Lidhje


Transferim i palestinezëve nga Gaza në Shqipëri? Ministri i Jashtëm i Izraelit i thotë të gjitha në “Opinion”

 

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” në TV Klan, me gazetarin Blendi Fevziu, foli për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, situatën në Gaza, rolin e mundshëm të forcave shqiptare në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe tensionet me Iranin.

Sa’ar vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bëri të ditur se gjatë vizitës së tij në Shqipëri u nënshkruan dy marrëveshje, njëra për bashkëpunimin mes dy qeverive, me synimin për të krijuar më shumë mundësi për kompanitë shqiptare dhe izraelite, dhe tjetra për fluturimet.

 

Ai u shpreh optimist për rritjen e investimeve izraelite në Shqipëri, duke përmendur shtimin e numrit të turistëve nga Izraeli. Sipas tij, gjatë vitit të fundit, numri i tyre është rritur nga 7000 në 100,000 çka, sipas ministrit, mund të krijojë kushte për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

Një nga çështjet e ngritura gjatë intervistës ishte mundësia e transferimit të palestinezëve nga Gaza në Shqipëri. Kreu i diplomacisë izraelite deklaroi se nuk është në dijeni të ndonjë diskutimi të tillë mes dy qeverive.

 

“Kam marrëdhënie të ngushtë me kryeministrin Edi Rama, me ministrin e Jashtëm, me dy ish-ministrat e Jashtëm. Nuk është diskutuar diçka e tillë midis dy shteteve”, u shpreh Sa’ar.

Sa i përket pjesëmarrjes së mundshme të Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, ai theksoi se vendimmarrja për këtë forcë i takon amerikanëve dhe Bordit të Paqes. Sipas tij, misionet mund të përfshijnë edhe mbrojtjen e përpjekjeve për ndihmë humanitare, por ai tha se nuk i di ende detyrat konkrete që do t’u caktohen forcave shqiptare.

 

“Hamasi duhet të çarmatoset”

Duke folur për situatën në Gaza dhe perspektivën e paqes, Sa’ar këmbënguli se çarmatimi i Hamasit dhe demilitarizimi i Rripit të Gazës janë kushte thelbësore për vijimin e planit të paqes dhe nisjen e rindërtimit.

 

Sipas tij, Hamasi vazhdon të refuzojë çarmatimin dhe të mbajë nën kontroll popullsinë palestineze. Ministri izraelit argumentoi se organizata është përgjegjëse për vazhdimin e luftës dhe për viktimat nga të dyja palët, ndërsa theksoi se Izraeli preferon që objektivat e tij të arrihen përmes rrugëve diplomatike dhe politike.

I pyetur për vuajtjet e civilëve në Gaza dhe kritikat ndërkombëtare ndaj veprimeve të Izraelit, Sa’ar mbrojti qëndrimin e qeverisë së tij, duke fajësuar Hamasin për nisjen dhe vazhdimin e luftës.

 

Ai argumentoi se dobësimi ose rrëzimi i regjimit iranian do të ndikonte edhe te grupet që mbështeten prej tij, duke krijuar, sipas tij, kushte për një Lindje të Mesme më paqësore dhe më të qëndrueshme.

Sa’ar foli gjithashtu për bashkëpunimin mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se të dy vendet koordinojnë veprimet e tyre dhe mbështesin masat ekonomike kundër Iranit.

 

Në fund të intervistës, ministri i Jashtëm izraelit u shpreh se beson se paqja në rajon është e mundur, por nuk dha një afat se kur mund të arrihet ajo.

Gjatë bisedës me gazetarin Blendi Fevziun, Sa’ar vlerësoi edhe rolin e shqiptarëve gjatë Holokaustit, duke deklaruar se Izraeli nuk do ta harrojë mbrojtjen që shqiptarët u ofruan hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se kjo trashëgimi pasqyron, sipas tij, shpirtin e popullit shqiptar.

 

Intervista e plotë:

Blendi Fevziu: Zoti Sa’ar, faleminderit shumë që jeni sonte me ne dhe për vizitën tuaj në Shqipëri.

Gideon Sa’ar: Faleminderit për ftesën!

