Hoxhallarët/fetarët që nuk u shfaqen kurrë në publik me duart në xhepa
Nga Alban Gorishti
Në vitin 2009, ekipi irlandez i ragbit u ftua të takohej me mbretëreshën pasi fitoi Grand Slam-in për herë të dytë në regbin irlandez . Kur lojtari irlandez Ronan O'Gara ishte përballë mbretëreshës në një pritje solemne të ekipt të ragbit, u bë një foto e famshme ku ROG, siç njihej ai, i mbajti duart në xhepa duke mos i nxjerrë ato fare për aq kohë sa ishte përballë monarkes Angleze.
Cillian Murphy, një aktor i njohur hollivudian me origjinë irlandeze nga Corku, po ashtu në një takim me monarkun e radhës, princin e kurorës Harry, veproi njejtë si O'Gara duke mos i njerrë duart nga xhepat përgjatë kohës që qëndronte në prani të princit Harry. Ky veprim nuk është i pamenduar ose i paqëllimshëm por ka një histori nga pas që i jep kuptim gjestit.
Më 1 dhjetor 1920 gjatë luftës Irlandeze për pavarsi, divizioni ndihmës i RIC (Policia Mbretërore Irlandeze) me bazë në Kështjellën Macroom në Co Cork urdhëroi që “të gjithë banorët meshkuj të Macroom dhe të gjithë meshkujt që kalojnë nëpër Macroom të mos shfaqen në publik me duart në xhepa. Çdo mashkull që shkel këtë urdhër rrezikonte të pushkatohej menjëherë. Kjo strukturë ka qenë e lidhur ngushtë me familjen mbretërore e cila nga Irlandezët shihej se ishte ajo që urdhëroi këtë strukturë të qëllonte mbi këdo që shihej në Cork me duart në xhepa.
Që atëherë, rrëfehet se ka qenë zakon tek banorët e kësaj province Irlandeze, të ushtrojë të drejtën për të mbajtur duart në xhepat e tyre në prani të figurave të autoritetit britanik.
Kjo ngjarje e cila ndodhi në një periudhe mjaft të vështirë të Irlandës më inspiroi disa "inversione stilistike" ose disa të anasjellta për qëllime te caktuara patetike, të cilat përmbysën rendin e personifikimit dhe ngjyrës së tekstit fetar dhe kontekstit social.
Duke menduar për këtë tekst apo kontekst mu kujtua retorika, "hiperbola" dhe grotesku i qëndrimeve në kohë dhe figurave stilistike në gjuhën e disa prej njerëzve të vet llojit tonë. Figura që shpesh kanë bërë "evazion kulturor" dhe "erozion socialo-fetar" brenda një konteksti shpirtëror që ka pasur nevojë historikisht të çimentojë të brendëshmen si dimenson i domosdoshëm i forcimit identitar.
Ashtu sikurse monoteizmi dhe idhujtaria nuk mund të bashkëjetojnë jo vetëm sepse janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën, por po ashtu sepse besimi te idhujt nuk donte të thoshte vetëm refuzim i ligjërimit kuranor, por gjithashtu refuzim i të gjitha implikimeve private dhe publike që ai shkaktonte; po njësoj, pranimi i njëshmërisë së Allahut, nuk mund të bëhej vetëm nëpërmjet besimit në zemra, por nëpërmjet një ndryshimi rrënjësor të praktikave jetësore.
E shprehur kështu deviza e "duarve në xhepa" e Irlandezëve më ngjason pikërisht me këtë anti konformizëm që shoqëron ligjërimin tonë nga një anë ndërsa me konformizmin e tërësishëm të implikimeve private apo praktikave jetësore që shpesh shohim të sintetizura në ligjërime antropomorfe të cilat janë kallëp i shëmtuar i kontrastit midis punës dhe fjalës, nga ana tjetër.
Në periudhën post komuniste kemi parë ndryshime dhe evoluime gjendjesh, mendimesh, të cilat na kanë dëshmuar se ta njohësh të vërtetën dhe ta besosh atë, vjen shpesh në formën e thyesave me dallim sasior midis numrit të sipërm dhe të poshtëm, gjë e cila e zvogëlon rezutatin për shkak se sa më e madhe të jetë diferenca midis tyre aq më i vogël është përfundimi i ekuacionit.
Ajo që kujtoj është koncepti i bojkotimit parimor i gjithçkaje që kundështon fenë, besimin, unitetin e besimtarëve. Kjo nëpërmjet disa devizave të ndryshme akaidiore, përfshi këtu edhe miqësinë dhe armiqësinë për hir të Zotit dhe shëndetshmërinë doktrinore. Ajo që shpesh na u tha është se duhet të largohemi, të mbajmë qëndrim ndaj gjithçkaje që e dëmton rëndë rrugën e drejtë islame dhe mënyrën e jetesës përgjatë kësaj rruge. Por në realitet vet propaganduesit e këtij bojkoti në emër të fesë u panë të bënin aleanca të cilat e kundërshtuan tërësisht atë që dikur u "shit" si "pastërtia e religjonit" apo "pastrim dhe edukim sipas qëndrimit të të parëve tanë", terma që natyrshëm përfshinin qëndrime parimore dhe largësi nga pakte okulte me të keqen apo implikime të detyruara private.
