Prifti françeskan thyen heshtjen mes bombardimeve në Liban: Zoti nuk jep leje për të vrarë!
Frati Tony Choukri, kujdestar i Manastirit Françeskan të Shën Jozefit në Bejrut, i tregon Vatican News për jetën nën luftë dhe bën thirrje për paqe, duke theksuar se “qenia njerëzore nuk është një objekt dhe vdekja nuk është as rrugë dhe as mjet për të ndryshuar strategji, demografi apo kufij.”
Nga Francesca Sabatinelli
Bombardimet izraelite në Liban po marrin jetë njerëzish; ato “godasin muret”, por gjithashtu po krijojnë një “mjedis urrejtjeje dhe hakmarrjeje, një vend që nuk ka asgjë të përbashkët me qetësinë e Libanit.” Ajo që po ndodh nuk i përket jetës së libanezëve, pavarësisht fesë së tyre, pasi ata gjithmonë janë mësuar të jetojnë së bashku.
Frati Tony Choukri, nga Kujdestaria e Tokës së Shenjtë, e përshkruan vendin e tij, Libanin, si “një pëlhurë të ndërthurur – jo një grup komunitetesh të ndara, por një pëlhurë e vetme, një entitet i vetëm, ku të krishterët dhe myslimanët janë të bashkuar si një, dhe krejtësisht të huaj ndaj gjithçkaje që po ndodh tani.”
Frati Choukri është kujdestari i Manastirit Françeskan të Shën Jozefit, në lagjen e krishterë Gemmayzeh në Bejrut, “një zonë që zakonisht është turistike, të themi kështu, por tani jemi të rrethuar nga frika dhe pasiguria,” shpjegoi ai.
Manastiri mban në kujtesë jo vetëm shpërthimin shkatërrues të vitit 2020 në portin e kryeqytetit libanez, por edhe luftën që vendi përjetoi që në vitet e para, në 1974.
Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, manastiri mbetet “një prani e vazhdueshme ku njerëzit vendosin besimin e tyre, ku ndihen të sigurt, sepse fretërit kanë qenë gjithmonë aty; ata kanë qëndruar dhe nuk e kanë braktisur kurrë manastirin”, i cili ndodhet në qendër të qytetit, në pjesën më të vjetër të tij, ku madje nuk ka as strehë.
Asnjë vend nuk është i sigurt
Ka shumë frikë mes njerëzve të zhvendosur që kanë kërkuar strehim aty, “sepse nuk e di kurrë çfarë mund të ndodhë; gjithçka mund të ndryshojë brenda një minute. Nuk di si të lëvizësh dhe as çfarë mund të bëhet,” tha frati Choukri.
Megjithatë, sot i gjithë Libani është i pasigurt.
“Mendonim se bombardimet do të ndaleshin në jug, aty ku janë zonat e Hezbollahut, ku ndodhet edhe kufiri ‘i nxehtë’ me Izraelin. Por goditjet kanë arritur edhe këtu. Është e qartë se gjeografia e vendeve të pasigurta po zgjerohet; tashmë nuk mund të mendosh më për asnjë zonë si më të mbrojtur,” vazhdoi ai.
Frika dhe mikpritja
Kjo frikë e madhe u bë reale vetëm dy ditë më parë, kur gjatë përgatitjeve për festën e Shën Jozefit gjithçka filloi të dridhej. Ata që ishin mbledhur në kishë për t’u lutur në atë moment ndien bombardimin që goditi vetëm 300 metra larg manastirit.
Megjithatë, askush nuk largohet. Manastiri ka qenë gjithmonë një pikë referimi për njerëzit në nevojë, për refugjatët që vijnë nga jugu i Libanit ose, në të kaluarën, për ata që iknin nga lufta në Siri.
Gjatë viteve, nga Manastiri i Shën Jozefit janë nisur edhe korridore humanitare. Tani, ndërsa jeton nën bombardime, ai është shndërruar në një vend strehimi për njerëzit e zhvendosur.
Aktualisht aty strehohen rreth 150 persona, por “ne duam të gjejmë një rrugë tjetër për fëmijët dhe të moshuarit; duam të gjejmë një vend më të sigurt për ta,” theksoi frati Choukri.
“Fëmijët më të vegjël, sapo dëgjojnë një zhurmë që mund të ngjajë me të shtëna armësh, vrapojnë të fshihen në qoshe ose pranë nënave të tyre. Ne duam të gjejmë një vend më të mbrojtur për ta.”
Zoti nuk jep leje për të vrarë
Megjithatë, kjo nuk vlen për fretërit e manastirit, të cilët nuk kanë ndërmend të largohen nga Gemmayzeh. Ata qëndrojnë pranë komuniteteve që sot jetojnë me ndjesinë dramatike të të qenit “të margjinalizuar, të padëshiruar dhe të shtypur.”
Dhe megjithëse frati Choukri nuk e fsheh besimin e tij të madh te libanezët dhe te aftësitë e tyre, ai pranon gjithashtu se “e keqja po gjen hapësirë.” Frika po përhapet mes popullsisë, me të gjitha pasojat që mund të sjellë.
Apeli i fratit Choukri është mbi të gjitha që të ndalet “kjo vuajtje.”
“Mendoni për ata që po vdesin, sepse Zoti nuk i ka dhënë askujt leje të vrasë njerëz,” këmbënguli ai.
Kërkesa e tij është që njerëzit të jetojnë me respekt për ligjin, për të drejtat e njeriut dhe për besimin, sepse “qenia njerëzore nuk është një objekt dhe vdekja nuk është as rrugë dhe as mjet për të ndryshuar strategji, demografi apo kufij.”/ Vatican News