai”.
Ozer ndihmonte të gjithë ata që kishin nevojë, por më së shumti ai shquhej për ndihmën në fushen e arsimit. Ai ka blerë miliona libra nëpër botë dhe ua ka dhuruar bibliotekave anekënd Turqisë. Një numër të madh të këtyre bibliotekave ai i kishte ndërtuar vetë.
Ai ka ndërtuar falas qindra shkolla, institute, çerdhe fëmijësh dhe shkolla profesionale, në vendlindjen e tij dhe gjithandej nëpër Turqi. Ai gjithashtu ka ndertuar me mijëra shtëpi për njerëzit në nevojë në të gjithë botën.
Ai ka shkolluar mijëra nxënës dhe ka dhënë bursa për studime jashtë Turqisë thuajse për të gjithë studentët e dalluar.
Sikurse i gjithë populli turk, Özer ishte një mik madh i shqiptarëve. Ai kishte ndjekur me përkushtim luften e Kosovës për liri dhe kishte vleresim të jashtëzakonshëm për heroin Adem Jashari dhe gjithë familjen e tij të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Ai ndihej i nderuar që këtë vlerësim e konkretizoi me shumë dashamirësi duke financuar kompleksin memorial të familjes Jashari, në Prekaz. Vepra e tij dëshmon edhe nje herë lidhjen e fortë vëllazërore midis popullit shqiptar dhe popullit turk.
Për shkak të veprimtarisë së tij humanitare si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ai u dekorua në vitin 2010 me vlerësimin, ‘Shërbim i Shquar’, nga Parlamenti i Turqisë. Ai është dekoruar gjithashtu me medalje nderi nga Parlamenti i Kosovës.
Lusim Zoti ta pranoj veprën e tij dhe ta vendosë atë në xhenetet e larta.