Lidhje


Ish-ministri palestinez dhe ligjëruesi i xhamisë Al-Aksa, Sheikh Salama vritet në sulmin e Izraelit në Gaza

Ish-ministri fondacioneve dhe çështjeve fetare të Palestinës dhe ligjëruesi i xhamisë Al-Aksa, Sheikh Yousef Juma Salama humbi jetën në sulmin ajror të Izraelit që shënjestroi shtëpinë e tij në Gaza.

 

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, ushtria izraelite kreu sulm ajror ndaj shtëpisë së Salama në kampin e refugjatëve Al-Maghazi në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

 

Teksa në sulm ka humbur jetën 69-vjeçari Salama, bëhet e ditur se janë plagosur edhe shumë persona nga familja e tij.

 

Kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh në një mesazh për vrasjen e Sheikh Salama shprehu ngushëllime për popullin palestinez, për ata që jetojnë jashtë vendit si dhe botën arabe dhe islame.

 

"Në mesin e mijëra dëshmorëve të popullit tonë që janë vrarë me krimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik, kapitujt e përgjakshëm të të cilëve vazhdojnë prej 86 ditësh, u bashkua edhe Sheikh Salama", tha Shtayyeh duke iu referuar sulmeve të Izraelit kundër Gazës.

 

Kryeministri palestinez më tej shprehu lutjen që "Allahu t‘i mëshirojë dhe t'i bëjë prej banorëve të xhenetit Sheikh Salama-n dhe të gjithë dëshmorët tanë".

 

Ish-ligjëruesi i xhamisë Al-Aksa, Sheikh Yousef Juma Salama, gjatë viteve 2005-2006 ka kryer detyrën e ministrit të fondacioneve dhe çështjeve fetare të Palestinës.

 

Burimi: AA

XS
SM
MD
LG