Freedom House “masakron” Shqipërinë: Nga “Qyno” tek “Xama” përkeqësim i gjendjes së medieve. Partitë s’janë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre
Në kapitullin për Shqipërinë, Freedom House po ashtu vë në dukje përkeqësimin e gjendjes së mediave dhe zvogëlimin e hapësirës të shoqërisë civile. Sipas organizatës, korrupsioni vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në Shqipëri. Vlerësimi i përgjithshëm i organizatës për Shqipërinë mbetet i pandryshuar nga viti i kaluar, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes.Freedom House’ vlerëson përpjekjet e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe veçon rezultatet e hetimeve ndaj figurave politike.
“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vetingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023", thuhet në raport.
Raporti i referohet hetimeve të SPAK-ut ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për korrupsion, për të cilin ai është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe shton se krahu i tij politik “është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë arrestimin e tij lajm të mirëpritur për shumë njerëz.”
Raporti po ashtu citon edhe aktpadinë e SPAK-ut ndaj ish Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për korrupsion dhe lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar pasi ai u largua nga Shqipëria.
Sipas raportit, “pas hetimeve dhe akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës dhe Ahmetajt, si dhe ekspozimit të lidhjeve ndërmjet disa grupeve të krimit të organizuar me biznese, politikanë dhe agjenci të rendit” është vënë re “një fushatë në rritje dezinformimi nga disa portale dhe nga figura të larta politike në qeveri dhe opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut.”
Këto përpjekje të shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, sipas ‘Freedom House’, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre.
“Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhe se është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë", thuhet në raport.
Sipas ‘Freedom House’ “partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë që janë sanksionuar jashtë vendit ose që ballafaqohen me akuza serioze nga SPAK-u.”
Kjo dukuri pjesërisht ka të bëjë me mungesën e demokracisë së brendshme të partive politike dhe paaftësisë së tyre” për t’i dhënë përgjigje kësaj dukurie negative në radhët e tyre.
“Dështimet e brendshme partiake janë bartur në strukturat qeveritare – duke ngjallur armiqësi të shtuar ndaj kritikëve në sektorët e shoqërisë civile dhe mediave – dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të pafavorshëm në gjendjen e përgjithshme të demokracisë në Shqipëri", thuhet në raport.
Në kapitullin për Shqipërinë, organizata ‘Freedom House’ sjell një pasqyrë të zymtë edhe për skenën mediatike. Sipas raportit, një pjesë e madhe e mediave u janë nënshtruar interesave të biznesit dhe atyre politike të pak familjeve, apo kontrollohen nga biznesmenë që blejnë aksione në media për të përfituar kontrata publike në këmbim të raportimit të favorshëm.
Raporti identifikon grupin Top Media, pronë e familjes Hoxha, grupin Klan, pronë e familjes Frangaj, Media Vizion, pronë e familjes Dulaku, G2 Media, pronë të vëllezërve Ulaj, familja Hysenbelliu dhe gazetari italian Carlo Bollino.
Sipas gjetjeve të raportit, kanalet televizive “në pronësi të familjeve Hoxha, Frangaj, Hysenbelliu dhe Bollino patën 86.94 për qind të audiencës televizive në pesë muajt e parë të vitit 2023.”
Disa nga këto kompani mediatike, sipas raportit që u referohet organizatave që identifikojnë pronarët e mediave, marrin subvencione nga qeveria qendrore dhe lokale në këmbim të një mbulimi të favorshëm.
Raporti thotë se “kur mediat bëhen kritike ndaj qeverisë, si në rastin e News 24 të familjes Hysenbelliu, ato përballen me masa ndëshkuese, kërcënime dhe në disa raste gjoba të larta.”
Raporti dokumenton disa raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj gazetarëve në Shqipëri për raportimet e tyre rreth politikanëve të lartë dhe anëtarëve të dyja partive politike.
Nga oranews. tv