Shifrat/ Si u bë parti e tretë PSD e Tom Doshit
Nëse gjatë fushatës së 14 majit tema e “non grata-s” së Berishës zuri një hapsirë të konsiderueshme, surpriza e këtyre zgjedhjeve u bë PSD, partia e një “non grata-je” tjetër. Dhe ndërsa për sanksionin amerikan, që nxiti bojkotin e votuesve ndaj “Bashkë fitojmë”, tani komentojnë të gjithë, për suksesin mararamendës të Tom Doshit, nuk flet pothuajse askush.
Por, mjafton vështrimi i shpejtë i shifrave të votës për këshillat bashkikakë, që ka bërë Lapsi.al, për ta thyer murin e heshtjes. Gjithësej shqiptarët i kanë dhënë afro 90 mijë vota dhe mbi 100 këshilltarë bashkiakë PSD-së.
Kështu në zgjedhjet e kryeqytetit, PSD e Tom Doshit renditet e katërta, direkt pas rithemelimit dhe PD me vulë. Një fakt kurioz përbën ky rezultat po të krahasohen 12796 votat e fituara në Tiranë, me ato të Lëvizjes Bashkë të Arlind Qorit dhe Nismës Thurrje të Endri Shabanit. Ndonëse këto dy parti bënë fushatë, shpalosën idetë e tyre, i shfaqën ato gjatë gjithë kohës me prezencë në media, PSD që nuk dukej askund mori vota pothuasje sa ato të dyja sëbashku. Sipas një analize të BIRN, PSD ka zënë vetëm 0.1% të hapsirës mediatike në emisionet e lajmeve të 18 televizioneve duke u shfaqur gjithëseh 19 minuta e 52 sekonda.
Edhe më interesant është rezultati në bashkinë surprizë të këtyre zgjedhjeve, në Shkodër. Në këtë zonë ku njihet prej kohësh influenca personale e Doshit, PSD ka qenë vendimtare në fitoren e Benet Becit. PSD u rendit e treta me 22.9% duke u rivalizuar, aty aty me Berishën dhe duke lënë shumë më pas PD e vulës. Pra në kryeqendrën e veriut Doshi do të jetë forcë e tretë me plot 12 këshilltarë bashkiakë që mund të kondicionojnë nëse duan të gjithë vendimarjen e kryetarit rilindas.
Ndonëse nuk është përfolur shumë më i çuditshëm është rezultati në Lezhë. Aty PSD renditet forcë e dytë në këshillin bashkiak, duke marrë 4870 vota (14.2%). Diferenca e saj me PS-në është më pak se 3% dhe vetëm bashkimi i votave mes tyre ka sjellën zgjedhjen e Pjerin Ndreut kryetar.
Kulmi arrin në bashkitë e Malësisë së madhe dhe Vaut të Dejës. Mos e besoni po deshët por aty Tom Doshi është më i votuar se Rama, Berisha, apo Alibeaj. Partia e tij renditet e para. Në Malësi të madhe PSD ka marrë 3073 vota ndërsa në Vaun e dejës 4082 duke e renditur PS në të tretën.
Për të besuar tek favoret e Tom Doshit si lideri më popullor nuk kanë munguar të votojnë as pukianët. Në Pukë PSD ka gati dyfishin e votave të PS.
Ata që mendojnë se surprizat përfundojnë në veri do të mbeten të zhgënjyer. Kështu në hambarin e kuq të socialistëve, në Fier, falë delegimit të veçantë të lidershipit, PSD është renditur e treta pas dy të mëdhenjve, duke lënë pas edhe Alibeajn që e ka zonën e tij tradicionale këtë bashki. Tom Doshit i kanë besuar 4668 fierakë (9.2%).
Përjashtim nuk përbën as qyteti i luleve, Përmeti. Aty njerëzit e butë të këtij qyteti e kanë preferuar politikanin e fortë nga veriu përpara Berishës dhe PD-së së vulës. PSD ka marrë 535 vota (9%).
Pra PSD e Tom Doshit ka dalë e para në disa bashki duke kontrolluar palralmentet lokale të qyteteve, ajo ka pasur rol vendimtar në disa të tjera për zgjedhjen e kryebashkiakut dhe ka mposhtur partitë e reja me vizibiltet, program serioz dhe ide në kryeqytet. Kjo e shndërron automatikisht Tom Doshin si politikanin më influent në vend, pas Ramës dhe Berishës.
Që të nesërmen e zgjedhjeve Lapsi.al e pati paralajmëruar (shiko linkun këtu lart) zbehejen e debatit fallco që imponon me pahir në studiot televizive një pjesë e vogël e kastës: atij midis pro amerikanëve dhe “non gratave”. Vota masive pro ish partisë historike të Skënder Gjinushit, e cila u rrit me 2.4 herë në raport me 2021, e ka mbyllur turpshëm këtë kapitull. Sepse zgjedhjet në Shqipëri kanë probleme krejt të ndryshme nga ato që servir propaganda e pushtetit.
©Lapsi.al