Organizata e serbëve osmanllinj: ose si e shfrytëzuan serbët Revolucionin Xhonturk kundër shqiptarëve
Monday, 11 March 2024 11:45
Nga Hasan Bello/Në fund të shek.XIX-të dhe në fillim të shek.XX-të në Perandorinë Osmane ndryshe nga shqiptarët kombësia serbe gëzonte disa të drejta specifike, siç ishte e drejta për tu arsimuar në gjuhën amtare dhe organizimi mbi bazën e komunave kishtaro-shkollore që financoheshin direkt nga Serbia.
Revolucionin xhonturk të vitit 1908 popullsia serbe e shfrytëzoi për zgjerimin e organizatave dhe rrjetit shkollor; për ngritjen e shtypshkronjave, botimin e revistave dhe gazetave, të cilat kishin si qëllim forcimin e hegjemonisë së tyre te shqiptarët, bullgarët, grekët dhe pakicat e tjera në pjesën europiane të Perandorisë Osmane.
Për konsolidimin e kësaj politike në përputhje me rrethanat e reja, përfaqësuesit e komunitetit serb në vilajetin e Selanikut, Manastirit dhe Kosovës organizuan në Shkup nga data 23-26 gusht 1908 një mbledhje të përbashkët. Kjo u realizua me miratimin e Komitetit të partisë “Bashkim dhe Përparim”, që përpiqej t`i përdorte të gjitha kombësitë për interesat e veta.
Në këtë mbledhje u krijua “Organizata Popullore Serbe e serbëve osmanllinj”, e cila kishte degët e saj në vilajetet e përmendura dhe organinin e saj, gazetën “Vardar”, që dilte në Shkup. Kjo organizatë kishte si qëllim që me mbështetjen e Beogradit t`i impononte qeverisë osmane njohjen zyrtare të kombësisë serbe; të rriste numrin e nënpunësve serbë në administratën shtetërore osmane dhe në zgjedhjet parlamentare të nxirrte kandidatët e vet. Nga ana tjetër, ajo synonte që nëpërmjet tyre t`i nxiste xhonturqit për të çarmatosur popullsinë shqiptare në Kosovë, duke e konsideruar këtë si një masë të domosdoshme për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Në fakt, ajo kishte si qëllim që ushtrinë dhe administratën osmane ta përdorte kundër shqiptarëve. Këto veprime ishin në përputhje me politikën e jashtme të Serbisë, e cila drejtonte në prapaskenë këtë organizatë.
Drejtuesit e organizatës të serbëve osmanllinj në bashkëpunim të ngushtë me konsujt e Serbisë në Prishtinë, Shkup dhe Selanik ndërmorën disa takime me përfaqësuesit e Komitetit Xhonturk dhe disa nënpunës të lartë të administratës osmane. Më 19 shtator 1908, në Shkup ndërmjet tyre u arrit në një marrëveshje e përbashkët, sipas së cilës, organizata serbe do të kishte deputetët e saj në sanxhakun e Shkupit, Prishtinës dhe Prizrenit. Prandaj ajo nuk kishte nevojë fare të zhvillonte fushatë elektorale. Për të arritur këtë objektiv ajo duhej të mbështeste kandidatët e Komitetit Xhonturk dhe nga ana tjetër të pengonte nacionalistët shqiptarë.
Veprimtaria e serbëve osmanllinj u shtri edhe në drejtim të propagandës, duke përdorur organet e saj të shtypit. Komandanti i ekspeditës ushtarake, Xhavit Pasha që erdhi në Kosovë për të vendosur rendin, e arsyetonte aksionin dhe masat represive ndaj popullsisë shqiptare gjoja me pozitën e vështirë të serbëve. Ministria e Jashtme në Beograd i justifikonte veprimet e tij me “zullumin e arnautëve” kundër elementit serb.
Organizata e serbëve osmanllinj i përdori organet e saj dhe influencën që kishte te xhonturqit për ta ndezur akoma më shumë zjarrin që shpërtheu kundër alfabetit të gjuhës shqipe dhe patriotëve shqiptarë.
Intriga politike dhe diplomatike serbe për ta instrumentalizuar Revolucionin Xhonturk dhe qeverinë osmane kundër kombit shqiptar në vitet 1908-1912 funksionoi. Një rol për këtë ka luajtur edhe organizata e serbëve osmanllinj dhe komuniteti serb në Kosovë, Shkup dhe Selanik.