Të "shfajësosh" çetën personale të hajdutëve me "përralla" nga e kaluara/Rama e gjen origjinën e hajdutëve të tij në perandorinë otomane
U bënë shumë kohë që Edi Rama jeton me një ankth: si të vazhdojë të mbajë predikime publike ndërkohë që në çetën e vet zbulohen hajdutët njëri pas tjetrit. Si mund të justifikohet kur përditë flitet për 130 milionë eurot e një inceneratori që nuk i gjenden as gjurmët, për koncesionet në shëndetësi, protagonistët e të cilëve kanë përfunduar në burg, apo për një skandal si ai i 5D, ku fondet e buxhetit të bashkisë, derdheshin në arkën e kompanisë private të drejtuesve të saj.
Në fjalimin më të gjatë të karierës së tij, në mbi 2 orë, ai është rekur të ngrejë një alibi. Teza e tij është se sot po vidhet ngaqë ky është një vend historikisht i korruptuar, që hajdutësinë e ka të tarashëguar. Në monologun alla Fidel Kastro (ndonëse ky i fundit mund të tronditet në varr për këtë krahasim), ku një herë sillej si kampion i luftës kundër korrupsionit dhe herën tejetër si lektor seminaresh për historikun e tij, kryeministri i kërkoi shekuj më parë, rrënjët e sëmundjes që po vret pushtetin e tij.