Lidhje


20 vjet nga tragjedia e helikopterit qeveritar “Bell 222″/ Misteri i korrikut 2006 kur ranë në det Gramoz Pashko dhe djali i vetëm, mjeku Aleksandër Baloi e tre pilotët më të mirë të Gardës

Është ditë e diel. 16 korrik 2006. Gramoz Pashko së bashku me familjen janë me pushime në Himarë. Konkretisht ata ndodheshin në vendin e quajtur “Rrugët e Bardha” në fshatin Palasë. Në një plazh të veçuar rreth 2.5 km nga rruga automobilistike Himarë – Vlorë.

 

Që në orët e para të mëngjesit ata i janë drejtuar detit së bashku me disa miq të tyre. Pasi kanë qëndruar disa orë janë futur në det për t’u larë disa persona, mes të cilëve dhe Gramoz Pashko.

 

Vendi ku ata po laheshin ka qenë plot me shkëmbinj. Të tjerët kanë dalë nga uji, ndërsa Pashko ka vazhduar të notojë dhe disa minuta më vonë. Në një moment ai ka hipur në një shkëmb, nga ku dhe ka përshëndetur me dorë personat që ishin me të.

 

Kishin kaluar rreth 30 minuta dhe ai nuk po dukej më. Familjarët të shqetësuar kanë nisur ta kërkojnë. Me vështirësi kanë dalluar midis shkëmbinjsh e dallgësh trupin e tij përmbys, me fytyrë në ujë.

 

Kjo është kronologjia fillestare e një prej ngjarjeve më të kobshme në historinë e Shqipërisë, ku u shua përgjithmonë një nga intelektualët dhe politikanët e rrallë të Shqipërisë demokratike, Gramos Pashko, djali i tij i vetëm Rubeni, mjeku i talentuar Aleksandër Baloi dhe tre pilotët më të përgatitur të Gardës së Republikës, Vangjel Çondi, Demush Heba dhe Qemal Koni.

 

Trupi i Pashkos ishte midis shkëmbinjsh, në buzë të detit pa ndjenja, i rrethuar nga familjarët, miq dhe shokë që ndodheshin me të. Pa humbur kohë, në Palasë mbërrin helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe nën shoqërimin e mjekut të ambulancës Dhërmi, Kozma Çipa dhe të bashkëshortes, helikopteri me pacientin Gramoz Pashko, niset për në QSUT.

 

Nga mjekët aty është përjashtuar fillimisht mundësia e ndonjë infarkti. Më pas është realizuar skaneri i kokës, prej të cilit u përjashtua çdo dëmtim. Ata konkluduan se mushkëritë e Pashkos ishin të mbushura me ujë dhe pasi parametrat e tjerë u stabilizuan, mjekët në bashkëpunim me familjarët vendosën që profesori të dërgohej për kurim jashtë vendit. Konkretisht në spitalin e Barit në Itali.

 

Transporti i tij duhet të bëhej sa më shpejtë. Aty të pranishëm kanë qenë kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, i cili tha se transporti mund të bëhej me helikopterin qeveritar Bell 222.

 

Helikopteri u nis për në Bari të Italisë rreth orës 21.50 të datës 16 korrik 2006 dhe në orën 02.17 të datës 17 korrik 2006 pati kontaktin e fundit me radio me Kullën e Rinasit. Vangjel Çondi si pilot i parë raportoi koordinatat. Ndodhej rreth 27 milje detare, 45 kilometra në perëndim të Durrësit në lartësinë rreth 1000 metra. Menjëherë pas këtij raportimi helikopteri u zhduk nga radari.

 

Në 20-vjetorin e kësaj tragjedie, Sefer Pasha, ish-shefi i gatishmërisë së Gardës së Republikës, sjell një dëshmi përmes syve të njeriut që drejtonte Sallën Operative. Rrëfimi i tij nga arkiva e gazetës DITA rindërton kronologjinë e ankthit nga telefonata e fundit e kolonel Vangjel Çondit, tek alarmi i kuq që përfshiu më pas të gjithë.

 

Ai përshkruan përpjekjet e dëshpëruara të radistëve për të kapur një sinjal nga “Bell 222”, deri në sekondën fatale të orës 02:17, kur mjeti ajror u zhduk. Rrëfimi zhvishet nga gjuha zyrtare dhe kthehet në një dramë njerëzore ku Salla Operative kthehet në “odë morti” dhe ku vetë Sefer Pashës i ra barra e rëndë të dëgjonte e të përcillte lajmin e rëndë për familjarët e viktimave.

