La Repubblica: Është i çmendur apo bën?
Nga Enrico Franceschini - La Repubblica
Deklaratat e fundit të presidentit amerikan në kuadër të konfliktit në Lindjen e Mesme kanë alarmuar edhe mbështetësit republikanë. Madje ka nga ata që kërkojnë përdorimin e Amendamentit të 25-të për ta larguar nga detyra. Por ka edhe nga ata që dyshojnë se mund të jetë thjesht një taktikë.
“Është apo bën sikur”, nga Kaligula te Trump: çfarë është dhe si funksionon teoria e liderit të çmendur
“Një mbret i çmendur, thellësisht i sëmurë”: kështu Candace Owens, një nga podkasteret e djathta më të njohura në Amerikë, e përshkruan Donald Trump pas kërcënimeve apokaliptike, të shoqëruara me fjalor të rëndë, që presidenti i ka drejtuar Iranit ditët e fundit. “Është psikotik, ka nevojë për ndihmë”, pajtohet deputeti demokrat Jim McGovern dhe edhe mes republikanëve ka shenja shqetësimi për qëndrimin gjithnjë e më irracional të mbajtur nga kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë luftës.
Atij që bën thirrje për përdorimin e Amendamentit të 25-të të Kushtetutës, sipas të cilit presidenti mund të shkarkohet nëse jep shenja paaftësie mendore, mbështetësit e tij i përgjigjen se ajo e Trump është vetëm një taktikë: ai bën sikur është i çmendur, por nuk është aspak i tillë; pra do të ishte një interpretim për të ngatërruar dhe frikësuar kundërshtarët, një qëndrim i treguar edhe në raste të tjera, nga konflikti në Ukrainë te lufta e tarifave. Megjithatë, opinioni mbizotërues i historianëve është se një lider që bën sikur është i çmendur, apo që është vërtet i tillë, në të dy rastet dëmton vendin e tij dhe kontribuon vetëm në krijimin e paqëndrueshmërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke vënë në rrezik gjithë botën.
Nga Machiavelli te Nixon
Në Shtetet e Bashkuara “madman theory”, teoria e të çmendurit, daton që nga presidenca e Richard Nixon, megjithëse një koncept i ngjashëm qarkullonte prej shekujsh. I pari që e formuloi ishte Niccolò Machiavelli, në librin “Diskurse mbi Tit Livin”, botuar në vitin 1531, ku autori i “Princit” pohon: “Nganjëherë është e mençur të simulohet çmenduria”. Nganjëherë, thekson megjithatë Machiavelli: jo vazhdimisht.
Një zgjedhje që Nixon e ktheu në doktrinën e tij politike, duke i besuar shefit të stafit H. R. Hadelman gjatë luftës në Vietnam: “Unë e quaj teoria e të çmendurit. Dua që vietnamezët e veriut të besojnë se kam arritur në një pikë ku do të bëj çdo gjë për t’i dhënë fund luftës. Do të bëjmë që të përhapet ideja se Nixon është i fiksuar pas komunizmit, se kur zemërohet nuk mund të kontrollohet dhe ka gishtin mbi butonin bërthamor. Brenda dy ditësh Ho Chi Min (udhëheqësi i Vietnamit të Veriut komunist, shën. red.) do të vijë në Paris (ku ishin planifikuar negociatat, shën. red.) duke lutur për paqe”.
Nuk funksionoi: në Paris u nënshkrua një paqe që në fakt u lejoi vietnamezëve të veriut të vazhdonin luftën dhe ta fitonin atë, duke pushtuar Vietnamin e Jugut dhe duke i shkaktuar Amerikës një humbje ushtarake që ka rënduar për një kohë të gjatë mbi identitetin e Uashingtonit, duke kontribuar, së bashku me skandalin e përgjimeve të paligjshme të njohur si Watergate, në fitoren e demokratit Jimmy Carter në zgjedhjet presidenciale të vitit 1976.
