Presidenti francez thirrje për ndëshkimin e kolonëve hebrenj që kërcënojnë paqen në Bregun Perëndimor
Është koha për të punuar për një armëpushim në Gaza dhe për të ndëshkuar kolonët e paligjshëm hebrenj që kërcënojnë paqen në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha sot presidenti francez Emmanuel Macron.
Duke folur në një bazë ushtarake ku janë të vendosur ushtarë francezë në Jordani, Macron u tha gazetarëve se stabiliteti i rajonit është “nën kërcënim”.
“Unë nuk e harroj tragjedinë humanitare në Gaza”, tha Macron, duke theksuar se duhet të punohet për një armëpushim në enklavën e rrethuar për të rihapur një “horizont politik”.
Duke theksuar se është koha për të ndëshkuar kolonët hebrenj që kërcënojnë paqen në Bregun Perëndimor, ai tha se vendi i tij po përpiqet të parandalojë që konflikti në rajon të përhapet më tej.
Ai tha se “çdo jetë e pafajshme e vjedhur është donacion për fanatizmin e së sotmes dhe së nesërmes”.
“Kërcënimet e Huthive për lirinë e lundrimit në Detin e Kuq janë të papranueshme”, tha ai, duke iu referuar sulmeve të grupit jemenas ndaj anijeve tregtare që ai thotë se janë të lidhura me Izraelin, duke shtuar se ka ushtarë francezë në shumë vende të rajonit.
Izraeli ka sulmuar ashpër Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, duke vrarë rreth 20.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur 52.000 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.
Masakra izraelite ka dëmtuar ose shkatërruar gjysmën e shtëpive në Gaza, ndërsa gati 2 milionë njerëz janë detyruar të zhvendosen brenda enklavës me popullsi të dendur, duke u përballur po ashtu me mungesë ushqimi dhe uji të pastër.
Gati 1.200 izraelitë thuhet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Burimi: AA