 

Blendi Fevziu: Normalisht, kjo është një vizitë rutinë. Por a keni diçka specifike në këtë vizitë? Diskutuat ndonjë gjë konkrete me qeverinë shqiptare?

Gideon Sa’ar: Po, nënshkruam dy marrëveshje të rëndësishme.

Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë “të rëndësishme”?

 

Gideon Sa’ar: Si fillim, një marrëveshje mes dy qeverive e cila do ti jap kompanive izraelite dhe shqiptare mundësi të mira në të dyja vendet. Së dyti nënshkruam një marrëveshje për fluturime. Pra ritheksuam marrëdhëniet dhe mundësitë në dy dimensione të ndryshme. Sigurisht që kjo ishte gjëja e parë. Gjëja e dytë ishte mundësia për të folur me kryeministrin, me ministrin e punëve të jashtme, me kryetarin e parlamentit lidhur me temat e interesit. Kishin kaluar 14 vite që nga vizita e fundit e ministrit të punëve të jashtme të Izraelitë…

 

Blendi Fevziu: Në Shqipëri…

Gideon Sa’ar: Në Tiranë.

Blendi Fevziu: Po.

 

Gideon Sa’ar: Mendova se është e rëndësishme që të vij. Ky ishte një rast unik ngaqë ndodhemi 2 javë përpara zgjedhjeve në Izrael. Nuk do të bëj asnjë vizitë tjetër gjatë këtij muaj.

Blendi Fevziu: Si do të shkojnë zgjedhjet? Si mendoni?

 

Gideon Sa’ar: Mendoj se…

Blendi Fevziu: Keni frikë?

Gideon Sa’ar: Jo… Asnjëherë nuk kam frikë…

 

Blendi Fevziu: Por zgjedhjet janë zgjedhje.

Gideon Sa’ar: Po, por kam mjaftueshëm përvojë në politik. Çdo ditë jemi duke u përmirësuar. Shpresoj që të kemi një mundësi të mirë për të fituar. Mendoj që shumica e njerëzve në Izrael dinë të vlerësojnë mënyrën se si kryeministri aktual, Netanyahu, dhe qeveria e tij kanë drejtuar shtetin e Izraelit gjatë një periudhe shumë sfiduese, gjatë këtyre 3 viteve të fundit.

 

Blendi Fevziu: Nuk dua t’ju pyes për zgjedhjet në Izrael, por ju folët për një marrëveshje për kompanitë shqiptare dhe izraelite. Deri më tani kemi marrëdhënie shumë të mirë midis Izraelit dhe Shqipërisë gjatë 35-36 viteve të fundit por nuk kemi mjaftueshëm kompani izraelite në Shqipëri.

Gideon Sa’ar: …

 

Blendi Fevziu: Kjo do të thotë se investimet nga Izraeli janë mjaft modeste…

Gideon Sa’ar: Mendoj se kemi më shumë investime në Shqipëri se sa anasjelltas. Megjithatë, në mënyrë që t’ju bëj më të kuptueshme çështjen…

Blendi Fevziu: Po…

 

Gideon Sa’ar: Gjatë vitit të fundit kaluam nga 7,000 turistë izraelit në Shqipëri në 100,000 turistë izraelit.

Blendi Fevziu: Po, kjo është e vërtetë.

 

Gideon Sa’ar: Sipas përvojës tonë, kur kemi turizëm të lartë, hapat e radhës janë investimet.

Blendi Fevziu: Hap pas hapi mund të përmirësohesh…

 

Gideon Sa’ar: Jo… Kur njerëzit… dhe 100,000 janë shumë… dhe mendoj se vetëm sa e kemi cekur potencialin dhe kjo shifër vetëm do të rritet… po kur njerëzit nga Izraeli të vijnë dhe të njihen me Shqipërinë, gjasat për investime kanë për tu rritur me ritme të shpejta. Diçka të tillë e kemi parë edhe në shtete të tjera. Për shembull, në Mal të Zi.

 

Blendi Fevziu: Po.

Gideon Sa’ar: Jam shumë optimist që do të shikojmë rritje të madhe të mëtejshme të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Shqipërisë në të ardhmen shumë të afërt.

