Elon Musk përdor gjithnjë e më shumë rrjetin social X për të përhapur pikëpamjet e tij politike
Miliarderi amerikan Elon Musk me postimet e tij që ka bërë lidhur me zhvillimet politike në Venezuelë, Britani të Madhe dhe Gjermani, veçanërisht zgjedhjet presidenciale në SHBA, ka filluar të përdor platformën X në të cilën është pronar për të përhapur pikëpamjet e tij politike në mbarë botën, raporton Anadolu.Musk i cili menaxhon një nga platformat më me ndikim të mediave sociale në botë, nuk heziton ta përdorë atë për të përhapur pikëpamjet e tij.Mbështetja e hapur e Musk për ish-presidentin Donald Trump para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, grindja e tij me presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro, konflikti i tij me administratën e Londrës pas veprimeve të dhunshme të ekstremistëve të djathtë në Britani dhe së fundmi debati i tij me qeverinë braziliane, janë në cilësinë që e mbështesin këtë situatë.
Musk është subjekt i kritikave se ai është pozicionuar pranë politikës populiste të krahut të djathtë me shpërthimet e tij politike. Në anën tjetër Musk ka bërë të ditur se është i gatshëm të marrë pjesë në qeverinë e ish-presidentit amerikan Trump në rast se ai fiton zgjedhjet.
Trump tha se ai do të formojë një "komision qeveritar të efikasitetit" të kryesuar nga Elon Musk nëse ai fiton zgjedhjet e 5 nëntorit. Musk në një postim nga llogaria e tij X pas kësaj deklarate të bërë nga Trump, tha se "Pres me padurim që t'i shërbej Amerikës nëse lind mundësia".
- A është X i paanshëm politikisht?
Kur Musk u përpoq në prill 2022 të blinte Twitter-in siç njihej në atë kohë, ai deklaroi se e bëri këtë sepse Twitteri nuk mund ta realizonte potencialin e tij si një "platformë e fjalës së lirë".
Është vënë në pikëpyetje nëse Musk, i qëndron besnik apo jo kësaj qasjeje, i cili menjëherë pas blerjes së Twitterit kishte theksuar se platforma duhet të jetë "politikisht neutrale për të merituar besimin e publikut".
Ekspertët janë të mendimit se Musk po e përdorur gjithnjë e më shumë si mikrofon për të përhapur pikëpamjet e tij politike platformën e mediave sociale X e cila ka më shumë ndjekës me 196.6 milionë përdorues.
- Mbështeti hapur Trumpin në zgjedhjet presidenciale në SHBA
Musk i cili është në rend dite me deklaratat dhe hapat që ka ndërmarrë në një periudhë kur po afrojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA, ka sinjalizuar se në këto zgjedhje është kthyer tërësisht drejt Republikanëve edhe pse më parë kishte mbështetur Demokratët.
Në postimin në llogarinë e tij X më 14 korrik, Musk për herë të parë mbështeti hapur ish-presidentin Trump ndaj të cilit u krye një përpjekje për atentat. Por, kjo nuk ishte deklarata e parë që ai ka bërë lidhur me zgjedhjet.
Musk i cili ka mbështetur demokratët në tri zgjedhjet e fundit në SHBA, ka qenë në mosmarrëveshje me Trumpin për një periudhë.
- "Më parë nuk kam qenë shumë politik"
Musk nga X priti shpalljen zyrtare të kandidaturës presidenciale të guvernatorit republikan të Floridës, Ron DeSantis në maj 2023.
Kjo ngjarje përfundoi negativisht për shkak të defekteve teknike, por ishte një zhvillim i rëndësishëm për dëshirën e Musk për ta kthyer X në një "sheshin dixhital të qytetit".
Edhe intervista e Musk me Trumpin muajin e kaluar pati defekte teknike dhe filloi afërsisht 42 minuta me vonesë.
Gjatë intervistës në fjalë tërhoqi vëmendjen deklarata e Musk se "më parë nuk ka qenë shumë politik".
- Reagimi "shërbëtor i Trumpit"
Musk ftoi në intervistë edhe nënpresidenten e SHBA-së dhe kandidaten presidenciale të Partisë Demokratike, Kamala Harris. Edhe pse Harris nuk i dha ndonjë përgjigje ftesës, ekipi i saj i fushatës reagoi ndaj intervistës së Musk me Trump.
Në deklaratën e bërë nga ekipi i fushatës së Harris, miliarderi Musk u cilësua si "shërbëtori i Trumpit" dhe u mbrojt ideja se ai po përpiqet të marrë nën kontroll demokracinë e SHBA-së.
- Ndryshimi politik i Musk pas X
Musk nuk përfshihej ose shmangej nga polemikat me politikanët siç bënte aktualisht para X, ndërsa pasi bleu X ndryshe nga pronarët e platformave të tjera të mediave sociale, ai filloi të debatonte më shpesh me qeveritë dhe drejtuesit e shteteve.
Ndryshimi politik i Musk në X përkoi me një periudhë kur platformat e tjera të mediave sociale, veçanërisht Facebook dhe Instagram i kompanisë Meta, qëndruan relativisht larg politikës.
Drejtuesi i lartë i Meta-s, Mark Zuckerberg, nuk ka mbështetur kurrë zyrtarisht një kandidat presidencial. Ndryshe nga Zuckerberg, Musk debaton me ata që nuk janë në të njëjtin mendim me të.
