I akuzuar për korrupsion në zgjedhje, kryebashkiaku i Vaut të Dejës paraqitet në GJKKO
Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet të merret vendimi ndaj tij. Shkreli akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje. Seanca e sotme pritet të përcaktojë qëndrimin e gjykatës lidhur me çështjen penale ndaj kryebashkiakut. Ndërkohë, pritet që vendimi i GJKKO-së të bëhet publik në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.
Për çfarë akuzohet Shkreli?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim Kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, nga përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren dhe veprimet e tjera hetimore, ka rezultuar se Shkreli është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë fushatës zgjedhore, Kryebashkiaku i Vaut të Dejës u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë. SPAK bën me dije se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për shqyrtim gjyqësor.