Rikthehen kontrollet në kufirin Shqipëri-Kosovë, kolona në Morinë
Pas pesë muajsh kalimi pa kontrolle, nga sot qytetarët që udhëtojnë mes Shqipërisë dhe Kosovës do t’i nënshtrohen sërish procedurave kufitare. Rikthimi i kontrolleve ka sjellë që në orët e para radhë dhe kolona automjetesh në pikën kufitare të Morinit.
Qytetarët e konsiderojnë të panevojshëm ndryshimin e procedurës disa herë gjatë vitit dhe kërkojnë një sistem të unifikuar që të shmangë pritjet në kufi. Për shkak të fluksit, Policia Kufitare ka shtuar sportelet në Morinë për të përshpejtuar kalimin e automjeteve.
Sipas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kosovës, kontrollet rikthehen nga 1 deri më 31 tetor, ndërsa nga 1 nëntori deri më 28 shkurt automjetet me targa shqiptare dhe kosovare kalojnë sërish pa kontrolle. I njëjti regjim pa kontrolle zbatohet edhe nga 1 maji deri më 30 shtator.