Turqia kërkon administrim palestinez të Gazës dhe bashkëpunim të vendeve myslimane për paqe të qëndrueshme
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, pritet që në takimin e së hënës në Stamboll të kërkojë që të bëhen sa më shpejt marrëveshje për garantimin e sigurisë dhe administrimit të Gazës nga vetë palestinezët, ka bërë të ditur një burim i Ministrisë së Jashtme turke.
Në takim do të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Jordanisë, Pakistanit dhe Indonezisë, për të diskutuar mbi zhvillimet e armëpushimit dhe situatën humanitare në territorin palestinez, përcjell Jerusalem post
Sipas burimit, Fidan pritet të theksojë rëndësinë e veprimit të koordinuar të vendeve myslimane për ta kthyer armëpushimin në një paqe të qëndrueshme, duke akuzuar Izraelin se po “kërkon justifikime” për ta ndërprerë atë. Ai pritet gjithashtu të theksojë se ndihmat humanitare që hyjnë në Gaza janë të pamjaftueshme dhe se Izraeli nuk po përmbush detyrimet e tij në këtë drejtim.
Takimi në Stamboll zhvillohet pas atij të shtatorit në Nju Jork, ku të njëjtat vende morën pjesë në bisedime me presidentin amerikan Donald Trump, në kuadër të planit të tij për armëpushim në Gaza.
Ky plan, i ndërmjetësuar nga SHBA, parashikon ndalimin e luftimeve dhe një proces gradual çarmatosjeje të Hamasit, por mbetet i brishtë pasi disa çështje – si tërheqja izraelite dhe kontrolli i sigurisë – ende nuk janë zgjidhur plotësisht.