Plani sekret “Shqipëria”: si BE përgatiti skenarin tronditës për nxjerrjen e Greqisë nga Eurozona
Në kulmin e krizës greke të vitit 2015, institucionet kryesore huadhënëse të Athinës kishin përgatitur në prapaskenë skenarë të detajuar për daljen e Greqisë nga Eurozona, procesi që në atë kohë njihej si “Grexit”.
Sipas zbulimeve të transmetuara në episodin e katërt të një serie dokumentarësh të televizionit grek SKAI, në Bruksel ishin hartuar të paktën dy dokumente sekrete për këtë skenar. Njëri mbante emrin e koduar “Anëtarësimi i Kroacisë në BE”, ndërsa plani rezervë, i njohur si “Plani B”, kishte një emër edhe më të pazakontë: “Shqipëria”.
Dokumentari sjell dëshmi nga ish-zyrtarë të lartë europianë dhe ndërkombëtarë për negociatat dramatike mes kreditorëve dhe qeverisë së atëhershme greke të drejtuar nga Alexis Tsipras. Ish-presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka rrëfyer bisedimet e tensionuara të qershorit 2015, kur palët përpiqeshin të mbyllnin një hendek financiar prej rreth 380 milionë eurosh.
Sipas Juncker, Tsipras kishte propozuar vendosjen e një takse mbi pronarët e anijeve greke si alternativë ndaj shkurtimeve të pensioneve, por ky propozim nuk u pranua. Ndërkohë, ish-drejtuesi i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, ka pranuar se në programin e parë të shpëtimit të ekonomisë greke ishin bërë gabime serioze, sidomos në nënvlerësimin e pasojave të masave shtrënguese.
Pjesa më e fortë e dokumentarit lidhet me ekzistencën e planit sekret të quajtur “Kodi i Shqipërisë”. Diskutimet për të u zhvilluan në mënyrë tepër të kufizuar dhe konfidenciale. Zyrtarët takoheshin nën pretekstin e bisedimeve për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian, ndërsa në të vërtetë shqyrtonin hapat që do të ndërmerreshin nëse Greqia largohej nga euro.
Sipas dëshmive, plani kishte rreth 139 faqe dhe përfshinte skenarë të hollësishëm për pezullimin e pagesave, vendosjen e kontrolleve të kapitalit, administrimin e daljes nga Eurozona dhe futjen e një monedhe të re kombëtare. Madje ishin parashikuar edhe detaje ekstreme logjistike, përfshirë mënyrën se si mund të evakuoheshin turistët e huaj nga Greqia me avionë ushtarakë.
Për shkak të ndjeshmërisë së jashtëzakonshme të çështjes, komunikimi elektronik ishte i ndaluar. Dokumentet dhe shënimet shkëmbeheshin vetëm fizikisht dhe personalisht, për të shmangur rrjedhjen e informacionit.
Ish-nënkomisioneri europian Margaritis Schinas ka pranuar se ishte në dijeni të ekzistencës së këtij plani, duke theksuar se vetë përgatitja e tij krijonte presion të madh politik. Ndërsa Martin Verwey, i cili drejtonte punën për “Planin B”, ka deklaruar se Komisioni Europian parashikonte një goditje të menjëhershme të monedhës së re greke, me një zhvlerësim prej 60 deri në 80 për qind që ditën e parë.
Në skenarin më të rëndë, borxhi grek mund të shkonte deri në 500-600 për qind të PBB-së, duke e bërë situatën praktikisht të pakontrollueshme. Një tjetër problem ishte koha e nevojshme për shtypjen e monedhës së re, që sipas vlerësimeve mund të zgjaste 8 deri në 9 muaj. Për këtë arsye, u diskutuan edhe zgjidhje të përkohshme, si përdorimi i kartëmonedhave euro me pullë ose shenjë të posaçme, për t’i kthyer përkohësisht në monedhë kombëtare.
Guvernatori i Bankës së Greqisë, Yannis Stournaras, e ka përshkruar daljen nga euro si një skenar katastrofik për vendin. Sipas tij, Greqia do të përballej me mungesa të rënda, krizë furnizimesh, kaos në kontratat private, probleme me importet dhe pamundësi praktike për qytetarët grekë që të përdornin kartat apo të kryenin pagesa jashtë vendit.
Zbulimet e dokumentarit rikthejnë në vëmendje një nga momentet më dramatike të krizës greke, kur dalja e Greqisë nga Eurozona nuk ishte më vetëm kërcënim politik, por një skenar real, i shkruar në dokumente sekrete dhe i fshehur pas emrit të koduar “Shqipëria”./ Lapsi.al