Lidhje


Vdiq në rrugë pas mësimit: historia prekëse e mësuesit-myezin që sakrifikoi gjithçka për 2 nxënës

 

Një histori e dhimbshme dhe tronditëse ka prekur opinionin publik, pas ndarjes nga jeta të mësuesit Alban Bejleri, i cili humbi jetën si pasojë e një infarkti, vetëm pak momente pasi kishte përfunduar mësimin në një fshat të thellë të Maliqit. 55-vjeçari, me mbi 30 vite përvojë në arsim, u gjet pa shenja jete në rrugë, teksa po kthehej nga puna, në një realitet të përditshëm sakrifice që ai e përballonte në heshtje.

 

Prej afro pesë vitesh, mësuesi nga Bilishti ishte i detyruar të udhëtonte çdo ditë në kushte të vështira për të dhënë mësim vetëm për dy nxënës në fshatin Marjan. Ai përshkonte rreth 22 kilometra me makinë deri në Lozhan dhe më pas vazhdonte edhe 8 kilometra të tjera në këmbë, për shkak të rrugës së amortizuar. Kjo do të thotë se çdo ditë ai bënte dhjetëra kilometra, në shi, borë apo vapë, duke e kthyer profesionin në një mision të vërtetë sakrifice.

 

Familjarët dhe të afërmit hedhin akuza të forta ndaj institucioneve arsimore, duke theksuar se nuk u mor parasysh gjendja e tij shëndetësore, pasi ai vuante nga diabeti dhe kishte kërkuar transferim më pranë familjes. Sipas tyre, kërkesat e tij nuk u dëgjuan dhe ai u detyrua të vazhdonte këtë rutinë të rëndë deri në fund.

 

“Vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh. Mos u tallni me shëndetin e njerëzve”, shprehet me dhimbje xhaxhai i tij, duke theksuar se Albani ishte një njeri i përkushtuar, fjalëpakë dhe model për të gjithë.

 

Edhe kolegët e përshkruajnë si një mësues të jashtëzakonshëm, që nuk u ankua kurrë për vështirësitë, pavarësisht lodhjes fizike dhe kushteve të rënda. Ai nisej çdo mëngjes herët dhe kthehej vetëm pasi përfundonte misionin e tij, duke i konsideruar nxënësit “si fëmijët e tij”.

 

Por historia e tij nuk mbaron vetëm te profesioni. Alban Bejleri ishte gjithashtu një besimtar i devotshëm dhe shërbente si myezin, duke thirrur besimtarët për falje dhe duke jetuar prej dekadash sipas parimeve të fesë islame. Sipas të afërmve, ai ishte prej rreth 30 vitesh i përkushtuar në praktikimin e fesë, një njeri i rregullt me pesë kohët e namazit dhe me një edukatë që linte mbresa te të gjithë ata që e njihnin.

 

Ai ndërroi jetë i vetëm, në rrugë, duke u kthyer nga puna – një fund tragjik për një njeri që jetoi në heshtje, pa kërkuar asgjë për vete, por duke dhënë gjithçka për të tjerët.

 

Vdekja e tij mbetet një dëshmi e fortë e sakrificës së padukshme të mësuesve në zonat e thella, por edhe një thirrje e drejtpërdrejtë për institucionet që të reflektojnë mbi kushtet në të cilat punojnë ata që mbajnë gjallë arsimin në çdo cep të vendit.

XS
SM
MD
LG