- Diskutimet me krerët e qeverive dhe shteteve
Në muajin prill, Musk u përplas me qeverinë e kryeministrit australian Anthony Albanese lidhur me ndalimin e qasjes në pamjet lidhur me sulmin ndaj kishës në Sydney.
Teksa Musk reagoi ndaj vendimit të censurës të administratës së Kanberrës, Albanese e cilësoi Musk si një "miliarder arrogant" që e sheh veten mbi ligjin.
Ministria e Punëve të Jashtme gjermane i dha përgjigje Musk, i cili bëri një postim kundër emigrantëve, duke cituar një lajm lidhur me 8 anije të organizatave joqeveritare gjermane që mbledhin emigrantë të parregullt në Detin Mesdhe "për t'u shkarkuar në Itali" në shtator 2023.
Edhe në qershor, Musk vuri në dyshim kritikat ndaj AfD-së (Partia Alternative për Gjermaninë) pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe bëri postimin duke thënë se "Politikat e AfD-së nuk duken shumë ekstremiste".
Musk debatoi përmes medias sociale me presidentin Nicolas Maduro, i cili u njoftua se kishte fituar zgjedhjet presidenciale në Venezuelë më 28 korrik. Debati që filloi mes Musk dhe Maduro në rrjetet sociale mori kthesë interesante kur Maduro sfidoi Musk në një duel.
Më 9 gusht, Maduro dha urdhër për vendosjen e një ndalimi 10-ditor ndaj platformës duke argumentuar se X po përhap urrejtje dhe dhunë në Venezuelë. Duke vazhduar të ndajë postime në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve në Venezuelë, Musk në anën tjetër bëri komente edhe për aktet e dhunës të shkaktuara nga ekstremistët e djathtë në Britani.
Pas sulmeve ndaj hoteleve dhe xhamive ku qëndronin refugjatët dhe emigrantët në të gjithë Britaninë, Musk bëri postimin se "lufta civile është e pashmangshme" dhe filloi një të debatojë me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe zyrtarë të qeverisë.
Javën e kaluar, Gjykata e Lartë braziliane njoftoi se ndaj platformës është vendosur ndalimi i qasjes "deri në emërimin e përfaqësuesit të X për vendin dhe deri kur të paguhen gjobat".
Musk në një postim në X, reagoi ndaj vendimit duke thënë: "Liria e shprehjes është gurthemel i demokracisë dhe i ashtuquajturi gjykatës i pazgjedhur në Brazil po e shkatërron atë për arsye politike".
Në këtë mënyrë edhe Brazili u përfshi në mesin e vendeve me të cilat Musk ka patur probleme.
- Hetim nga BE-ja
Në muajin korrik, Komisioni Evropian (KE) nisi hetim kundër X me arsyen se ka shkelur Ligjin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së (DSA) duke lejuar dezinformimin dhe gjuhën e paligjshme të urrejtjes në platformë.
Musk pretendoi se KE-ja ofroi një "marrëveshje sekrete" të paligjshme për të mos u ndëshkuar në këmbim të censurimit në heshtje të fjalimeve dhe se X nuk e pranoi atë.
- "Musk e kupton fuqinë e medias sociale"
Analistja Jasmine Enberg tha se "Musk është mjeshtër i medias dhe kontrollon një nga mikrofonat më të mëdhenj në botë. Musk e kupton fuqinë e medias sociale në formësimin e një tregimi politik".
Kjo është një arsye shqetësimi, tha Enberg duke shtuar se "Ndërsa imponon axhendën e vet politike, X mund të shtypë pikëpamjet që kundërshtojnë idetë e Musk, qoftë qëllimisht ose nga vetë natyra e platformës që bëhet më partizane".
Duke vënë në dukje se kjo situatë mund të largojë përdoruesit që mendojnë se janë të tjetërsuar në platformë, Enberg tha se kjo mund të zhgënjejë disa përdorues që më parë besonin në theksimin e lirisë së shprehjes.
- Theksi se "Musk po vendos marrëdhënie miqësore me liderët populistë të krahut të djathtë"
Dan Milmo, redaktor i Teknologjisë Globale i gazetës "The Guardian", në një deklaratë në lidhje me veprimet e fundit të Musk tha se "Është e qartë se Musk nuk realizoi ringjalljen e Trumpit, por ai sigurisht e forcoi atë në një mënyrë që asnjë lider tjetër i madh i teknologjisë nuk mund ta bënte".
Milmo tha se Musk dëboi gjysmën e ekipit të "ndershmërisë zgjedhore" të X dhe shpërndau "këshillin e besimit dhe sigurisë". Duke kujtuar se ka ndryshuar edhe mënyra e funksionimit të sistemit "tiku blu", Milmo mbrojti idenë se ky sistem i cili merret në këmbim të pagesës, përdoret më shumë nga ata që kanë ide të djathtë.
Ai më tej pretendoi se Musk, i cili po debatonte me qeverinë e Partisë Laburiste në Britani, kishte një dëshirë për t'u përballur me qeveritë e krahut të majtë, siç kishte bërë më parë në Australi.
Në anën tjetër pasi vuri në dukje se Musk ka krijuar marrëdhënie miqësore me liderët e djathtë populistë si kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti argjentinas Javier Milei dhe ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro, Milmo shtoi se "Emëruesi i përbashkët është se ai duket se është i prirur të dëgjojë politikanët që kanë simpati ndaj pikëpamjes së tij botërore"./AA