Lidhje


JD Vance: Trump synon “marrëveshje të madhe” me Iranin, jo zgjidhje afatshkurtra

 

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, deklaroi se presidenti Donald Trump synon arritjen e një marrëveshjeje të gjerë dhe afatgjatë me Iran, duke përjashtuar mundësinë e një zgjidhjeje të kufizuar apo të përkohshme.

 

Vance theksoi se administrata amerikane është e fokusuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të adresojë në thelb marrëdhëniet mes dy vendeve.

 

Sipas raportimeve të CBS News, ai u shpreh se negociatorët kanë bërë “progres të konsiderueshëm” gjatë fundjavës në Pakistan, duke sinjalizuar zhvillime konkrete në prapaskenë drejt një zgjidhjeje diplomatike.

 

Megjithatë, Vance nënvizoi se Trump nuk është i interesuar për një “marrëveshje të vogël”, por për një “marrëveshje të madhe në stilin Trump”, që synon të ketë ndikim afatgjatë në stabilitetin rajonal dhe global.

 

Ai pranoi gjithashtu se mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit ekziston një nivel i lartë mosbesimi.

 

“Nuk mund ta zgjidhësh këtë problem brenda natës,” deklaroi Vance, sipas Reuters, duke theksuar se rruga drejt një marrëveshjeje kërkon kohë dhe përpjekje të vazhdueshme diplomatike.


Më shumë se dy orë bisedime me Libanin, ambasadori izraelit: Po punohet për një traktat paqeje të plotë

 

Ambasadori i Izraelit në SHBA, Yechiel Leiter pas përfundimit të bisedimeve me Libanin ka dhënë një konferencë për mediat. Ai i ka cilësuar bisedimet ‘një fitore për paqen’.

 

“Sot zbuluam se jemi në të njëjtën anë të ekuacionit dhe kjo është gjëja më pozitive që mund të kishim arritur”, thotë ai në një deklaratë.

 

Palët në bisedime diskutuan një “kufi të përcaktuar qartë” midis Izraelit dhe Libanit, tha Leiter.

 

“E bëmë shumë të qartë se siguria e civilëve tanë nuk është çështje negociatash. Këtë e kupton qeveria e Presidentit të Libanit, Joseph Aoun. Kjo ishte një fitore për mendjen e shëndoshë, për përgjegjësinë dhe për paqen”, u shpreh ai.

 

Gjithashtu shtoi se punohet për një traktat paqeje “të plotë”.


Izraeli dhe Libani zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë pas katër dekadash

 

Për herë të parë në më shumë se 40 vjet, Izraeli dhe Libani u takuan për një raund bisedimesh të drejtpërdrejta të martën, ndërsa ambasadori i Jerusalemit në SHBA, Yechiel Leiter, u takua me ambasadoren e Libanit në SHBA, Nada Hamadeh Moawad, në Uashington. Në takim mori pjesë edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ndërsa ai po ndërmjetësohet nga ambasadori amerikan në Liban, Michel Issa.

 

Në fillim të takimit, Rubio tha se negociatat nuk synojnë të “zgjidhin të gjitha kompleksitetet” e konfliktit mes dy vendeve, por më tepër të sjellin “një fund të përhershëm të 20-30 viteve të ndikimit të Hezbollahut në këtë pjesë të botës”. Ndërkohë që ai fliste, raketat e Hezbollahut godisnin veriun e Izraelit.

 

Burime që folën me Haaretz shprehën skepticizëm për mundësinë e përparimit në këto bisedime dhe vlerësuan se, nga këndvështrimi i kryeministrit Benjamin Netanyahu, ato përbëjnë një taktikë për të fituar kohë pa ndalur plotësisht sulmet izraelite në Liban, ndërsa njëkohësisht paraqesin vullnet të mirë ndaj Presidentit amerikan Donald Trump.

 

Nga ana libaneze, zëvendëskryeministri Tarek Mitri i tha transmetuesit publik të vendit se Bejruti do të kërkojë një armëpushim gjatë bisedimeve, në mënyrë që të mund të diskutojë “si të negociojë me Izraelin”, duke shtuar se “negociata të tilla zakonisht zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe jo gjatë operacioneve ushtarake”. Sipas Mitrit, “më e rëndësishme se çfarë thotë ambasadori izraelit është ajo që thonë Sekretari i Shtetit amerikan dhe [zyrtari i Departamentit të Shtetit] Mike Needham”.

 

Më herët gjatë së martës, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se rreshteri i parë rezervist, Ayal Uriel Bianco, 30 vjeç, u vra në detyrë gjatë natës në një aksident me përmbysjen e një mjeti Hummer në jug të Libanit, ndërsa 10 parashutistë u plagosën, tre prej tyre rëndë, gjatë një bastisjeje në Bint Jbeil.


Lufta me Iranin i ka kushtuar Izraelit 11.5 miliardë dollarë deri tani

 

Lufta e Izraelit me Iranin i ka kushtuar deri tani shtetit hebre rreth 11.5 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të publikuar nga Ministria izraelite e Financave.