Blendi Fevziu: Ju folët edhe për një marrëveshje fluturimesh. Çfarë do të thotë marrëdhënie fluturimi me qeverinë shqiptare?

 

Gideon Sa’ar: Do të na duhet të ndërpresim intervistën në mënyrë që të pyes njerëzit e mi lidhur me detajet e kësaj marrëveshjeje sepse nuk është pjesë e portofolit tim dhe nuk mund të flas për të.

Blendi Fevziu: Mund ta shmangim këtë pjesë…

 

…..

Blendi Fevziu: Shqipëria ka shprehur angazhimin e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. Kryeministri jonë…

Gideon Sa’ar:

 

Blendi Fevziu: Shqipëria ka shprehur angazhimin e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. Kjo është një deklaratë e kryeministrit tonë shqiptar dhe jemi thuajse gati. Si fillim, është e garantuar forca jonë ushtarake në Gaza, në praninë e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, si pjesë e kësaj Force?

 

Gideon Sa’ar: Kjo është çka Bordi i Paqes ka shprehur. Drejtohet nga Bordi i Paqes. Sigurisht që ka edhe disa kushte të cilat duhen përmbushur për vendosjen e trupave në Gaza. Mund t’ju them me sinqeritet që ne nuk jemi të kënaqur nga fakti që Hamasi nuk po çarmatoset. Ndërkohë që Hamasi nuk çarmatoset, do të kemi vendosjen e këtyre forcave. Izraeli dëshiron të shihet si mbështetës i planit të Trump-it, një mbështetës për sa i përket përmbushjeve të qëllimeve tona diplomatike, duke nisur me çarmatimin e Hamasit. Mendoj që është shumë e rëndësishme të shohim diçka të tillë.

 

Blendi Fevziu: Megjithatë nuk mendoj se trupat tona do të vendosen aty për të çarmatosur Hamasin…

Gideon Sa’ar: Jo…

Blendi Fevziu: Është shumë e rrezikshme për ne…

 

Gideon Sa’ar: Jo, kjo nuk supozohet të jetë detyra juaj. Megjithatë qartazi do të donit që të shikonit një proces të tillë përpara ardhjes së trupave tuaj. Këtu kemi interesa të përbashkëta.

Blendi Fevziu: Sidoqoftë, keni ndonjë ide konkrete se cili do të jetë roli i forcave shqiptare brenda Forcave të Stabilizimit? Apo nuk është vendosur ende?

Gideon Sa’ar: Si fillim, nuk është Izraeli që i komandon këto forcat…

 

Blendi Fevziu: Po, e di.

Gideon Sa’ar: Janë amerikanët dhe Bordi i Paqes që vendosin. Sigurisht që do të kenë shumë misione, përfshirë mbrojtjen e përpjekjeve për ndihmë humanitare si dhe gjëra të tjera. Nuk mund t’ju them tani se cilat do të jenë detyrat e forcave shqiptare për arsyen e thjesht që nuk e di.

Blendi Fevziu: Nuk e dini ende…

 

Gideon Sa’ar: Jo, nuk e di.

Blendi Fevziu: Megjithatë dua t’ju pyes, gjatë këtyre dy viteve keni zhvilluar diskutime me qeverinë shqiptare ose qeveri të tjera të huaja për sa i përket transferimit të palestinezëve nga Gaza në Shqipëri?

 

Gideon Sa’ar: Nuk jam në dijeni të diçkaje të tillë dhe nuk di të ketë diskutime të tilla me qeverinë shqiptare.

Blendi Fevziu: Asgjë në këtë drejtim… Sepse ka pasur shumë komente që thonë se palestinezët nga Gaza do të sillen në Shqipëri.

 

Gideon Sa’ar: Jo, nuk mendoj se është diskutuar diçka e tillë midis qeverive. Kam marrëdhënie të ngushtë me Kryeministrinë Edi Rama, me ministrin e jashtëm, me dy ish-ministrat e jashtëm. Nuk është diskutuar diçka e tillë midis dy shteteve.

