Turqia dënon 'sulmet e neveritshme' kundër Kuranit në Holandë
Turqia dënoi ashpër të shtunën “sulmet e neveritshme” kundër librit të shenjtë islam, Kuranit, jashtë ambasadave të disa shteteve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, përfshirë ambasadën turke, në Holandë.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme turke tha se Ankaraja dënon përhapjen e këtyre “sulmeve provokuese”, të cilat lejohen të kryhen në vendet evropiane nën maskën e lirisë së shprehjes.
“Vendet ku kanë ndodhur sulme të tilla, tani duhet të marrin masa efektive kundër këtyre provokimeve, të cilat njihen nga Kombet e Bashkuara si akte të urrejtjes fetare dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar”, thuhet më tej në deklaratë.
Türkiye u bëri thirrje autoriteteve holandeze të ndërmarrin veprimet e nevojshme kundër autorëve dhe të marrin masa për të parandaluar përsëritjen e sulmeve të tilla.
Më herët, Edwin Wagensveld, udhëheqësi i PEGIDA-s, një grup islamofobik, grisi kopjet e librit të shenjtë islam, Kuranit, para ambasadave të disa vendeve muslimane, përfshirë ambasadën turke.
Figura dhe grupe islamofobike në Evropën Veriore muajt e fundit kanë kryer vazhdimisht djegie të Kuranit dhe përpjekje të ngjashme për të përdhosur librin e shenjtë, duke shkaktuar zemërim nga vendet muslimane dhe bota.
Burimi: AA