Sot realisht jemi në mesin e një lufte të vështirë për vet perceptim dhe drejtësi qëndrimesh, ku nga njëra anë ndodhet sekti gylenist ndërsa nga ana tjetër ata që dikur flisnin (apo edhe flasin) për mos kompromis absolut me gjithçka që e ndot devizën "pastrim dhe edukim". Ajo që shoh është se kemi evoluar në një shoqëri e cila e përtyp pamëshirshëm njeriun i cili i kujton njerëzit që qëndrimet e vogla por konstante janë shumë më të vyera dhe fetare sesa ato bombastiket retorike, i cili i kujton se pavarsisht pazareve në kurriz të fesë konformizmat ekstreme janë paturpësi e cila mundet të zbutet herë pas here nga reagime të vogla (si duart në xhepa tek irlandezët) por plot dinjitet. Dinjitet që tashmë ata e kanë fshirë nga ajo që dikur propagandonin, pikërisht sepse ai që edukimin e vet e ndërtoi mbi fraza boshe dhe deviza kundërshtuese, i tilli nuk mundet dot të inspirojë as edukim dhe as reformim.
Hoxhallarët/fetarët tanë nuk u bënë dot as sa lojtarët irlandezë të regbit, të cilët edhe pse pas kaq shumë kohësh nuk harrojnë se janë irlandezë, se kanë disa përgjegjësi përballë atyre që derdhën gjakun për pavarësi, se ajo që mbrohet nga të drejtat universale të moralit dhe aleancave të natyrshme me të ngjashmet nuk mundet dot as të tretet apo të ndryshohet nga koha apo implikimet personale apo grupore. Hoxhallarët/fetarët tanë nuk u panë kurrë minimalisht me duar në xhepa (si formë proteste ndaj padrejtësisë dhe sektarizmit), pasi njeriu i frustruar nga demonët e vet dhe komplekset e inferioritetit pasi nderi dhe besa tek ata janë terma teknikë për të vendosur njëfarë supremacie ekonomike-supremacie rreth e rrotull ambjentit në të cilin vegjetojnë.
Hoxhallarët/fetarët tanë nuk u bën dot as sa Cilian Murphy, i cili sa herë që intervistohet e përmend me krenari vendin e origjinës, kurrse këta tanët po humbasin shumë lidhje me pikënisjen e tyre të origjinës. Kam për qëllim atë që në islam njihet si aleancat dhe armiqësitë në emër të besimit. Islami erdhi që ta lartësojë njeriun mbi të gjitha lidhjet tokësore: lidhjet e gjakut, fareisnore, gjeograike, sociale të interesit, profesionale, personale të interesit dhe çdo lidhje tjetër. Kështu Allahu vendosi në qendrën e fesë drejtësinë, të cilën e mbron dhe e favorizon aleancat për hir të kësaj drejtësie duke bojkotur gjithçka dhe gjithkënd në momentin që shkel mbi doktrinën apo aleancat që e tilla imponon. Ky koncept i aleancave është trajtuar madje edhe nga injoranca preislame, madje ky shembull i drejtësisë është parë madje dhe në shembuj të "pafajshmërisë" beduine, siç thotë poeti Zuhejr, ‘ai i cili nuk mbron vendin ku pinë ujë kafshët me armët e tij ka për ta parë atë të shkatërruar".
Në anën tjetër kemi parë historikisht raste interesante të vendosjes së miqësisë ndërmjet muhaxhirëve dhe ensarëve të parë, të cilët u lidhën përmes besimit. Ata e ndanë pasurinë, përgjysmuan kafshatën e bukës, i lëshuan shtëpitë. Më në fund vjen deri te vendosja e vëllezërisë islame midis tyre, arab në njërën anë, dhe joarabëve në anën tjetër. Por hoxhalarët/fetarët tanë harruan të inspirojnë sepse veprat e tyre nuk inspirohen më nga shembujt e lartë profetikë por nga ato gjysmakë individualë. Hoxhallarët/fetarët tanë nuk u panë kurrë me duart në xhepa (në formë proteste) sepse tashmë duart e tyre nuk kontrollohen nga ndjenja e përkatësisë por nga aleancat me atë të keqe që dikur ata vet e patën konsideruar si tjetërsuese të besimit të pastër dhe të aleancave në emër të tij.
Virtyti i besnikërisë në periudhën e xhahilijetit ishte gjerësisht një çështje e lidhjes farefisnore nga gjaku, ndërsa është e qartë si nga vetë Kurani ashtu dhe nga Tradita Pejgamberike se virtyti i besnikërisë, karakteristik për arabët e shkretëtirës, u përvetësua nga Islami si një nen i rëndësishëm i kodit të tij moral dhe madje atij iu dha edhe një vend mjaft i lartë nderi. Për këtë në Kuran thuhet :“Ata që të janë betuar për besnikëri ty (o Muhamed), në të vërtetë, i janë betuar për besnikëri Allahut. Dora e Allahut është mbi duart e tyre (duke paraqitur kështu ceremoninë rituale të dhënies së besës)! Ai që e prish betimin, e prish në dëm të vetes së tij, por nëse e mban besën ndaj Allahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh.” (48:10)
Kurse nga ana tjetër në Islam, jo më pak se në Xhahilijet, akti i tradhëtisë ka qenë një mëkat mizor, dhe një njeri i cilësuar me një veti të tillë urrehej sikur të ishte nëpërkë." vërtet Allahu nuk i do ata që tradhtojnë" 8:58. Vërtet, Allahu nuk u jep fund të mirë dredhive të khai’n (tradhëtar, i pabesë)” 12:51-52.