Danimarka kërkon "pauzë humanitare" në Gaza
Danimarka ka kërkuar një pauzë humanitare në mënyrë që të mund të dërgohen më shumë ndihma urgjente për popullatën civile të vuajtur në Rripin e Gazës në mes të sulmeve të vazhdueshme nga Izraeli.
Ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Lokke Rasmussen, për transmetuesin lokal DR tha se "duhet të ketë një ndërprerje humanitare në armiqësitë, në mënyrë që ne të mund të japim më shumë ndihmë urgjente për popullatën civile të vuajtur".
Rasmussen tha se Danimarka votoi po në rezolutën e miratuar së fundmi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sepse siç theksoi ai, "situata humanitare në Gaza është katastrofike".
"Termi ‘armëpushim humanitar’ thekson fokusin humanitar dhe kështu nuk është një armëpushim i përhershëm", tha ai.
Dje, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me një shumicë dërrmuese për të kërkuar një armëpushim humanitar në Gaza. Në votim 153 vota ishin pro, 10 kundër dhe 23 abstenime.
Në një deklaratë të përbashkët, gjithashtu edhe kryeministrat e Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re kërkuan një përpjekje ndërkombëtare për një "armëpushim të qëndrueshëm" në konfliktin e Gazës dhe ngritën alarmin për pakësimin e hapësirave të sigurta për civilët në enklavën palestineze në mes të sulmeve të vazhdueshme izraelite.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje për sulmin ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Të paktën 18.412 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 50.100 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që atëherë.
Burimi: AA