Kuvendi miraton taksat e reja me 80 vota! Rritet TVSH-ja, thuajse dyfishohet tatimi mbi dividendin
Pavarësisht kundërshtimeve të 16 dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit, Kuvendi miratoi me 80 vota pro Paketën Fiskale 2027, ndërsa opozita votoi kundër dhe të gjitha amendamentet e saj u rrëzuan.
Paketa parashikon rritjen e TVSH-së nga 20% në 21%, përgjysmimin e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore dhe rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Gjithashtu, TVSH-ja për strukturat akomoduese rritet nga 6% në 10%, dyfishohet tarifa bazë e taksës vjetore të automjeteve, ndërsa automjetet elektrike do të taksohen me 15 mijë lekë në vit.
Nga ana tjetër, paketa parashikon uljen e TVSH-së në 6% për 14 kategori produktesh ushqimore bazë, heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant dhe lehtësimin e tatimit për një pjesë të pagëmarrësve. Ndërkohë, mazhoranca ka zgjatur deri në fund të vitit 2029 afatin për përfitimin e statusit special nga hotelet dhe resortet me markë ndërkombëtare, që u mundëson përjashtimin 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin.
Opozita paralajmëron se ndryshimet do të rëndojnë mbi bizneset e vogla, profesionistët e lirë dhe konsumatorët, ndërsa qeveria argumenton se paketa synon rishpërndarjen e barrës fiskale. Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet pritet t’i sigurojnë buxhetit të shtetit rreth 40 milionë euro të ardhura shtesë neto.