Përse përpiqem të vesh këpucët e "Almës shqiptare' por pa justifikuar aktin e saj ?
Nga Alban Gorishti/ Para së gjithash, për të evituar çdo keqkuptim, padyshim që e konsideroj këtë akt të paimagjinueshëm, të pamendueshëm e jo më të zbatueshëm. Por imazhi i atyre fëmijëve që shkonin me nënën e tyre drejt vdekjes më solli parasysh jo vetëm tragjedinë e 'Almës' por të shumë Almave shqiptare.
Vajza, gra, që sikurse Alma e kohës tonë kanë bërë zgjedhje shumë të gabuara por jo rastësisht, jo për shkak të ndonjë dashakeqësie momentale por për shkak të strukturave sociale, agnatëve (favortizma të linjës patriarkale) apo cognatëve (nga ana e dajallarëve), apo ndonjë merite biologjike të kamufluar nën interesa klanore apo thjesht interesi përçmues individual.
Ai moment kur nëna bashkë me fëmijët e saj po shkonin drejt vdekjes më rëqethi mishin, trishtoi zemrën dhe më “njomi kujtimet” e dëshmuara me sytë e tërë shqisave përgjatë këtyre dekadave demokraci. Në një shoqëri “ku të mirat” psikosomatike të familjes iu kalonin vazhdimisht meshkujve të familjes, të bën të kuptosh se nëse hallka më e dobët e dy gjinive dobësohet akoma më shumë, pasojat dhe komplekset e krijuara nga kohët dhe neglizhencat rurale janë më të mëdha sesa ato që mundet të krijojë varfëria, prejardhja e ulët apo ndonjë faktor i izoluar shoqëror. Nëse tensioni apo presioni në një shoqëri shtohet atëherë pika e parë që çedon është ajo më e dobëta, më e brishta ajo me më pak vlerësim dhe me më shumë pritshmëri. Kështu që rastet e vajzave apo grave të vrara, të vetvrara apo të dhunuara psikologjikisht janë pafund në këtë “kështjellën” tonë kulturore. Sa e sa shumë ngjarje tronditëse kemi dëshmuar gjatë këtyre dekadave, pa futur në llogari vitin e mbrapshtë 97-të, të gjithë jemi tronditur kur babai dhe djali vranë motrën e tyre për shkak se kjo e fundit dyshohej se kishte lidhje me dikë jashtë vullnetit të tyre, sa e sa jemi tronditur kur babai ka vrarë djalin, vajzën, gruan, apo të tjera kur nusja vret vjehrrën më vaj të nxehtë në vesh e deri te ata vrasës serialë apo edhe vrasje e masakra disafishe. E mos të flasim pastaj për ato mijëra vajza shqiptare të trafikuara në tërë Europën dhe gjetkë nga vet bashkëkombësat e tyre, djemtë apo vëllezërit e kësaj shoqërie të këtij ambjenti.
Sa herë që ndodh diçka e paperceptueshme për mentalitetin e këtij vendi dëgjon turma të tëra që bërtasin “të varet prej gjuhe”, “Të varet në mes të fshatit”, “Ti pritet koka”, “Ta djegim me benzinë”, “T’ia bëjmë mishin copa-copa”. Përherë më janë dukur edhe më të sëmurë sesa ndonjë akt i konkretizuar. Kjo jo sepse justifikoj aktin por siç do të thoshte Dekartesi i madh “Ti je sepse mendon”, ndaj mendësia e gabuar të shpie në një ekzistencë të gabuar. Ku jemi ne kur një familje e tërë masakrohet në rrugët e vendit tonë ndërsa vrasësi nuk bën as edhe një vit burg, po kur kalon në mes të qytetit ndërsa vajzës, gruas apo fëmijës tënd i ikën koka , ndonjë këmbë apo aborton fëmijën ndërsa po ashtu vrasësi me patentë nuk bën as edhe një muaj burg.