 

Sipas raportimit, kostoja totale e konfliktit arrin në 35 miliardë shekelë, ndërsa autoritetet financiare izraelite vlerësojnë se buxheti aktual mund ta përballojë këtë barrë nëse përshkallëzimi nuk zgjerohet më tej.

 

Megjithatë, sipas Haaretz, Ministria e Mbrojtjes kundërshton këtë përllogaritje, duke argumentuar se vetëm fushata kundër Iranit ka kushtuar rreth 39 miliardë shekelë, pa përfshirë operacionet në Liban dhe kostot afatgjata të rikuperimit.

 

Zyrtarët e mbrojtjes pritet të kërkojnë rreth 9 miliardë dollarë shtesë, për të mbuluar operacionet ushtarake dhe rindërtimin pas konfliktit.

 

Sipas Ministrisë së Financave, nga shuma totale e përllogaritur:

 

-22 miliardë shekelë lidhen me shpenzime të drejtpërdrejta ushtarake;

 

-12 miliardë shekelë me kompensimin e bizneseve dhe familjeve;

 

-dhe 1 miliard shekelë me shpenzime civile shtesë.

 

Raporti nënvizon gjithashtu se në kosto janë përfshirë edhe aktivitetet e ushtrisë izraelite në Liban, përfshirë mobilizimin e deri në 120 mijë rezervistëve.


Skandal me 8 milionë $: Izraeliti i afërt me Ramën akuzohet për mashtrimin e biznesmenit amerikan

 

Nga Panorama.com.al

 

Një padi e depozituar në Gjykatën e Miami-Dade në SHBA zbulon një skemë të dyshuar mashtrimi financiar me vlerë mbi 7.6 milionë dollarë, ku biznesmeni amerikan Mark Faist akuzon partnerin e tij Ron Yeffet dhe kompaninë e tij R&I Trading për manipulim të qëllimshëm, premtime të rreme dhe shkelje të marrëveshjeve financiare.

 

Sipas dokumenteve zyrtare, gjithçka nisi si një njohje e zakonshme në Miami, por që në realitet ishte hapi i parë i një strategjie të mirëorganizuar për të fituar besimin e Faist. Pas një karriere të gjatë si tregtar energjie, Faist ishte tërhequr në pension dhe ishte vendosur në Florida për të shijuar jetën, kur u njoh me Yeffet. Ky i fundit ndërtoi me kujdes një imazh të fuqishëm: prezantime familjare, histori filantropie, bindje fetare dhe një stil jetese luksoz, përfshirë avionë privatë, mjete të shtrenjta ujore dhe ora luksoze – të gjitha për të krijuar besim dhe autoritet financiar.

 

Në kulmin e kësaj marrëdhënieje, Yeffet i prezantoi Faist një mundësi investimi që e përshkroi si “një rast që ndodh një herë në një brez”. Ai pretendoi se pandemia COVID-19 kishte krijuar një mundësi të rrallë për të blerë prona në New York me çmime të ulëta dhe për të siguruar fitime të mëdha. Për ta bërë ofertën edhe më joshëse, ai e paraqiti Faist si partnerin e tij të vetëm dhe të privilegjuar në këtë projekt.

 

I bindur nga kjo fushatë ndikimi, Faist transferoi në total 8,611,676.50 dollarë drejt kompanisë R&I Trading, me premtimin për fitime të sigurta dhe mundësi tërheqjeje të menjëhershme të investimit. Por sipas padisë, këto premtime rezultuan të gjitha të rreme dhe Faist nuk mori asnjë kthim real nga investimi i tij.

 

Pasi situata u përshkallëzua dhe kërcënimi i një padie u bë real, palët arritën një Marrëveshje Pajtimi më 29 shtator 2025. Në këtë marrëveshje, Yeffet dhe kompania e tij pranuan përgjegjësinë dhe ranë dakord të shlyenin detyrimin prej 7,611,676.50 dollarësh (pas një pagese paraprake prej 1 milion dollarësh), brenda 90 ditëve dhe me një interes prej 5% në vit. Megjithatë, sipas dokumentit, kjo marrëveshje nuk u respektua.

 

Për këtë arsye, Faist i është drejtuar gjykatës duke kërkuar dëmshpërblim të plotë për shumën e mbetur, përfshirë interesat kontraktuale, kostot ligjore dhe çdo kompensim tjetër që gjykata mund të konsiderojë të drejtë.

 

Rasti ka marrë vëmendje edhe për shkak të profilit të Ron Yeffet, i cili përmendet për lidhje në Shqipëri dhe përfshirje në projekte të ndryshme biznesi, duke e bërë këtë çështje jo vetëm një konflikt financiar, por edhe një histori me implikime më të gjera mbi besimin, manipulimin dhe rreziqet e investimeve të pakontrolluara.

XS
SM
MD
LG