 

Blendi Fevziu: Përpara se t’ju bëj disa pyetje lidhur me sigurinë dhe stabilitetin në Gaza dua t’ju pyes: Shqipëria gjithmonë ka qenë një vend mike e Izraelit sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë holokaustit, shqiptarët mbrojtën të gjithë hebrenjtë që ishin të pranishëm në Shqipëri në atë kohë. Ishte ndoshta i vetmi vend në botë ku popullsia hebre pas Luftës së Dytë Botërore ishte më e lartë se popullsia para luftës. Cila është ndjesia e Izraelit lidhur me këtë gjë?

 

Gideon Sa’ar: E thash edhe gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me ministrin e jashtëm shqiptar. Kjo është diçka që kurrë nuk do ta harrojmë. Nuk e kam thënë vetëm këtu, në Tiranë, e kam thënë disa herë në Jerusalem kur më është dhënë mundësia të flas gjatë Ditës Përkujtimore të Holokaustit ngaqë është diçka shumë unike dhe shumë e vlerësuar që nuk ka për tu harruar. Madje edhe misioni jonë, si hebre, është që kjo gjë të mos harrohet pasi reflekton shpirtin shqiptar, siç e shikoj unë.

 

Blendi Fevziu: Faleminderit për këtë. Zoti Ministër, një vit pas armëpushimit në Gaza, nuk kemi ende një vendim përfundimtar. Çfarë mendoni për këtë gjë?

Gideon Sa’ar: Mendoj se Hamasi duhet të çarmatoset. Mendoj se në zemër të planit të Trump-it ishte çarmatimi i Hamasit dhe fraksioneve të tjera terroriste dhe demilitarizimi i Rripit të Gazës. Kjo është çështja kryesore që duhet trajtuar përpara se të nisim me rindërtimin dhe gjërat e tjera. Problemi është që deri më tani Hamasi refuzon të çarmatoset. Hamasi vijon të ketë pushtet, vijon të mbajë popullin palestinez në Rripin e Gazës nën kontrollin dhe diktaturën e saj brutale e cila përfshin ekzekutime dhe gjëra të tjera.

 

Blendi Fevziu: Dhe nëse Hamasi çarmatoset dhe humbet pushtetin e saj, ju do të vijoni me planin?

Gideon Sa’ar: Po, po.

Blendi Fevziu: Jeni gati për këtë gjë?

 

Gideon Sa’ar: Po. Jo vetëm jemi gati por duam që kjo të ndodh. Prandaj dhe ramë dakord me planin që në fillim. Preferenca jonë është që objektivat tona të përmbushen në rrugë diplomatike ose politike nëse është e mundur. Vijojmë që ti japim një mundësi. Megjithatë, që t’ju them të vërtetën, nga ana e Hamasit nuk kemi parë vullnetin për të bërë diçka të tillë gjatë vitit të fundit.

 

Blendi Fevziu: Zoti Minister, në mediat botërore dhe në opinionin publik, njerëzit mendojnë që në luftën tuaj kundër Hamasit ju keni luftuar po ashtu edhe popullsinë civile në Gaza. Nuk është vetëm vuajtja e Hamasit, por është vuajtja e tërë popullsisë aty.

Gideon Sa’ar: Ne nisëm luftën me Hamasin?! Hamasi nisi luftën në territorin Israelit më 7 tetor. Lejomëni t’jua kujtoj…

 

Blendi Fevziu: Po, e vërtetë…

Gideon Sa’ar: Lejomëni t’jua kujtoj. Izraeli u tërhoq plotësisht nga Rripi i Gazës, përfshirë edhe shpërbërjen e vendbanimeve Izraelite, përfshirë shpërbërjen e bazave ushtarake në 2005. Ajo çka ndodhi ishte që shumë pak kohë më pas, Hamasi mori kontrollin në Rripin e Gazës dhe ndërtoi Mbretërinë Terroriste më të madhe në botë. Pra, Hamasi është përgjegjëse jo vetëm për Izraelin…

 

Blendi Fevziu: Po, Hamasi…

Gideon Sa’ar: Më lini që t’ju përgjigjem, ju lutem. Hamasi është përgjegjëse jo vetëm për viktimat izraelite. Hamasi është përgjegjëse edhe për viktimat palestineze sepse Hamasi këmbënguli për të vijuar luftën për 2 vite. Nëse do ti kishin liruar pengjet tona, pengjet që i morën nga shtretërit e tyre, përfshirë bebe, gra dhe të moshuar. Lufta mund të kishte marr fund shumë më herët. Jo vetëm kaq…