 

Nga Sefer Pasha

 

Si shef i gatishmërisë së Gardës së Republikës e kam hequr në kurriz tmerrin e asaj nate. I drithëruar në drejtimin e Sallës Operative të Gardës më terreshin sytë tek ndiqja marramenthi fije për pe tragjedinë dikund e askund. Isha i pari që disa familjarëve u kam përcjell lajmin e kobshëm të zhdukjes së helikopterit dhe vdekjes së njerëzve të tyre të dashur

 

Në vesh më gjëmojnë thirrjet: – Alo! – Kolonel Çondi përgjigju! Demosh Heba përse e ke mbyllur celularin! Qemal Koni më dil në radio! – Alo! – Alo! Ministria e Mbrojtjes! Kulla e kontrollit ajror të fluturimeve të Rinasit, jepni informacion për kordinatat ku ndodhet helikopteri “Bell 222”? Përgjigju Kulla e Barit, e Malit të Zi, e Maqedonisë, Serbisë, Greqisë…

 

Përpjekje të dëshpëruara. Heshtje varri. Të gjithë gardistët me kufjet në vesh japin e marrin, por s’ka asnjë sinjal. Bëjmë dhe ribëjmë llogaritjen e kohës. Helikopteri “Bell 222” duhet të kishte mbërritur në Bari.

 

Në orën 02.17 të datës 17 korrik 2006 pati kontaktin e fundit me radio me Kullën e Rinasit. Vangjel Çondi si pilot i parë raportoi koordinatat. Ndodhej rreth 27 milje detare, 45 kilometra në perëndim të Durrësit në lartësinë rreth 1000 metra. Menjeherë pas këtij raportimi helikopteri u zhduk nga radari.

 

Të gjithë në Gardë janë në ankth. Informacion kërkon Presidenti, Kryeministri, ministrat, ambasadori amerikan e të tjerë. Në sallën Operative për pak minuta mbërrijnë nga Prokuroria, Shërbimi Informativ Kombëtar, SH.K.B – ja, nga të katër anët. Kontrollohen proces – verbalet, mbërritja në Helodromin e Gardës prej Korçës, e çdo lloj dokumenti e detaj që lidhej me zhdukjen e helikopterit që po transportonte për kurim në Itali Gramoz Pashkon.

 

Më kërkon informacion një nga të afërmit e pilotëve të zhdukur dhe unë i përgjigjem me ato që di. Folësi që ishte nje emër i njohur i aviacionit shqiptar, heshti për pak në fund të bisedës dhe pastaj tha me një zë të cilin nuk do ta harroj kurrë: – “Familjet të hapin dyert e mortit”.

 

Nuk dua ta besoj. – S’gabon Vangjel Çondi u them punonjësve. Ka një jetë që është pilot i parë për presidentë e kryeministra. Ka bërë fluturime në Gjermani, Itali, Francë, Greqi, Maqedoni, e në Mal të zi. Në nëntëdhjetë e shtatën ka shpëtuar jetë njerëzish të gjymtuar nga plumbat, të cilët i çonte nga Vlora për në Janinë.

 

E pabesueshme që në kohë normale ai Vangjel Çondi, Demush Heba e Qemal Koni të bëjnë aksident ajror me helikopter. Ata janë mjeshtra e dinë ku të fluturojnë e ku të bëjnë ulje të detyruar. E kanë shkelur Shqipërinë çdo pëllëmbë. Po kështu njohin edhe Italinë. Vangjel Çondi për të shpëtuar jetën e një turisti në Alpe e futi helikopterin në një shteg skifterësh. Nuk ka asnjë dështim. Vetëm triumfe të njëpasnjëshme.

 

Një nga kolonelët e shtabit të Gardës Qemal Pepiu më jep kurajo: “Ke të drejtë. Vetëm Vangjel Çondi nuk gabon”.

 

I ngarkuar emocionalisht e sillja në imagjinatën time kolonel Çondin kur vinte në Sallën Operative të Gardës për tu njohur me gjendjen e motit. “Dhe pastaj moti u prish” – bëja shaka me një fjali nga një tregim i Heminguejt.

