Korniza e përparësive (eulijat) sheriatike në dhënien e iftareve
Nga Alban Gorishti
Shumë dilema dhe debate i kanë shoqëruar iftaret e fundit të cilat reklamohen mediatikisht në dritën e politikave të ndryshme, qofshin indivduale apo të mbështetura në doktrinën islame. Çfarë do të thotë në vetvete të ushqehesh me ushqim apo të dhurosh një të tillë në dritën e krizave të njëpasnjëshme politike/identitare nga të cilat po vuan vendi ynë? Por mbi të gjitha kush është prioriteti në përzgjedhjen e njerëzve që prezantojnë në tryeza të tilla?
Faktikisht në dritën e teksteve të përgjithëshme dhënia e ushqimit nuk përbën ndonjë problem ligjor në islam, kur pejgamberi a,s erdhi në Medine deklaroi: “O ju njerëz, shpërndajeni paqen-selamin, i ushqeni njerëzit dhe faluni natën teksa njerëzit flenë dhe do të hyni në Xhenet me paqe”.
Në kuvendet apo tryezat e pejgamberit a.s janë parë të ulen si i varfri por edhe i pasuri, madje edhe mosbesimtari. Faktikisht Islami na tërheq vërejtjen që mos të tregohemi neglizhentë ndaj të varfrve dhe të uriturve. Por iftari realisht nuk është tryezë domosdoshërisht urie për atë që ska por mbi të gjitha është tryezë ku të uriturit për drejtësi dhe paanshmëri gjejnë "ngopjen" e synimeve të tyre më të larta teksa ushqejnë edhe shpirtin e tyre me largimin nga gjërat që ia prishin agjërimin, sikurse janë aleancat e gabuara me dhunën institucionale pikërisht ndaj atyre shtresave të cilat stigmatizohen si të denjët e vërtetë të tryezave të iftareve, të varfërve.
Por tryezat e iftareve nuk janë masë ushqimi por masë devotshmërie, si e tillë politikat që i rrethojnë ato (sidomos në kohë padrejtësish si e jona) nuk lidhen domosdoshmërisht me varfërinë e xhepit por me atë të mendjes dhe zemrës, ose më saktë pasurimit të këtyre të dyjave me virtytet më të larta religjoze apo njerëzore. Pikërisht për këtë ibn Xhudani, edhe pse njeri që shtroi shumë sofra për të uriturit, nuk do të jetë prej atyre që do të përfitojë nga të tilla bamirësi (sipas peshojës së islamit). Ibn Xhudani, ishte njeri i afërt i Aishes r.a dhe ishte i pasur. Ai ishte bujar, porse a i ndihmoi kjo bujari në Ahiret? Jo, sepse ai në esencë nuk e besonte botën tjetër, nuk e besonte Ditën e llogarisë së madhe.
Më kujtohet koha kur isha ende i vogël, siç më kujtohet agjërimi i gjyshes time të ndjerë. Edhe pse në moshë jo detyruese për agjërim, me shumë dashamirësi sjell ndërmend gjyshen time e cila përballej me bezdisjet e mija pikërisht në kohën e çeljes së iftarit. Duke qenë se më bënte përshtypje si eksperiencë i bashkohesha ngrënies së saj edhe pse nuk kisha agjëruar. E kështu pohoja plot krenari se kisha agjëruar edhe unë atë ditë, vetëm sepse kisha ngrënë iftar me gjyshen time të ndjerë, pra thejsht sepse kisha prezantuar në tryezën e saj. Kjo kohë më ngeli gjatë në memorien time, ndaj kur u bëra musliman reminishenca e këtij momenti u bë një fenomen i rëndësishëm në ndërgjegjen e ardhshme si musliman dhe bazën për formimin identitar nëpërmjet kujtimeve të shkuara. Pavarsisht disa modeleve ekstravagante, tradita publike e iftareve është një pozitivitet energjik i cili e karakterizon fenë tonë duke e renditur midis modeleve me më impakt social në shoqëri , ndaj si tërësi ky fenomen mbart në vetvete benefite afatgjatë, pasi krijon kujtime të bazuara mbi veprime esenciale sheriatike.
