Organizimi, Disiplina, Metodologjia e Drejtë dhe Uniteti: Shtyllat e Fuqizimit dhe Rilindjes së Botës Islame
Friday, 18 September 2026 08:36
Adnan Qaka
"Të thuash se nuk më intereson politika domethënë të mos të interesojë gjysma e Kuranit. Sepse përpjekja është prej ibadeteve që në Kuranin Fisnik urdhërohet në më së shumti ajete. Për këtë arsye ne nuk bëjmë politikë, por bëjmë përpjekje. Njëriu që nuk bën përpjekje s'mund ta fitojë sprovën e kësaj bote"
Nexhmedin Erbakan në veprën "Kauza ime"
Organizimi i mirë, disiplina, uniteti dhe metodologjitë e drejta dhe adekuate përbëjnë shtyllat themelore të përparimit të botës islame. Pa këto parime, as qëllimet më fisnike dhe as synimet më të larta nuk mund të shndërrohen në rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.
Feja islame nuk e shikon jetën e kësaj bote me përbuzje, siç ndodh në disa sisteme besimi apo ideologji të tjera. Përkundrazi, ajo e sheh jetën tokësore si fushë përgjegjësie, pune, ndërtimi dhe prove morale. Kur’ani e bën këtë qasje jashtëzakonisht të qartë kur thotë: “E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim.” (El-Xhumua: 10). Ky ajet dëshmon se Islami nuk kërkon izolim nga jeta, por angazhim të ndërgjegjshëm në të, duke ruajtur ekuilibrin ndërmjet adhurimit dhe veprimit shoqëror.
Ajo që kërkon Islami nuk është hedhja poshtë e jetës së kësaj bote, por ndërtimi i saj mbi baza të ndërgjegjshme, humane dhe morale. Adhurimi i Allahut nuk është qëllim në vetvete i shkëputur nga realiteti, por një mjet i fuqishëm edukues që i kujton njeriut se, pavarësisht pasurisë, pushtetit apo statusit shoqëror, mbi të gjitha ekziston një fuqi absolute: fuqia e Krijuesit.
Ky adhurim e vendos njeriun në përmasën e tij reale dhe e çliron nga arroganca, duke e bërë të vetëdijshëm se i pasuri dhe i varfri, mbreti dhe qytetari i thjeshtë, janë të barabartë para Allahut.
Në këtë kontekst, një nga përgjegjësitë madhore të myslimanëve nuk është vetëm të dinë të përdorin mjete mbrojtëse, por edhe të jenë në gjendje t’i prodhojnë ato. Mbrojtja e vendit dhe e komunitetit mysliman kërkon përgatitje serioze, kapacitete ekonomike dhe zhvillim teknologjik. Një shoqëri që nuk zotëron pasuri të mjaftueshme dhe njohuri shkencore nuk mund të garantojë sigurinë dhe pavarësinë e saj.
Kur’ani e thekson qartë këtë obligim: “E ju përgatituni sa të keni mundësi forcë (mjete luftarake), që me të ta frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i njihni, por Allahu i njeh. Çfarëdo që shpenzoni në rrugë të Allahut do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.” (El-Enfal: 60).
Ky ajet nuk flet vetëm për forcë ushtarake, por për përgatitje gjithëpërfshirëse: ekonomike, shkencore, organizative dhe strategjike.
Myslimanët kanë nevojë të fuqizohen ekonomikisht dhe shkencërisht për të qenë konkurrues dhe faktor relevant në arenën globale. Profeti Muhamed a.s. ka theksuar se asnjë fe nuk mund të mbrohet pa pasuri dhe të ardhura të mjaftueshme, duke e lidhur drejtpërdrejt stabilitetin shpirtëror me kapacitetin material.
Një parim themelor që duhet të jetë i qartë për myslimanët është se për arritjen e qëllimeve të mëdha nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë (nijeti i mirë), por domosdoshmërisht kërkohen edhe metoda të drejta dhe të pastra.
Në Islam, qëllimi nuk e arsyeton mjetin. Formula e rrezikshme “qëllimi e arsyeton mjetin” ka qenë shkak i krimeve dhe padrejtësive të panumërta në histori. Një qëllim i lartësuar nuk mund të realizohet përmes mjeteve të padenja, sepse përdorimi i mjeteve të gabuara e komprometon dhe e zvogëlon vetë qëllimin. Dijetari i shquar islam Sejjid Kutub ka theksuar me të drejtë: “Nuk mund të arrihet një qëllim i ndershëm duke ndjekur një metodë të poshtër.”
