Lidhje


Në përkrahje dhe në mbrojtje të kauzës së drejtë palestineze…!/ Gaza, dhe, fillimi i ‘epokës post-njerëzore’!!!

Nga Sali Shasivari/Në Gaza të Palestinës po ndodh 'apokalipsi'…!
 
Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajë barbarinë, tmerrin, terrorin, masakrat, krimin kundër njerëzimit, dhe gjenocidin kolektiv ndaj një popullate të tërë…!
Përreth mbi 25 mijë grave dhe fëmijëve të vrarë dhe masakruar vetëm përgjatë pesë muajve të gjenocidit të fundit izraelit në Gaza, gjenocid ky i cili po vazhdon me një ritëm të përshpejtuar…; tashmë kemi filluar të dëgjojmë për dhjetëra fëmijë, gra, dhe pleq të cilët vdesin për çdo ditë nga uria, si rezultat i bllokadës cioniste dhe indiferencës së faktorëve tjerë relevantë, si dhe i dhjetëra të rinjve dhe burrave të cilët ekzekutohen pabesisht duke pritur të pranojnë disa ndihma minimale ushqimore nga ndihmat e pakta humanitare që depërtojnë në Gaza…!
 
 
Nuk kujtoj të ketë ndodhur masakër e këtyre përmasave në historinë më të re, ku, një grusht njerëzish, të izoluar për vite dhe dekada, t’i nënshtrohen një lufte shfarrosëse të këtyre përmasave; luftë kjo, në të cilën, pjesmarrëse është e gjithë bota, edhe atë, disa sosh prej tyre në mënyrë aktive, ndërsa disa të tjerë në mënyrë pasive…!
 
Është kjo ‘luftë botërore’ me plotë kuptimin e fjalës, me ç’rast, një popullatë që numëron rreth 2 milion banorë, dhe, që jeton e okupuar, e shtypur, e persekutuar, dhe e izoluar për vite ‘në burgun më të madh me qiell të hapur’ që njeh historia, po i nënshtrohet një makinerie shfarrosëse të përmasave sionisto-ndërkombëtare…; ‘makineri’ kjo, e cila, përpos gjitha djallëzive politiko-ekonomike dhe propagandistiko-diplomatike, si dhe gjitha llojeve të armëve konvencionale dhe jo-konvencionale…; e njejta, edhe ujin, bukën, dhe barërat i ka shndërruar në ‘armë të shkatërrimit në masë’!
 
Ajo që është tejet simptomatike dhe indikative, është fakti se, kjo barbari, ky tmerr, ky terror sistematik, këto masakra, ky krim kundër njerëzimit, dhe ky gjenocid kolektiv, po dokumentohet dhe po transmetohet vazhdimisht ‘live’ përmes rrjeteve të komunikimit modern… Por, megjithatë, e gjithë kjo kalon pa u hetuar karshi vetëdijes së kontaminuar të njerëzimit të ‘epokës post-të-vërtetës’, zemrës së gurëzuar të njerëzimit të ‘epokës post-industriale’, ndërgjegjes së vdekur të njerëzimit të ‘epokës post-moderne’, si dhe ‘shpirtit inekzistent’ të njerëzimit të ‘epokës pa-fe dhe pa-Zot’…!
 
S'do mend se, karshi një tragjedie të këtillë njerëzore të përmasave apokaliptike, jemi përgjegjës të gjithë ne, si individë dhe si kolektive, pa dallim race, feje, kulture, apo etnie…; kush më shumë e kush më pak…!
 
Megjithatë, përgjegjësia më e madhe bie mbi të gjithë ata të cilët pretendojnë se janë ‘bartës të civilizimit aktual “modern” botëror’…!
Është pikërisht ‘bota perendimore’ ajo e cila e mban përgjegjësinë kryesore karshi një tragjedie të përmasave të këtilla…; edhe atë, jo vetëm në saje të faktit se, janë pikërisht ato që e krijuan një ‘monstër’ të këtillë gjakpirës tashmë më se një shekull më parë, por, ngase, të njejtat ‘fuqi’, janë pjesmarrëse direkte apo indirekte në gjithë këtë tragjedi…!
 
Kështu, duke marë parasyshë faktin se, këto ‘fuqi’, jo vetëm që nuk po e frenojnë ‘qenin e tyre të tërbuar’…, duke penguar çdo iniciativë ‘armëpushimi’ përmes ‘Vetos’ së tyre famëkeqe, por, të njejtat, vazhdojnë ta ‘ndërsejnë’ ‘gogolin’ e tyre ndaj viktimës, duke e përkrahur me të gjitha format e mundshme politike, ekonomike, ushtarake, me armatim, etj.; një realitet i këtillë i shëmtuar dhe i ‘pështirë’, të bën të kuptosh se, këta ‘pretendentë të qytetërimit bashkëkohor’ janë po të njejtit ‘barbarë’ të dikurshëm, të cilët, gjithë mirëqenien dhe ‘krenarinë’ e tyre fallco e ndërtuan mbi gjakun, kafkat, dhe kockat e të tjerëve…!
Andaj, ata mund të flasin për gjithçka tjetër, përpos për ‘vlera’, ‘moral’, ‘liri’, ‘drejtësi’, ‘demokraci’, dhe ‘të drejta të njeriut’…!
 
Është pikërisht kultura dhe civilizimi i tyre ai që ‘polli’ dhe ‘plasoi’ ideologjitë më shkatërrimtare që njeh bota, duke filluar me ideologjitë famëkeqe të llojit ‘inkuizicion’, ‘kryqëzata’, ‘kolonizim’, ‘ekspedita’, ‘nacionalizëm’, ‘sionizëm’…; duke kaluar përmes ideologjive ogurzeza të llojit ‘evolucion’, ‘marksizëm’, ‘socializëm’, ‘komunizëm’, ‘kapitalizëm’, ‘materializëm’, ‘ateizëm’, ‘fashizëm’, ‘nazizëm’, etj. …; e duke mbaruar me ideologjitë më të reja të llojit ‘ekzistencializëm’, ‘nihilizëm’, eugjenizëm’, ‘hedonizëm’, ‘satanizëm’, ‘luftë e ftohtë’, etj. …!
 
Këto ‘fuqi’ dhe ‘aktorë’, të cilët ‘pollën’ dhe ‘plasuan’ gjithçka që ka të bëjë me ‘ide apokaliptike’ të llojit ‘vdekja e Zotit’, ‘ndeshje civilizimesh’, ‘fundi i botës’, etj. …; është mirë që ta pranojnë - një herë e përgjithmonë - ‘vdekjen e arsyes, zemrës, ndërgjegjes, dhe shpirtit të tyre’…, ‘ndeshjen e apetiteve, epsheve, interesave, dhe sadizmit të tyre me gjithçka humane dhe njerëzore’…, si dhe, ‘fundin e “njerëzishmërisë” së tyre’, nëse ka mbet diç prej saj…!
 
Kjo, me qëllim që, fjalorit të ciklit të kulturës dhe civilizimit të tyre ogurzi, përreth shumë termeve tjera të llojit ‘post-industrializëm’, ‘post-modernizëm’, ‘post-të-vërtetës’, etj., t’i shtohet edhe termi famëkeq ‘post-njerëzi’…!!!
 
Mbase, civilizimet e këtij soji ‘vdesin nga vetëvrasja, jo përmes vrasjes’, siç pohoi dikur historiani dhe filozofi anglez, Arnold Toynbee!
 
 
XS
SM
MD
LG