Policia izraelite sërish pengon palestinezët që të falin namazin e xhumasë në Al-Aksa
Policia izraelite e cila prej 11 javësh pengon faljen e namazit te xhumasë në xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor nën pushtim, ka plagosur 2 palestinezë duke ndërhyrë ndaj palestinezëve që donin të falnin namazin e xhumasë përreth Al-Aksës.
Forcat izraelite vendosën barriera hekuri në rrugët në zonën e Qytetit të Vjetër të Kudsit në të cilën ndodhet xhamia Al-Aksa dhe që nga orët e mëngjesit nuk lejuan hyrjen në Al-Aksa për të rinjtë palestinezë, madje herë-herë edhe për palestinezët e moshuar.
Palestinezët, të cilët nuk u lejuan të hynin në Al-Aksa u mblodhën për të falur namazin e xhumasë në lagjet përreth Al-Aksës.
Policia izraelite ndërhyri ndaj qindra palestinezëve që u mblodhën për namazin e xhumasë në lagjen Wadi al-Jawz, që ndodhet në afërsi të Mesxhidi Al-Aksës. Derisa forcat izraelite sulmuan intensivisht palestinezët me bomba me gaz lotsjellës, të rinjtë palestinezë iu kundërpërgjigjën policisë duke ndezur zjarr përreth.
Një prej bombave të gazit që u hodh, goditi automjetin e një palestinezi dhe shkaktoi dëme.
Në një deklaratë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thuhet se ka patur ndërhyrje mjekësore ndaj 2 palestinezëve që u plagosën, pasi ishin qëlluar nga policia izraelite në dyert e Bab al-Amud dhe Bab al-Asbat në Kudsin Lindor. Palestinezët e plagosur u dërguan në spital për trajtim.
Gjithashtu, forcat izraelite lëshuan mbi palestinezët ujë me presion dhe ujë të ndotur.
Forcat izraelite prej 11 javësh kufizojnë faljen e namazit të xhumasë në Xhaminë Al-Aksa.
Burimi: AA