"Ushtria izraelite po përgatitet t'u japë fund sulmeve tokësore në Rripin e Gazës"
Ushtria izraelite po përgatitet t'u japë fund sulmeve të saj tokësore në Rripin e Gazës.
Në lajmin e televizionit shtetëror izraelit KAN të bazuar në burime të paidentifikuara thuhet se "Sipas sukseseve operacionale, ushtria izraelite po përgatitet që në javët e ardhshme të kalojë në fazën e tretë të konfliktit në Gaza".
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se "Faza e tretë përfshin përfundimin e manovrës tokësore në Rripin e Gazës, reduktimin e forcave, çmobilizimin e forcave rezervë, aplikimin e sulmeve ajrore dhe krijimin e zonës tampon në kufirin mes Izraelit dhe Rripit të Gazës".
Më tej theksohet se ushtria izraelite "ka marrë nën kontroll shumicën e zonës në veri të Rripit të Gazës, por se ndodhet përballë vështirësive të mëdha në përparim në rajonin jugor".
Ushtria izraelite ka njoftuar se që nga fillimi i sulmeve të saj ndaj Rripit të Gazës janë vrarë 472 ushtarë të saj, ndërsa 139 prej tyre që nga fillimi i operacionit tokësor.
Statistikat e ushtrisë tregojnë se 784 oficerë dhe ushtarë janë plagosur që nga 27 tetori kur filluan sulmet tokësore ndaj Rripit të Gazës. Sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të ushtrisë, vihet në dukje se 179 prej tyre janë plagosur rëndë, 302 në masë mesatare dhe 303 lehtë.
Në lajmin e televizionit "Channel 13" thuhet se ushtarët e Brigadës Golani, një prej brigadave elitare të këmbësorisë brenda ushtrisë izraelite, u larguan nga Gaza për "të rikuperuar dhe riorganizuar radhët e tyre".
Ndërsa faqja e internetit "Walla" njoftoi se "Brigada Golani u largua nga Gaza që ushtarët të vizitojnë familjet e tyre për disa ditë pas një periudhe prej më shumë se 70 ditësh dhe pasi humbi 44 ushtarë të saj".
Burimi: AA