Kështu që politikat dhe prioritetet e këtyre tavolinave nuk janë domosdoshmërisht të lidhura as me neglizhimin e një shtrese por as me pjesëmarrjen e një tjetre, por janë akte të caktuara të cilat përveç krijimit të një rrjeti lidhjesh për hir të Zotit shprehin edhe formimin e një identikiti politikash apo prioritetesh të ligjshme të bazuara edhe mbi vet tekstin fetar apo kontekstin aktual. Por me kusht që nijeti mos të jetë përjashtimi por forcimi i angazhimit publik në dobi të një shtrese të caktuar, sikurse është ajo e muslimanëve shqiptar, shtresë që vazhdimisht ka qenë e neglizhuar dhe e përbuzur. Por gjithsesi dijetarët kanë thënë se bamirësia e fshehtë është më shpërblyese se sa bamirësia publike, edhe nëse pronari i saj kërkon t'i inkurajojë të tjerët që të ndjekin shembullin e tij, ndaj në këtë sens dhënia e atyre iftareve nga aktorë dhe faktorë të lidhur sipas aleancave apo interesave të ngushta futet në politikat më të gabuara publike dhe shkeljeve më të rrezikshme fetare. Kjo pasi Zoti është i pastër, i mirë dhe nuk pranon kompromis në këto dy cilësi të Tijat, të cilat duhet medoemos të reflektohen praktikisht tek zgjedhjet dhe qëndrimet e besimtarëve.
Dikur ndarjet midis klasave sociale ishin tepër të dallueshme, sikurse edhe në kohët e sotme dallimet dhe mendësitë po ngjyrosen shumë trashë. Borgjezia dikur kishte të bënte me ish-fshatarë aq të afërt me familjet mbretërore saqë ata aspironin të jetonin si ata. Dikur kjo aspiratë arrinte deri aty sa të shiste dhe blinte të drejta apo qëndrime, sot të gjithë kanë një smartphone, nëpërmjet të cilit aspirojnë ....shesin...blejnë ....pavarsisht se kujt po ia ofrojnë këto shërbime. Pikërisht këtu hynë në lojë këto prioritete dhe politika të mirë strukturuara, në mungesë të së cilave dikush apo dikush tjetër mendon se ulja në tavolinat e shtruara nga një uzurpues, manipulues, i padrejtë është më prioritare sesa ulja në tavolinën e shtruar nga grupimi i vogël i cili nuk bën aleanca me askënd në dëm të besimit. Por po ashtu prioritetet korrekte përgjatë këtij muaji i këtyre eventeve shërbejnë për të forcuar inteligjencën emotive (si thelbin e besimit) e cila nuk është pronë e të pasurve por padyshim nuk është e lidhur me privimin ekonomik të dikujt tjetër.
Sot jetojmë në një kohë ku çmimet janë rritur, ndaj edhe vështirësitë për të ftuar dikë në tryezën tënde modeste të iftarit janë shtuar, por po ashtu është shtuar edhe paaftësia e njerëzve për të dalluar midis interesit të padëmshëm dhe aleancave të dëmshme në të cilat i bëhet fresk një pushteti apo një tjetri. Sot jetojmë në kohën ku njeriu e shet fenë e vet për një dobi të vogël të kësaj dunjaje. Po si do të thoni ju?
Ajo që është prioritet për dikë por nuk është prioritet për komunitetin shëmb urdhërin Kuranor të bashkpunimit, ndihmës. Allahu thotë: Bashkëpunoni mes vete në të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. " Maide 2. Ndaj prezenca në këto tavolina iftari, në të cilat njerëzit shesin apo blejnë aleanca e dëmton në aspekte afatgjata bashkëpunimin komunitar të muslimanëve, dëmton vet insituimin e shëndetshëm të bashkëpunimit në përfaqësimin e denjë të të drejtave dhe dinjitetit të muslimanëve. Si e tillë ajo tryezë iftari që e forcon këtë aleancë besimore duke denoncuar të padretjën dhe të keqen në mënyrë të paanshme, është shumë më e preferuar sesa një muaj i mbushur me iftare në të cilat ftohen të varfërit, por jo aktivistët e drejtësisë dhe bashkpunimit.