“Kudo ku shkelin, rrjedh gjak”: Algjeria prish marrëdhëniet me Emiratet
Algjeria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka vendosur të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët civilë dhe ushtarakë të regjistruar në Emirate. Algjeri e justifikoi vendimin me ato që i quajti “akte provokuese dhe armiqësore” nga Abu Dhabi, pas vitesh tensionesh mes dy vendeve. Fluturimet komerciale drejt dhe nga aeroporti i Algjerit do të lejohen përkohësisht deri në fund të vitit 2026.
Ambasadorit të Emirateve iu dhanë 48 orë për t’u larguar nga vendi. Ministria e Jashtme algjeriane deklaroi se kishte shteruar të gjitha përpjekjet për të ruajtur marrëdhëniet dhe se Emiratet kishin vazhduar sjellje që Algjeria nuk mund t’i toleronte më.
Presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune ka qenë prej kohësh një kritik i ashpër i Emirateve, duke i akuzuar për ndërhyrje destabilizuese në Libi, Mali dhe Sudan. Në korrik ai kishte deklaruar: “Kudo ku shkelin, rrjedh gjak”, duke kërkuar që Abu Dhabi të qëndronte larg çështjeve të brendshme të rajonit. Një tjetër burim përplasjesh ka qenë edhe normalizimi i marrëdhënieve të Emirateve me Izraelin në vitin 2020.