Forcat izraelite plagosin 3 persona, përfshirë një fëmijë, gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor
Ushtria izraelite plagosi tre palestinezë, duke përfshirë një fëmijë, dhe arrestoi tre të tjerë gjatë bastisjeve në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze WAFA, forcat izraelite bastisën qytetin Jenin të Bregut Perëndimor me 50 automjete ushtarake të shoqëruara nga buldozerë.
Midis forcave izraelite që hynë në qytet nga rruga e Nazarethit dhe palestinezëve që kundërshtuan bastisjen u zhvillua një përleshje.
Thuhet se një avion zbulues fluturoi mbi qytetin e Jeninit, snajperë u vendosën në çatitë e shtëpive dhe ndërtesave dhe se kishte ndërprerje të energjisë në shumë lagje të qytetit dhe në kampin e refugjatëve në Jenin.
Pas bastisjes, buldozerët e ushtrisë izraelite shkatërruan infrastrukturën rreth Xhamisë Tawalibe, lagjen Zehra dhe rrugët që çojnë në kamp.
Forcat izraelite dërguan përforcime rreth Spitalit Shtetëror Al-Amel në Jenin, vendosën snajperë rreth spitalit dhe ndaluan ambulancat dhe i kontrolluan ato.
Forcat izraelite bastisën gjithashtu shtëpitë përreth kampit të refugjatëve Jenin.
Forcat izraelite plagosën 3 persona, mes tyre një fëmijë, në El-Halil
Ushtria izraelite plagosi tre persona, mes tyre një fëmijë, në qytezën Beni Naim në lindje të El-Halilit (Hebron).
Një fëmijë 14-vjeçar dhe dy persona u plagosën kur ushtria izraelite hapi zjarr gjatë incidenteve në zonën Wadi al-Jawz në hyrje të qytezës.
Mësohet se gjendja e fëmijës 14-vjeçar, i cili ka mbetur i plagosur në gjoks dhe në dorë, është kritike dhe të plagosurit janë dërguar në spitalet e rajonit.
Ushtria izraelite arrestoi 3 persona
Ushtria izraelite arrestoi një grua në fshatin Deyr Abu Mashal të Ramallahut në Bregut Perëndimor të pushtuar.
Forcat izraelite bastisën shtëpinë e një palestineze të quajtur Hana Ibrahim Ata (30) dhe arrestuan gruan palestineze pasi kontrolluan shtëpinë.
Gjatë bastisjes në vendbanimin Naleyn, në perëndim të Ramallahut, forcat izraelite krijuan një pikë kontrolli ushtarak dhe hapën zjarr ndaj personave që afroheshin.
Forcat izraelite arrestuan një palestinez me emrin Hussein Hasan Nahle pasi bastisën dhe kontrolluan shtëpinë e tij në kampin e refugjatëve Al-Jelzun, në veri të Ramallahut.
Ushtria bastisi po ashtu vendbanimin Budrus të Ramallahut dhe arrestoi një palestinez të quajtur Mohammed Hasan, shtëpia e të u bastis.
Një përleshje shpërtheu midis forcave izraelite që bastisën vendbanimin Beit Likya, në perëndim të Ramallahut, dhe palestinezëve që kundërshtuan bastisjen.
Forcat izraelite hodhën gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese ndaj banorëve të qytetit që kundërshtuan bastisjen.