Lidhje


Dy kuaj Troje të sistemit? Kur rebelimi i kontrolluar shërben më shumë pushtetin sesa opozitën

Një nga aftësitë më të mëdha të pushtetit nuk wshtë të mposhtë kundërshtarët, por t'i përvetësojë ata. Regjimet e forta nuk kanë frikë nga protestuesit që sulmojnë portat, kanë frikë nga ata që arrijnë të zgjojnë ndërgjegjen e shoqërisë. Pikërisht për këtë arsye, shpeshherë pushteti nuk i lufton lëvizjet popullore vetëm me forcë, por edhe me infiltrimin, përthithjen dhe kontrollin e tyre nga brenda.

 

Në këtë prizëm duhen parë edhe figurat që sot shfaqen si "kritike" të Edi Ramës, por që në momentet vendimtare vazhdojnë të mbeten pjesë e mekanizmit të tij politik.

 

Elisa Spiropali është shembulli më i qartë. Pas më shumë se një dekade si një nga mbrojtëset më agresive të Ramës, sot ajo shfaqet si zë kritik, duke sfiduar publikisht kryeministrin me formulën "Më përjashto". Por pyetja është e thjeshtë: kur ka qenë ndonjëherë e rrezikshme për Ramën? Sepse historia e Partisë Socialiste tregon se kundërshtarët realë nuk debatojnë gjatë. Ata largohen, margjinalizohen ose zhduken politikisht. Vetë Rama ka toleruar deklaratat e Spiropalit duke thënë se ajo nuk ka kaluar ende "vijën e kuqe". Një luks që rrallë u është ofruar kritikëve të vërtetë të pushtetit.

 

Por më domethënës është rasti i Marjana Koçekut.

 

Emri i saj lidhet me protestën studentore të vitit 2018, ndoshta lëvizjen më autentike qytetare që ka njohur Shqipëria pas shumë vitesh. Ajo protestë ishte e veçantë sepse refuzoi partitë politike, refuzoi liderët dhe refuzoi dialogun e imponuar nga pushteti derisa kërkesat të plotësoheshin.

 

Megjithatë, me kalimin e viteve, Koçeku u bë një figurë e integruar në sistemin politik që dikur pretendonte se kundërshtonte. Pikërisht këtu lind dyshimi i madh që e ndjek edhe sot: a ishte ajo pjesë e një brezi që u përthith nga pushteti apo një nga instrumentet që ndihmoi në kanalizimin dhe neutralizimin e energjisë së asaj proteste?

 

Sot, sa herë emri i saj rikthehet në skenën publike, rikthehen edhe dyshimet. Në diskutimet publike dhe rrjetet sociale, shumë qytetarë e identifikojnë atë si simbol të infiltrimit të protestave nga politika, ndërsa të tjerë e konsiderojnë rikthimin e saj si një përpjekje për të fituar besimin e një lëvizjeje të re qytetare. Këto janë perceptime publike, jo fakte të provuara, por vetë ekzistenca e këtij perceptimi tregon krizën e besimit që shoqëria shqiptare ka ndaj figurave që dalin nga sistemi dhe papritur paraqiten si kundërshtare të tij.

 

Në fund, problemi nuk është as Spiropali dhe as Koçeku si individë. Problemi është modeli politik që ka ndërtuar Edi Rama. Një model ku kritikët më të zhurmshëm vazhdojnë të jenë brenda sistemit, ndërsa kundërshtarët e vërtetë përfundojnë jashtë tij. Një model ku rebelimi shpesh lejohet, por vetëm deri në pikën ku nuk rrezikon pushtetin.

 

Dhe kjo është arsyeja pse shqiptarët janë bërë skeptikë. Ata nuk pyesin më nëse një figurë është kundër Ramës. Ata pyesin diçka më të rëndë: nëse kundërshtimi i saj është real apo thjesht një rol i ri në të njëjtën skenë të vjetër.

 

Sepse kali i Trojës nuk duket si armik. Ai hyn në qytet duke u paraqitur si shpëtimtar.

XS
SM
MD
LG