 

Blendi Fevziu: Po, por…

Gideon Sa’ar: Hamasi qëllimisht nisi luftën duke përdorur popullsinë palestineze si mburojë njerëzore. Pra, Hamasi nisi luftën, Hamasi vendosi që të vijonte luftën, Hamasi përdor popullsinë palestineze si mburojë njerëzore dhe ka vendosur në shënjestër popullsinë Izraelite, çka është qartazi krim lufte. Hamasi është përgjegjëse për viktimat nga të dyja palët.

 

Blendi Fevziu: Normalisht, Hamasi është një organizatë terroriste, ndërkohë që Izraeli është një shtet demokratik. Nuk mund ti krahasojmë me njëra tjetrën…

Gideon Sa’ar: Dhe nuk i krahasojmë… Dhe ju nuk duhet ti krahasoni. Kur ne ushtrojmë të drejtën tonë për tu vetëmbrojtur… Ne u sulmuam. Qytetarët tanë u rrëmbyen dhe na u desh që ti shpëtojmë nga këto kafshë. Mund të kishin bërë diçka shumë të thjesht, ngaqë ata ndërtuan një mbretëri nëntokë, nëndhe. Mund të kishin çuar…

 

Blendi Fevziu: Nuk e kishit vënë re përpara diçka të tillë, zoti Ministër?

Gideon Sa’ar: Mund të kishin çuar popullsinë civile e Rripit të Gazës te tunelet dhe të luftonin me ushtarët tanë në sipërfaqe. Pse nuk e bën? Pse fshihen nëntokë dhe ekspozojnë popullsinë civile në këtë luftë? Ata janë për tu fajësuar! Jo Izraeli!

 

Blendi Fevziu: Megjithatë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka lëshuar urdhër-arresti për Kryeministrin e Izraelit për këtë rast…

Gideon Sa’ar: Është një procedurë politike. Është një “gjykatë” politike…

 

Blendi Fevziu: E drejtuar nga kush?

Gideon Sa’ar: Si fillim nga palestinezët…

Blendi Fevziu: Janë aq të fortë palestinezët për të ndikuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë..?

 

Gideon Sa’ar: E dini shumë mirë që në çdo votim të OKB-së, Izraeli është pakicë. Edhe në këtë, të ashtuquajturën “gjykatë”, Izraeli është pakicë ngaqë është krejtësisht e politizuar. Kjo është arsyeja. Ngaqë është e politizuar, shkon kundër vendeve të cilat nuk janë anëtare. Ne nuk jemi vend anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

 

Blendi Fevziu: Po.

Gideon Sa’ar: Nuk e kemi nënshkruar Konventën e Romës, ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj të ashtuquajturës “gjykatë” këtë javë.

 

Blendi Fevziu: Po, e di.

Gideon Sa’ar: Është një gjykatë e cila në vend që të punojë kundër diktaturave, kundër shteteve të cilat nuk respektojnë shtetin e së drejtës, shkon kundër demokracive të cilat zbatojnë të drejtën për tu vetëmbrojtur kundër terroristëve. Është shumë e ashpër. Sot është Izraeli, nesër kush e di kush e ka radhën!

 

Blendi Fevziu: Zoti Ministër, sipas këndvështrimit tuaj, cila është e ardhmja e palestinezëve në Gaza?

Gideon Sa’ar: Shpresoj që do të lirohen nga pushtimi i Hamasit, nga ky regjim brutal i Hamasit. Kanë më shumë se 20 vite që vuajnë. Këtë donim të tregonim kur u tërhoqëm nga Rripi i Gazës përpara 21 vitesh. Fatkeqësisht nuk mendoj se kanë për të shijuar lirinë pasi do të vijojnë të jenë nën sundimin e Hamasit. Nëse Hamasi dhe terroristët e tjerë do të çarmatosen, do të hapim rrugën për normalizimin e marrëdhënieve midis…

 

Blendi Fevziu: Palestinezëve…

Gideon Sa’ar: Midis atyre dhe nesh. Nuk do të ketë pengesa për rindërtimin e gjërat e tjera sepse në të kaluarën këto fraksione terroriste e përdornin rindërtimin për të rritur kapacitetet e tyre.

