Lidhje


Kina kap momentin teksa SHBA lufton me Iranin: nga kriza e naftës te pushtimi i heshtur energjetik i Azisë

 

Ndërsa lufta me Iranin po zgjatet, Kina po e përdor krizën për të forcuar ndikimin e saj në Azi. Ajo po i ndihmon fqinjët e goditur nga mungesa e karburanteve, por në të njëjtën kohë po shtyn edhe teknologjinë e saj të energjisë së gjelbër si zgjidhje për të ardhmen.

 

Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, Pekini kufizoi eksportet e produkteve të naftës, duke vënë në vështirësi vendet aziatike që varen nga rafineritë kineze për karburant avionësh, benzinë dhe naftë. Kjo i shtyu shumë qeveri të rajonit t’i drejtohen Kinës për ndihmë.

 

Nga Vietnami te Filipinet, e deri te Australia, vendet e rajonit kërkuan nga Pekini të zbusë pasojat e luftës. Dhe Kina, ndryshe nga shumë vende të tjera, u gjend në një pozicion force. Edhe pse është importuesja më e madhe e naftës në botë, ajo ka krijuar rezerva të mëdha, ka ulur varësinë nga nafta e huaj dhe ka investuar prej vitesh qindra miliarda dollarë në energjinë e pastër.

 

Mesazhi i Pekinit ka qenë i qartë. Kina nuk e nisi luftën dhe nuk dëshiron mbylljen e Hormuzit, por ofron një alternativë ndaj karburanteve fosile. Pra, përveç ndihmës afatshkurtër me furnizime, ajo po u thotë fqinjëve të saj se siguria energjetike e së ardhmes mund të vijë nga panelet diellore, turbinat me erë, rrjetet inteligjente dhe makinat elektrike kineze.

 

Sipas analistëve, kjo është një mënyrë e zgjuar për të rritur ndikimin politik pa rrezikun që Kina kishte me projektet e mëdha të “Belt and Road”, të cilat shpesh u kritikuan se futën vendet e varfra në borxhe të rënda. Tani Pekini po fiton terren jo përmes kredive, por përmes energjisë dhe teknologjisë.

 

Në javët e para të luftës, eksportet kineze të karburantit drejt disa vendeve të zgjedhura vazhduan. Vietnami mori më shumë karburant avionësh, Filipinet më shumë plehra kimike dhe naftë. Kjo, sipas ekspertëve, tregon se Kina nuk vendosi një ndalim total, por një politikë selektive, ku marrëdhëniet e mira diplomatike luajnë rol.

 

Në të njëjtën kohë, kriza po i jep Kinës një mundësi edhe më të madhe, të shesë tepricën e saj të makinave elektrike, paneleve diellore dhe teknologjive të tjera të gjelbra. Eksportet e paneleve diellore dhe makinave elektrike u rritën ndjeshëm, ndërsa kritikat ndaj “mbiprodhimit” kinez janë zbutur, sepse në kohë krize këto produkte duken më të nevojshme se kurrë.

 

Pra, lufta me Iranin po i jep Pekinit një kartë të re, të shfaqet si furnizues energjie në kohë krize dhe njëkohësisht si lider i tranzicionit energjetik në Azi. Me pak fjalë, Kina po e kthen krizën e Lindjes së Mesme në një mundësi për të shtrirë ndikimin e saj ekonomik dhe politik në rajon.

XS
SM
MD
LG