Ekuilibri i MAD
Ideja e “madman theory” ishte të bindte liderët e vendeve komuniste, ose në përgjithësi armiqtë, se presidenti është irracional dhe i paqëndrueshëm, në mënyrë që ata të shmangin provokimin e SHBA-së nga frika e një reagimi të paparashikueshëm. Logjika është se pamja e irracionalitetit i bën të besueshme edhe kërcënimet jo të besueshme.
Jo rastësisht, në epokën e Luftës së Ftohtë, ekuilibri mes dy superfuqive, SHBA dhe BRSS, mbështetej mbi konceptin e MAD (Mutually Assured Destruction – shkatërrim i sigurt reciprok, por në anglisht do të thotë edhe “i çmendur”): kërcënimi për përshkallëzim deri në përdorimin e armëve bërthamore nga një lider racional mund të duket i pabesueshëm, sepse do të çonte në shkatërrim të ndërsjellë, pra në vetëvrasje; ndërsa një kërcënim vetëvrasës nga një lider i çmendur mund të besohet.
Përmendet në këtë drejtim urdhri i Nixon për të bërë që tetëmbëdhjetë bombardues bërthamorë të fluturonin për tre ditë përgjatë kufijve të BRSS. Por as kjo lëvizje nuk pati efekt konkret, madje mbetet shumë e diskutueshme. Nuk është rastësi që sukseset më të mëdha të presidencës Nixon ishin negociatat me liderin sovjetik Leonid Brezhnev për kufizimin e armëve bërthamore dhe hapja ndaj Kinës me udhëtimin në Pekin për të takuar Mao, dy lëvizje në emër të dialogut (dhe, në rastin e dytë, të “divide et impera”, duke ndarë dy vendet më të mëdha komuniste, BRSS dhe Kinën), të ndërtuara nga aftësia diplomatike e Henry Kissinger, këshilltar dhe më pas sekretar shteti i Nixon, jo nga kërcënime irracionale. Vetë ideja e MAD ishte se duhej të ishe i çmendur për të nisur një luftë bërthamore: për këtë arsye as një president amerikan dhe as një lider sovjetik nuk do ta bënte kurrë. Nixon nuk ishte i çmendur, por herë pas here donte të dukej i tillë: dhe kështu vuri në rrezik presidencën dhe reputacionin e tij.
Saddam, Gaddafi dhe Putin
Opinioni dominues është se të gjithë liderët që kanë përdorur “teorinë e të çmendurit”, nga Nixon te lideri sovjetik Nikita Krusciov, nga irakiani Saddam Hussein te libiani Muammar Gaddafi, nuk arritën rezultatet e dëshiruara: Krusciov përfundoi duke humbur pushtetin, i rrëzuar nga një grusht shteti i brendshëm, i akuzuar ndër të tjera për irracionalitet; Saddam dhe Gaddafi vdiqën, i pari i varur, i dyti i masakruar, nga vetë popujt e tyre.
Me kërcënimet e tij për të përdorur bomba bërthamore taktike kundër Ukrainës nëse siguria kombëtare ruse do të ishte në rrezik, edhe Vladimir Putin jep ndonjëherë përshtypjen se është i çmendur ose dëshiron të duket i tillë. Në përgjithësi, ai duket më shumë si një lojtar shahu, që sulmon ose tërhiqet në varësi të situatës. Është e vërtetë që ndonjëherë lë të dyshohet për shëndetin e tij mendor, si kur e quan “nazist” presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, hebre, bir hebrenjsh të vrarë në kampet e përqendrimit të Hitlerit. Por teprimet e tij duken më shumë të lidhura me ndjesinë e gjithpushtetshmërisë së liderëve që kanë qëndruar shumë gjatë në pushtet – ai prej gati 26 vitesh – të rrethuar nga servilë që u japin gjithmonë të drejtë dhe nuk guxojnë t’i kundërshtojnë.
