Lidhje


Kur urrejtja ndaj fesë bëhet normale: Vrasja e imamit në Dragash dhe heshtja përballë islamofobisë

Vrasja me thikë e imamit të fshatit Zlipotok në Dragash, Gazmend Tahirovci, tronditi opinionin publik në Kosovë. Deri tani, autoritetet dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame kanë bërë të ditur se, sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një konflikti privat dhe jo për shkak të detyrës së tij si imam. Hetimet vijojnë dhe motivi zyrtar mbetet objekt i drejtësisë.


Përtej motivit që do ta përcaktojë drejtësia, reagimet e një pjese të opinionit publik ngritën një pyetje shqetësuese: si është e mundur që vrasja e një njeriu të shoqërohet me komente përçmuese vetëm sepse ai ishte imam, musliman?

 

Mjaftoi publikimi i lajmit që në rrjetet sociale të shfaqeshin komente tallëse, fyese dhe përçmuese vetëm për faktin se viktima ishte imam. Edhe nëse këto komente nuk përfaqësojnë shumicën e shoqërisë, vetë fakti që ato shprehen kaq hapur tregon se një pjesë e opinionit publik e konsideron të pranueshme gjuhën e urrejtjes ndaj besimtarëve dhe figurave fetare myslimane.

 

Ky është problemi i vërtetë.

 

Historia na mëson se dhuna fizike rrallëherë lind në vakum. Shumë shpesh ajo paraprihet nga një proces i gjatë demonizimi, etiketimi dhe çnjerëzimi. Fillimisht sulmohet identiteti, pastaj dinjiteti dhe kontributi i një grupi; vetëm më pas, në raste të caktuara, shfaqet dhuna fizike. Kjo nuk do të thotë se komentet shkaktojnë drejtpërdrejt një krim të caktuar, por se normalizimi i gjuhës së urrejtjes krijon një klimë shoqërore ku paragjykimi bëhet i zakonshëm. Edhe studimet mbi gjuhën e urrejtjes në internet kanë vërejtur se ngjarjet e dhunshme shpesh shoqërohen me rritje të diskursit urrejtës në rrjete sociale.

 

Pikërisht kjo duhet të na alarmojë.

 

Prej vitesh, një pjesë e debatit publik shqiptar është ushqyer me narrativën se hoxhallarët janë "mbetje orientale", se Islami është element i huaj për identitetin shqiptar dhe se çdo shfaqje e besimit islam duhet parë me dyshim. Kjo nuk është kritikë ndaj ideve fetare – kritikë që në një shoqëri demokratike është legjitime – por është stigmatizim i njerëzve për shkak të identitetit të tyre fetar.

 

Paradoksi është se shumë prej figurave që sot nderohen si patriotë kanë qenë njëkohësisht dijetarë islamë, imamë ose personalitete të formuara në traditën islame. Mohimi i kësaj trashëgimie nuk e ndryshon historinë, vetëm varfëron kujtesën kolektive.

 

Prandaj, vrasja e Gazmend Tahirovcit nuk duhet të na shtyjë vetëm të kërkojmë zbardhjen e autorit dhe motivit. Ajo duhet të na detyrojë të reflektojmë edhe mbi gjuhën që kemi normalizuar në hapësirën publike.

 

Sepse një shoqëri nuk bëhet më e lirë apo më etnike kur urrejtja ndaj një komuniteti fetar paraqitet si patriotizëm. Përkundrazi, ajo bëhet më e përçarë.

 

Dhe kur islamofobia maskohet si "mbrojtje e kombit", humbësi nuk është vetëm komuniteti mysliman. Humbëse është vetë kultura kombëtare, e cila zëvendësohet nga përçmimi, stereotipi dhe gjuha e urrejtjes. Një shoqëri që pranon këtë normalizim rrezikon të harrojë se çdo dhunë fillon me një fjalë, shumë kohë përpara se të përfundojë në një akt.

XS
SM
MD
LG