 

Blendi Fevziu: Besoni në zgjidhje përfundimtare për paqe atje?

Gideon Sa’ar: Më falni?

Blendi Fevziu: Besoni në një zgjidhje përfundimtare për paqe në atë zonë?

 

Gideon Sa’ar: Në fund, paqja është e pashmangshme. Kur do ta arrijmë? Nuk e dimë. Kemi më shumë se 120 vite që po vuajmë. Përfshirë 78 vite që jemi shtet i pavarur, jemi duke vuajtur sepse në rajonin tonë, nëse nuk mundohesh e nuk vuan, nuk mbijeton. Disa na fajësojnë ngaqë jemi shumë të fortë por atyre i them që nëse ne nuk do të ishim të fortë, nuk do të mbijetonim. Kjo është diçka shumë e rëndësishme që ta kuptojë audienca tuaj, mund të jesh viktimë duke u sulmuar dhe të jesh i fortë njëkohësisht.

 

Blendi Fevziu: Normalisht, kemi një problem të madh me Iranin. Siç e dini, çmimet nëpër botë janë duke u rritur. Cili është problemi me Iranin? Mendoni që zgjidhja përfundimtare e problemit aty është ndalimi i programeve bërthamore apo ndryshimi i regjimit?

 

Gideon Sa’ar: Si fillim, ekziston një krizë energjetike por arsyeja e krizës energjetike nuk është vetëm lufta te Gjiri…

Blendi Fevziu: Patjetër, kemi edhe luftën Ukrainë…

 

Gideon Sa’ar:  Është edhe lufta në Ukrainë. Ka dhe arsye të tjera. Sigurisht, lufta ka ndikim tek të gjithë, kudo që të ndodhen. Megjithatë, për sa i përket Iranit, problemi nuk është Irani por regjimi në Iran. Kam frikë që për sa kohë ky regjim do të jetë në krye të Iranit, nuk ka për tu tërhequr nga qëllimi që ka për të krijuar armë bërthamore.

 

Nuk do të tërhiqen së ofruari ndihmë ndaj të gjithë këtyre shteteve terroriste si Hutit, Hesbollah, Hamas. Nuk do të ndalen së radikalizuar komunitetet në Lindjen e Mesme. Në fund, nëse ky regjim mposhtet, kjo mund të ndryshojë për mirë tërë Lindjen e Mesme. Brenda një dite, të gjitha proksit do të dobësohen në mënyrë dramatike. Sigurisht që armët bërthamore janë gjëja më e rëndësishme,  por nuk mund të jesh i sigurt…

 

Blendi Fevziu: Kjo do të thotë se ndryshimi i regjimit është zgjidhja përfundimtare sipas…

Gideon Sa’ar: Në fund, ajo do të jetë garancia afatgjatë. Goditëm kapacitetet e tyre me dy operacione të zhvilluara së bashku me amerikanët.

Blendi Fevziu: Po.

 

Gideon Sa’ar: Megjithatë, ata mund të përpiqen sërish e sërish. Çështja është nëse do të kenë një regjim paqësor i cili dëshiron të ketë marrëdhënie miqësore me vendet e rajonit apo një regjim, i cili ashtu si sot sulmon vendet fqinje, përfshirë edhe fqinjët arab, përfshirë edhe shtetet e Gjirit. Kjo është çështja. Po ashtu, sponsorizimi i të tjerëve si Hutit që sot po bombardojnë Arabinë Saudite.

 

Blendi Fevziu: Po, Arabinë Saudite.

Gideon Sa’ar: Ky është një oktapod. Regjimi iranian është një oktapod. Në fund, ky oktapod duhet të mposhtet. Kur të mposhtet, mendoj se do të kemi një Lindje të Mesme më paqësore dhe më të qëndrueshme.

 

Blendi Fevziu: Dua t’ju pyes… Sipas opinionit tim, në fillim të këtij viti ka pasur shumë kundërshtime brenda Iranit.

Gideon Sa’ar: Po.

