Lidhje


Dosja “Black Eagle” trondit politikën: kush ishte zyrtari i lartë shqiptar në takimet e Arubës?

 

Hetimet e SPAK për operacionin “Black Eagle” kanë nxjerrë në sipërfaqe një prej pistave më të ndjeshme të dosjes: dyshimin se rrjete ndërkombëtare të trafikut të kokainës kanë kërkuar të investojnë miliona euro në Shqipëri, kryesisht në ndërtim, prona dhe zona bregdetare, duke shfrytëzuar lidhje me nivele të larta politike.

 

Sipas të dhënave të cituara në dosje dhe materialeve të ardhura nga autoritetet e huaja, grupet nën hetim nuk përshkruhen si struktura lokale kriminale, por si rrjete të mirëorganizuara ndërkombëtare, me lidhje në Amerikën Latine, Europë dhe Shqipëri. Hetimet flasin për bashkëpunime me grupe kriminale në vende të ndryshme, përfshirë Kolumbinë, Ekuadorin, Paraguajin, Brazilin, Surinamin, Uruguain, Porto-Rikon, si dhe për kanale transporti drejt porteve të mëdha europiane si Antverpi dhe Roterdami.

 

Në këtë skemë, sipas SPAK, kokaina transportohej përmes kompanive tregtare që shërbenin si mbulesë, ndërsa pas mbërritjes në Europë përpunohej dhe shpërndahej në tregje të ndryshme të Bashkimit Europian. Dosja përmend edhe metoda të sofistikuara pagesash dhe pastrimi parash, nga transaksionet cash te bitcoin dhe sistemi informal “hawala”.

 

Në qendër të hetimeve dalin disa emra të njohur për SPAK, mes tyre Artur Shehu, Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku. Sipas dokumenteve, këta persona nuk paraqiten thjesht si vartës të njëri-tjetrit, por si bashkëpunëtorë në nivele të rëndësishme të aktivitetit kriminal. Prokuroria veçon sidomos Alfredo Hamzain dhe Luçiano Koçekun si drejtues të grupeve që kontrollonin hallka të ndryshme të trafikut, nga burimi i lëndës narkotike deri te transporti dhe magazinimi i saj.

 

Shifrat që përmenden në dosje janë të mëdha. Vetëm për Luçiano Koçekun, pagesat e evidentuara në kuadër të aktivitetit të dyshuar kriminal arrijnë në miliona euro, paund, dollarë dhe pesos. Po ashtu, në dosje përmenden sekuestrime të konsiderueshme kokaine në disa vende, përfshirë Barcelonën, Anglinë dhe Roterdamin, ndërsa komunikimet e SkyECC flasin për sasi edhe më të mëdha, që shkojnë deri në tonelata.

 

Pjesa më e ndjeshme e dosjes lidhet me takimet e zhvilluara në Aruba. Sipas të dhënave të ardhura nga autoritetet belge, në periudhën 24–31 janar 2019 janë vëzhguar takime në ishullin e Arubës, ku përmenden disa persona nën hetim. Në dokumente dalin emra si Arben Ismailaj, Elton Memeti, Adrian Rama, Artur Shehu dhe Bujar Shehaj.

 

Fotot e publikuara prej dosjes belge pretendohet se ilustrojnë këto takime. Në njërën prej tyre përmenden Bashkim Osmani, Artur Shehu dhe Adrian Rama, ndërsa në një tjetër raportohen takime ku shfaqen Arben Ismailaj, Elton Mehmeti, Alfredo Hamzaj dhe Adnan Rama.

 

Por elementi që e kthen këtë dosje nga një hetim klasik për trafik droge dhe pastrim parash në një çështje me peshë të rëndë politike është përmendja e një funksionari të lartë shqiptar. Sipas dosjes, autoritetet belge kanë përcjellë të dhëna për takime të kryera në Aruba me “përfaqësues funksionarë të lartë shtetërorë të shtetit shqiptar”.

 

Emri i këtij funksionari nuk shfaqet në fragmentet e bëra publike. Pikërisht kjo mungesë ngre pyetjen kryesore: kush ishte zyrtari i lartë shqiptar që, sipas autoriteteve të huaja, ka qenë pjesë e këtyre kontakteve në Aruba? A është identifikuar nga SPAK? A është marrë në pyetje? A është përjashtuar nga dyshimet? Apo emri i tij nuk është bërë publik për shkak të fazës ku ndodhet hetimi?

 

Rëndësia e kësaj pyetjeje shtohet nga një tjetër formulim i dosjes. Sipas materialeve të cituara, takimet dyshohet se lidhen me projekte të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me para të paligjshme dhe me mbështetje politike.

 

Në këtë pikë, dosja prek një nyje të fortë: lidhjen mes parave të drogës, sektorit të ndërtimit dhe vendimmarrjes shtetërore. SPAK dyshon se të ardhurat kriminale synonin të futeshin në ekonominë shqiptare përmes blerjes së pronave, tjetërsimit të tyre, fshehjes së pronësisë reale dhe më pas përdorimit të kompanive ndërtuese për zhvillime të mëdha.

 

Sipas dosjes, ky mekanizëm shërbente për të shkëputur lidhjen mes përfituesit real të parave dhe investimit përfundimtar. Prona blihej, ndahej, kalonte në forma të ndryshme pronësie dhe në fund integrohej në projekte ndërtimi, ku paratë e dyshuara si të paligjshme përziheshin me të ardhura formalisht të ligjshme.

 

Fokusi kryesor i kësaj skeme, sipas SPAK, ishte industria e ndërtimit në Shqipëri, veçanërisht Tirana dhe bregdeti jugor. Këto janë edhe zonat ku vlera e pronës është rritur ndjeshëm dhe ku lejet e ndërtimit, statuset e investitorit strategjik, licencat dhe vendimet administrative kanë peshë të jashtëzakonshme financiare.

 

Në dosje përmenden edhe komunikime në SkyECC mes Luçiano Koçekut dhe Alfredo Hamzait, ku flitet për prona pranë Green Coast në Palasë dhe për leje ndërtimi. Sipas materialeve të hetimit, në këto biseda diskutohej për mundësinë e ndërtimit të vilave dhe për procedura që lidhen me ndryshimin e statusit të tokës.

 

Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen mbi rolin e mundshëm të zyrtarëve shtetërorë. Nëse grupet kriminale kërkonin të investonin në prona dhe ndërtim, atëherë mbështetja politike ose administrative do të ishte një hallkë kyçe për sigurimin e lejeve, ndryshimin e destinacionit të tokave, marrjen e statusit strategjik apo shmangien e pengesave institucionale.

 

Për këtë arsye, çështja e Arubës nuk mbetet thjesht një episod takimesh jashtë vendit. Ajo shndërrohet në një test për SPAK-un: a do të zbardhet deri në fund roli i çdo personi të përmendur në dosje, përfshirë edhe funksionarët e lartë shtetërorë, apo hetimi do të ndalet vetëm te emrat e botës kriminale?

 

Deri tani, nga fragmentet e bëra publike, dosja ngre dyshime serioze për një skemë ku trafiku ndërkombëtar i kokainës, pastrimi i parave, ndërtimi në Shqipëri dhe ndikimi politik mund të jenë takuar në të njëjtën pikë. Pika më e errët mbetet ende e pazbardhur: identiteti dhe roli i përfaqësuesit të lartë të shtetit shqiptar që përmendet në lidhje me takimet e Arubës.

XS
SM
MD
LG