Një tjetër element kyç për përparimin e botës islame është disiplina, një virtyt që fatkeqësisht ka munguar dhe vazhdon të mungojë në shumë shoqëri myslimane. Historia na ofron shembuj të qartë se disiplina dhe organizimi mund t’i japin epërsi edhe një force numerikisht më të vogël. Forcat perëndimore që pushtuan shumë vende aziatike shpesh ishin më të pakta në numër krahasuar me forcat vendase, por efektshmëria dhe suksesi i tyre nuk buronte vetëm nga armët më të avancuara, por kryesisht nga organizimi i mirë dhe disiplina strikte.
Rangjet e qarta, përgjegjësitë e përcaktuara dhe bindja ndaj hierarkisë komanduese krijuan një mekanizëm funksional dhe efikas.
Një nga vendet e para që e analizoi disiplinën dhe organizimin si bazë të suksesit kombëtar ishte Japonia. Ky shembull tregon qartë se organizimi dhe disiplina mund ta fuqizojnë edhe të dobëtin. Për këtë arsye, është jetike që myslimanët t’i praktikojnë këto virtyte jo vetëm në politikë dhe ushtri, por edhe në edukim, ekonomi, biznes dhe në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
Një problem tjetër serioz është trajtimi i dobët i çështjeve madhore (makro) në Islam, si luftimi i monopoleve tregtare, pasurisë së fituar në mënyrë haram, zullumit dhe padrejtësisë. Duke u fokusuar në çështje periferike dhe duke anashkaluar problemet strukturore, shoqëritë myslimane mbeten prapa civilizimeve të tjera. Përkushtimi ndaj çështjeve madhore e lehtëson jetën në këtë botë dhe e trason rrugën drejt shpëtimit në botën tjetër.
Sociologu i shquar mysliman Ibn Halduni ka shprehur një mendim thellësisht domethënës kur ka thënë se, po t’i jepej mundësia të gjykonte diktatorët që i bëjnë padrejtësi popujve të tyre, ai do t’i gjykonte vetë popujt, sepse me heshtjen dhe nënshtrimin e tyre ata prodhojnë diktatorë. Ky reflektim tregon se përgjegjësia për padrejtësinë nuk është vetëm individuale, por edhe kolektive.
Një nga dobësitë më të mëdha të umetit islam është përçarja. Formimi i një trupi të përbashkët dhe ndërtimi i unitetit ndërmjet shteteve dhe popujve myslimanë do të sillte forcë, siguri dhe stabilitet politik për mbarë botën islame. Nëse vendet myslimane do të vepronin si një trup i vetëm, i bazuar në drejtësi, respekt të ndërsjellë dhe unitet strategjik, do të lindte një umet i aftë të mbronte interesat e veta dhe t’u përgjigjej presioneve politike, ekonomike dhe ushtarake.
Një dukuri tjetër tejet dëmtuese, veçanërisht për myslimanët shqiptarë të Kosovës, është egoizmi i theksuar. Ky egoizëm nuk lind natyrshëm, por mësohet në një ambient ku suksesi matet vetëm me fitim personal dhe ku humbja e tjetrit injorohet.
Një edukim i tillë e shndërron shoqërinë në një garë të pandërprerë, ku secili e sheh tjetrin si rival, e jo si përgjegjësi. Islami e kundërshton fuqishëm këtë logjikë, duke e mësuar njeriun të kujdeset për veten pa e harruar tjetrin, ta dojë për vëllanë atë që e do për vete dhe ta shohë mirësinë si detyrë, jo si humbje.
Vetëpërkujdesja pa solidaritet shndërrohet në egoizëm, ndërsa solidariteti pa drejtësi përfundon në kaos. Islami na mëson të jemi përgjegjës jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët, sepse njeriu nuk ngrihet duke u mbyllur në “unë”, por duke u zgjeruar drejt “ne”. Vetëm përmes organizimit, disiplinës, unitetit dhe një metodologjie të drejtë, bota islame mund të rikthejë rolin e saj historik si faktor ndërtues i qytetërimit dhe drejtësisë globale.