Si do ti rrisim fëmijët tanë në një shoqëri ku faji mbetet gjithnjë i politikanëve ndërsa drejtësinë ia kërkojmë Zotit? Jemi tronditur të gjithë besoj kur në vitin 1998 në maternitetin e Tiranës disa nënave u thoshin se bebja u kishte vdekur gjatë lindjes, por arkivolet që i dërgonin në varreza rezultonin se ishin bosh. Jemi tronditur të gjithë kur në shkurt të vitit 1999 një studente nga Vlora e gjetën të masakruar me gurë në kokë në qytetin “Studenti” në Tiranë. Jemi tronditur akoma më shumë kur në vitin 2000 në Rromanat të Durrësit gjetën të copëtuar trupin e Erieta Avdylit, një punonjëse të UNICEF. Besoj se i kujtoni këto ngjarje? JO? Pikërisht kështu matet niveli i ndjeshmërisë, harresa, ah ajo harresë që e nxorri edhe njeriun e parë nga parajsa, ajo po i alienizon edhe bashkësitë tona sociale, jetën tonë komunitare.
Po ashtu mentaliteti i tillë sikurse ky i shoqërisë tonë, i cili prodhon ikje dhe vetizolim, mentalitet që glorifikon vrasësit dhe përçunduesit duke bullizuar të ndershmit dhe të vetmjaftueshmit me punën e duarve të tyre nuk ka sesi të shohi përtej interesave të ngushta personale, akumulimeve financiare apo pozitave me sfond maskilist. Ndaj ky mentalitet kur ndodh diçka në mesin tonë habitet, gjykon, e pastaj harron tërësisht. Ky mentalitet nuk e kupton që ai apo ajo përpara se të bënte vrasjen apo penalitetin ka qenë në rrugë, në lagje, në fshat dhe në qytetin tonë dhe ka jetuar mes nesh. Dhe kjo histori kurrësesi nuk nisi papritur me këtë ndodhi. Diçka më e thellë ka zenë vend përgjatë formimit të identikitit socio-kulturor të këtij personi apo grupi personash, diçka që shpesh edhe familja nuk ta kupton, kjo pasi ne jemi bijë të ambjentit në të cilin rritemi. Ndërsa shpesh ne i rrisim fëmijët/vajzat tona me shpesh me shprehje si “tu lumtë ajo apo kjo”, apo “bëj qejf se je i ri/e re”,”jetojmë në xhungël ndaj duhet të jesh i ashpër” etj prej shprehjeve që padyshim nuk e vlerësojnë shpirtin apo identitetin e tjetrit por e ashpërsojnë reagimin nga palët përgjatë konflikteve apo mardhënieve reciproke.
Këtu nuk është rasti të përmenden statistikat e vrasjeve apo dhunës ndaj grave, pasi ky nuk është një studim akademik por një soditje analitike brenda një shoqërie të mbytur mëndërisht në çorbën që prodhuan këto vite post -komunizëm në mesin e një populli “elitë” me histori por ngelës në realitet. Ngelës, sepse dhuna, bullizmi ka vendin e vet ajo mundet të jetë edhe efikase kur manifestohet përballë armikut apo zgjedhjeve të guximshme, por kur ajo përdoret me vend e pa vend thejsht për të shfaqur krenari të pakodifikueshme nga ndonjë statut kombëtar apo ndërkombëtar atëherë shtrembërimet psikologjike, sociale që mundet të prodhojë jemi duke i parë dhe shijuar me shqisat tona.
Procedimet penale për dhunë ndaj grave referuar të dhënave të Institutit të Statistikave pesë vitet e fundit kanë ardhur në rritje. Mos harrojmë rastin e vjetshëm të Bedrie Lokës që u vetvra për shkak të bullizimit që i bënte burri i saj. Mbi 1800 persona janë proceduar vetëm vitin e shkuar nga rreth 5200 raste të denoncuara dhe zbuluara nga Policia. Por kësaj statistike i shtohet edhe dhuna e burrave ndaj njëri tjetrit pasi në një vend kaq të vogël nëse agresioni “ndez ajrin” që thithim atëherë është e pamundur mos të sëmuremi të gjithë nga pak ditë për ditë. Shumoi këtij numërimi edhe “dhunën” post-moderniste të cilën televizionet tona e “shesin” duke e paketuar me lloj lloj fiongosh shumëngjyrshe, flas për negativitetet morale-etike që po e përçundojnë mentalitetin dhe mendjen e brezave, duke bërë që ata të rriten në sisteme pa modele dhe pritshmëri të sakta për të ndjekur, kështu pritshmëria ngelet ajo e të fortit, politikanit që vjedh, amoralit që kurvëron dhe patronazhistit që shet dhe vjedh informacione dhe identitete në këmbim të një posti në shoqëri etj. Të gjitha modele që ia shtojnë toksicitetin këtij mentaliteti dhe rrjedhimisht prekin gjithnjë hallkat më të dobëta të shoqërisë, meshkuj apo gra qofshin, familjarë apo njerëz me emër etj.