 

E pata takuar për herë të parë në sekretarinë e Shtabit të Gardës. Shtypte një material për një fluturim në Kosovë. U çua në këmbë. Ishte i gjatë si lisat rrotull Syrit të Kaltër në Sarandë ku kaloi fëmininë. – Është Vangjel Çondi – më tha sekretarja, Moza. – E njoha nga zëri iu përgjigja. Komunikojmë në radio kur ka fluturime.

 

– Jemi takuar ma ktheu Vangjel Çondi në pranverën e 1999 në Fushën e Gjasë në Valbonë kur sollëm ambasadorin amerikan, sa kishte mbaruar lufta e Kosovës. U çudita me pamjen dhe sjelljen. Po ky nuk ngjan fare me pilotët belbëzova me vete. Pilotët janë hije rëndë.

 

Çdo minutë që kalonte i shtonte dramës një gur tjetër të rëndë mbi qafë. Një nga këshilltarët e Kryeministrit, thotë i pari se s’ka më shpresë. U përpilua lista e plotë e personave në helikopterin, “Bell 222”. Ata ishin Vangjel Çondi piloti i parë, Demush Heba, pilot, Qemal Koni, inxhinier fluturimi, Aleksandër Baloi, mjek reanimator, Gramoz Pashko dhe Ruben Pashko, i biri i Gramoz Pashkos.

 

Listën e vara në pjesën ballore të sallës operative për ta parë të gjithë ata që lypnin informacion e hynin e delnin njëri pas tjetrit. Salla Operative e Gardës u kthye në një “odë” morti.

 

Një nga ministrat preku me gisht emrin e Ruben Pashkos dhe nisi të lotojë. Më pyeti për ngjarjen e Gramozit në bregdet në jug. Iu përgjigjëm me ato që dinim. Gramoz Pashko ishte rrëzur nga shkëmbinjtë dhe kishte përfunduar në det. Mjeku i fshatit Dhërmi, Kosta Çipa, i kishte dhënë ndihmën e parë por gjendja e tij ishte e rëndë. Në orën 15 një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë e solli urgjentisht në Tiranë. Helikopteri tjetër për në Bari të Italisë u nis rreth orës 21.50 të datës 16 korrik 2006. Ministri nuk dëgjoi më gjatë. Iku.

 

Sytë nuk i ndaj nga lista e personave të zhdukur. Fiksohem tek Qemal Koni, inxhinieri më i talentuar i fluturimeve, mjeshtri i mirëmbajtjes dhe i gjendjes teknike të helikopterit, “Bell 222”. Ishte ai që firmoste nisjen e helikopterit për fluturim. Edhe për fluturimin për në Bari doemos që do merrej mendimi i tij. U përfshi vetë në treshen e pilotëve.

 

Kisha drekuar me të pak ditë më parë në Maminas të Durrësit. Në restorant të gjithë e përshëndetën sikur të ishte deputet i zonës. I zoti i lokalit i pagoi dhe drekën. Qemali më kishte porositur t’i gjëja librin “Flutrim natën”, të Sent – Ekzyperit, i cili kishte qenë pilot dhe shkrimtar dhe që kishte humbur jetën në një tragjedi ajrore. Tragjeditë nuk ngjajnë kurrë.

 

***

 

Situata rëndohet. Kuptoj se brenda gjëmës nuk ka asnjë shteg për fjalën e mirë. Ndihem ngushtë kur kërkojnë lajme të reja familjarët. Le të dalin dhe të tjerët në telefon – them me vete. Gratë e pilotëve Martha, Afrora e Razia, i përballoj. Po nënës së Ruben Pashkos? Kush mund ti përgjigjet asaj?

 

Ka kaluar ora 3 e natës. Gjithçka rreth meje rrotullohet. Në palcën e këtij kaosi radistët hamendësojnë e çfarë nuk thonë. Pilotët mundet ta kenë ulur helikopterin në fund të ndonjë honi ku s’ka asnjë fije vale. Broçkulla – i them vetes. Katastrofa ka ndodhur.

 

Zgjas kokën në dritare shoh yjet mbi Dajt. Nuk ka më asnjë shpresë . Atje tek Ylli i Mbrëmjes janë Vangjel Çondi, Demush Heba e Qemal Koni./Shqipëria ime

XS
SM
MD
LG