Flamuri që i duhej qeverisë? Incidenti te ambasada izraelite dhe hija e provokimit kundër protestës
Heqja e flamurit të Izraelit nga godina e ambasadës në Tiranë është kthyer në një nga episodet më të debatuara të protestës së mbrëmjes së 20 qershorit. Sipas pamjeve të publikuara në media, një person i maskuar, i raportuar si vajzë, del nga turma, afrohet te godina e ambasadës, heq flamurin dhe më pas rikthehet mes protestuesve. A2 CNN raportoi se personi nuk ishte identifikuar ende në momentin e publikimit, ndërsa pamjet e shpërndara nga disa media e kanë kthyer këtë moment në qendër të debatit publik.
Por pikërisht mënyra si ndodhi ngjarja ka ngritur dyshime te një pjesë e protestuesve dhe komentuesve në rrjete sociale. Pyetja që po qarkullon është e thjeshtë: si mund të kryhet kaq lehtë një veprim i tillë pranë një ambasade, aq më tepër pranë Ambasadës së Izraelit, e cila perceptohet si një nga objektet më të ndjeshme dhe më të ruajtura diplomatike? Në mars 2026, mediat izraelite raportuan se Izraeli kishte rritur sigurinë në ambasadat dhe misionet e tij në botë për shkak të kërcënimeve ndaj simboleve dhe përfaqësuesve izraelitë jashtë vendit. Kjo e bën edhe më të vështirë ta pranosh incidentin vetëm si spontanitet të çastit.
Dyshimet për infiltrime nuk lindën pas incidentit, por ishin artikuluar edhe më herët. Më 8 qershor, Belind Këlliçi paralajmëroi publikisht se vendosja e flamujve izraelitë në bulevard mund të përdorej si provokim për të dëmtuar protestën, duke folur për mundësinë e njerëzve të infiltruar në turmë. Edhe pas incidentit, një nga organizatorët, Arben Kola, deklaroi se në protestë mund të ketë grupe të infiltruara që synojnë ta largojnë kauzën nga thelbi i saj dhe të zhbëjnë protestën.
Në këtë kontekst, episodi i flamurit mund të lexohet si një moment që i shërbeu më shumë kundërshtarëve të protestës sesa vetë protestës. Që nga ai çast, vëmendja u zhvendos nga kauzat kryesore të tubimit, nga debati për Zvërnecin, pronat, korrupsionin dhe modelin ekonomik të qeverisë, drejt një incidenti të vetëm me ngarkesë diplomatike. Protesta, e cila prej javësh artikulon sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, rrezikoi të futet në një kornizë krejt tjetër: jo si revoltë qytetare kundër qeverisë, por si turmë që prodhon tension me një ambasadë të huaj.
Deri tani nuk ka prova publike që vërtetojnë se nga kush u orkestrua incidenti. Por mungesa e identifikimit të menjëhershëm, vendi ku ndodhi ngjarja, natyra e objektit diplomatik dhe përfitimi politik që prodhoi incidenti për narrativën kundër protestës, janë arsye të mjaftueshme për të kërkuar transparencë të plotë nga organet ligjzbatuese. Pyetja mbetet e hapur: ishte një akt individual i pamenduar, apo një provokim i kalkuluar për ta dëmtuar imazhin e protestës?