Të çmendurit e vërtetë
Ndryshe është rasti i liderëve që gjatë historisë janë treguar vërtet të çmendur ose të paktën të prekur nga çrregullime serioze mendore. Ka rastet e njohura të të paktën dy perandorëve romakë: Caligula emëroi senator kalin e tij dhe ishte i bindur se konsultohej me Jupiterin; Neroni dogji Romën për të gjetur frymëzim ndërsa luante në lirë.
Mbreti Charles VI i Francës, që trashëgoi fronin në vitin 1380 në moshën 11-vjeçare, mendonte se ishte prej qelqi, kishte ndoshta çrregullime gjenetike që e çuan në skizofreni dhe sulmonte këshilltarët e tij me shpatë. Sulltani Ibrahim I, që sundoi Perandorinë Osmane nga viti 1640 deri në 1648, ushtronte qitje me hark mbi shërbëtorët e tij: jo më kot quhej “I irrituari” ose “I çmenduri”.
Për mbretin George III të Anglisë u tha se jo vetëm humbi kolonitë amerikane me luftën e pavarësisë së vitit 1776, por përfundoi duke humbur mendjen, duke dhënë shenja të dukshme çmendurie. Në Kinën e shekullit XIX, perandori Hong Xiuquan, udhëheqës i rebelimit Taiping të vitit 1851, pretendonte se ishte vëllai më i vogël i Jezusit.
Për Idi Amin, ish-kuzhinier i ushtrisë që u bë president i Ugandës, thuhej se ishte aq i çmendur sa hante fëmijë, megjithëse në rastin e tij çmenduria ndërthuret me mizorinë: një përzierje e zakonshme për diktatorë të tjerë, si cari Ivan i Tmerrshëm, që verboi arkitektin e katedrales së Shën Vasilit pasi e lavdëroi, që ai të mos ndërtonte më kurrë diçka kaq të bukur.
Mizoria dhe paranoja ndërthuren edhe në sjelljet e Hitlerit dhe Stalinit, veçanërisht në fund të jetës së tyre, si dhe te lideri kamboxhian Pol Pot, autor i masakrave të mëdha të Khmerëve të Kuq, i vendosur të “zbrazte qytetet”, duke i konsideruar ato vatër të intelektualizmit. Një rast tipik i pushtetit që i “hipën në kokë” dikujt është ai i Saparamurat Nyazov, president i përjetshëm i Turkmenistanit pas rënies së BRSS, i cili ndërtoi një kult personaliteti duke riemërtuar ditët e javës me emrin e tij dhe duke ngritur statuja të arta të vetes deri në 40 metra të larta.
Problemi i “teorisë së të çmendurit”
Stephen Walt, historian në Shkollën e Qeverisjes në Universitetin e Harvardit, thotë se rastet kur kjo teori ka funksionuar janë shumë të rralla dhe afatshkurtra: në planin afatgjatë ajo është gjithmonë kundërproduktive.
“Cilatdo qofshin përfitimet e përkohshme në politikën e jashtme, të lësh përshtypjen se një lider është i çmendur ka kosto të mëdha të brendshme që zhdukin çdo efekt pozitiv”, paralajmëron ai.
“Bilanci historik tregon se taktikat e liderit të çmendur nuk rrisin parandalimin dhe as nuk sjellin avantazhe në negociata”, pajtohen politologët Samuel Seitz dhe Caitlin Talmadge: efekti është krijimi i hutimit tek aleatët, pasiguri në popullsinë e vet dhe mosbesim nga kundërshtarët.
Pala tjetër ka frikë se, edhe nëse nënshkruan një marrëveshje paqeje apo një traktat tregtar, lideri “i çmendur” nuk do ta respektojë, do të sulmojë sërish, do të shkelë marrëveshjen. Nëse jep një ultimatum dhe nuk e zbaton, nëse kërcënon apo premton dhe nuk e mban fjalën, humbet besueshmërinë – dhe për një lider kjo është gjithçka.
👉 Të bësh sikur je i çmendur, për një lider dhe për vendin e tij, është po aq e dëmshme sa të jesh vërtet i çmendur.