 

Blendi Fevziu: Nga opozita, të rinjtë, gjenerata e re të cilët kundërshtuan regjimin i cili u gjend në një pozitë vërtetë të vështirë. Sulmi, bombardimi i Iranit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli e ka ndihmuar qeverinë të ngadalësojë protestat.

 

Gideon Sa’ar: Jo, mendoj se e keni krejtësisht gabim.

Blendi Fevziu: Jeni i sigurt për këtë gjë?

Gideon Sa’ar: 100%

 

Blendi Fevziu: Që do të thotë?

Gideon Sa’ar: Për një arsye shumë të thjesht. Ata masakruan dhjetëra mijëra civilë të tyre…

Blendi Fevziu: Po, patjetër…

 

Gideon Sa’ar: Më 8 dhe 9 janar. Ne i sulmuam jo më herët se 28 shkurti. Çfarë ndodhi nga 9 janari? Nuk kishte më tubime sepse pas vrasjes së qytetarëve të tyre në rrugë dhe nëpër spitale, përfshirë edhe vrasje mjekësh të cilët ishin duke i mjekuar, përfshirë prangosjen dhe burgimin e një numri të jashtëzakonshëm të rinjsh. Kjo ngadalësojë valën e madhe të protestave, jo sulmi nga Izraeli dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan kushte më të mira për ndryshimin e regjimit por pranojmë faktin…

 

Blendi Fevziu: Që…

Gideon Sa’ar: Që qytetarët ende kanë frikë. Kjo frikë i ka rrënjët te masakra e madhe e 8 dhe 9 janarit të këtij viti.

Blendi Fevziu: Folët për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin. Sot, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në të njëjtën linjë për sa i përket paqes me Iranin?

 

Gideon Sa’ar: Jemi aleatë të cilët bashkërendojnë forcat e tyre. Mbështesim përpjekjet e sotme nga amerikanët për izolimin ekonomik në radhë të parë dhe më pas për rrethimit detar. Më shumë se kaq, mbështesim atë çka Sekretari i Thesarit ka promovuar kundër Iranit. I mbështesim këto përpjekje dhe mendoj se janë të qenësishme për të ndikuar ekonominë iraniane.

 

Blendi Fevziu: Kam edhe një pyetje të fundit. Pas luftës në Ukrainë, pas problemeve në Lindjen e Mesme, pas problemeve midis Pakistanit dhe Afganistanit në zona të tjera nëpër botë, mendoni se po vendoset një sistem i ri botëror?

Gideon Sa’ar: Nuk e kuptoj…

 

Blendi Fevziu: Nuk po them rend, sepse rendi është një fjalë e madhe, por diçka është duke ndryshuar në botë?

Gideon Sa’ar: Nëse nuk do të sulmonim Iranin, Irani do të kishte armë bërthamore. Shikoni se çfarë janë duke i bërë fqinjëve pa qenë në 100% e tyre…

Blendi Fevziu: A jeni i sigurt se ishin në gjendje të prodhonin…

 

Gideon Sa’ar: Jo 90% por 100%. Shikoni se çfarë janë duke i bërë fqinjëve të tyre pa ombrellën bërthamore. Imagjinoni se çfarë do të kishin bërë nëse do të kishin armë bërthamore.

Blendi Fevziu: Nga i gjeni të gjitha këto informacionet për Iranin? Bombarduat Ayatollah Khomeini dhe të tjerët në të njëjtën kohë në të njëjtin vend ku ndodheshin…

 

Gideon Sa’ar: Ndoshta kemi inteligjencë të mirë dhe forcë ajrore të mirë.

Blendi Fevziu: Ishte Izraeli apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kishin këtë informacion?

 

Gideon Sa’ar: Ajo çka përshkruat tani ishte një vepër e jona, megjithatë kemi bashkëpunuar me amerikanët në operacionin në tërësi. Mendoj se e kemi demonstruar tashmë se kemi inteligjencë të mirë dhe forcë ajrore të mirë.

Blendi Fevziu: Faleminderit shumë për intervistën!

 

Gideon Sa’ar: Ju lutem!

Blendi Fevziu: Faleminderit shumë, zotëri!

Gideon Sa’ar: Ju lutem! Faleminderit! /tvklan.al

XS
SM
MD
LG