Në këto kushte po përpiqem të imagjinoj duke “veshur këpucët e Almës”, jam i sigurtë që ajo i donte fëmijët e saj, por mendja ndonjëherë të bën lojëra të habitshme, ajo që do ti thoja asaj nëse do ta takoja pak minuta para aktit tragjik, do të ishte “Mos e bëj pasi ne jemi popull i pandjeshëm, ndaj gjesti yt nuk do të shqetësojë kaharorin e një shoqërie të tillë veç se për pak ditë, ndaj nuk ia vlen aspak për dikë që të ka zvendësuar me kohë dhe ka për të të harruar pas pak kohe pasi të jesh larguar”.
Para disa kohësh isha duke dëgjuar intervista rrugësh, kështu kur gazetari iu afrua një grupi djemsh të rinj dhe i pyeti se çfarë ëndëronin të bëheshin kur të rriteshin? Ata iu përgjigjën se kishin ëndërr të largoheshin nga Shqipëria! Përse pra, të gjykojmë apo paragjykojmë këtë rast apo raste të të tjera të shumta pa llogaritur edhe këtë pjesë emotive të subkoshencës masive që qarkullon në ajër duke e çuar tensionin publik në margjina sociale apo mendore, të cilat shpesh fatkeqësisht po prodhojnë monstruozitete në gjykim dhe vlerësim? A jemi të aftë të vlerësojmë, ndjejmë, prodhojmë mendim konstruktiv apo jemi thejsht të aftë të gjykojmë duke marrë role që sna përkasin, sikurse ai i gjykatësit për shembull. Le tia lëmë policisë dhe gjykatën çështjen e mëpasëshme, të kujdesemi për atë që paraprin një “stuhi”, të sigurojmë gjërat që mundet të fluturojnë gjatë saj e më pas të numërojmë dëmet duke iu kthyer përsëri forcimit të infrastukturës morale-mendore para se të ndodhin stuhi të cilat shpesh kur ngrihen në ajër dëmtojnë të fortin dhe të dobëtin së bashku. Sa vetvrasje janë bërë në Shqipëri këto kohë, padyshim që nuk kemi fajësuar askënd pasi e kemi konsideruar si liri e zgjedhjes personale, por një vetvrasje nuk është asnjëherë liri zgjedhjeje. Përse ta konsiderojmë dhunë vetëm atë të kryer nga personi tjetër por jo atë të akumuluar nga një sistem i tërë apo kulturë?
Padyshim këtu nuk kemi të bëjmë me rastin e një vrasësi serial apo të një njeriu që morri peng dikë tjetër, kemi të bëjmë pikërisht me një autorësi biologjike, ndaj përgjegjësia shtrihet në disa drejtime, e para siç e thashë tek mentaliteti abuziv social që shpesh përjetojmë, më pas rrethi më i ngushtë familja dhe orientimet e duhura të parakohëshme ndërsa më pas familja pritëse e cila nëse do ti qëndronte rolit tradicional duhet të minimizonte përbuzjen identitare dhe vuajtjen emotive. Gjithsesi barometri i vërtetë është aty jashtë, në rrugët, TV-të tona, në klasat, kafenetë etj, aty bluhet mendja dhe dinjiteti sikurse rrënjoset virtyti apo meskiniteti. Ndaj para se të gjykojmë “Almën apo Almat e ndryshme” duhet që fillimisht të kemi nderin e duhur që gishtin ta drejtojmë nga vetja. Vetëm kështu mundet të “pengojmë” një tragjedi (edhe si kjo ndoshta) para se të manifestohet.