Arrestohet një i ri izraelit që refuzoi shërbimin ushtarak duke kundërshtuar luftën në Gaza
Gjykata ushtarake izraelite ka dënuar një të ri 18-vjeçar me 30 ditë burg për shkak se refuzoi shërbimin ushtarak duke kundërshtuar ofensivën e vazhdueshme në Rripin e Gazës,
“Nuk besoj se më shumë dhunë do të sjellë siguri, refuzoj të marr pjesë në një luftë hakmarrëse”, tha Tal Mitnick, 18 vjeç, në një deklaratë të cituar nga gazeta The Jerusalem Post.
"Në një botë plot me interesa korruptive në të cilën jetojmë, dhuna dhe lufta janë një mënyrë tjetër për të rritur mbështetjen për qeverinë dhe për të heshtur kritikat", u shpreh ai, duke shtuar:
"Ne duhet të pranojmë faktin se pas disa javësh të operacionit tokësor në Gaza, në fund - negociatat dhe marrëveshja liruan pengjet. Ishte në fakt aksioni ushtarak që shkaktoi vrasjen e tyre".
I riu izraelit është rasti i parë që burgoset për kundërshtimin e luftës në Gaza që nga shpërthimi i konfliktit më 7 tetor.
“Për shkak të gënjeshtrës kriminale se 'nuk ka civilë të pafajshëm në Gaza', madje edhe pengjet që ngritin flamurin e bardhë duke bërtitur në hebraisht, u qëlluan për vdekje. Nuk dua të imagjinoj sa raste të ngjashme nuk janë hetuar sepse viktimat kanë lindur në anën e gabuar të gardhit”, tha Mitnick.
Ai pritet të dënohet me burgime të tjera pas lirimit fillestar, sipas një deklarate nga përfaqësuesit e tij.
Në gusht, mbi 200 gjimnazistë izraelitë njoftuan refuzimin e shërbimit ushtarak, duke potencuar pushtimin e tokave palestineze nga Izraeli.
Burimi: AA