Makineria ungjillizuese që "prodhon" shenjtorë/"Influencieri mediatik i Zotit": Papa njeh Carlo Acutis si shenjtorin e parë të mijëvjeçarit
Papa Françesku i ka atribuar një mrekulli të dytë një adoleshenti italian, i cili në jetën e tij të shkurtër përdori aftësitë e tij kompjuterike për të përhapur besimin katolik, duke i hapur rrugën për t'u bërë shenjtori i parë i kohëve moderne. Carlo Acutis, i cili vdiq nga leucemia në vitin 2006 në moshën 15-vjeçare, njihej jozyrtarisht si "influencieri i Zotit". I lindur në Londër, ai u rrit në Milano, ku u kujdes për faqen e tij të famullisë dhe më vonë për një akademi me bazë në Vatikan.Françesku e mori vendimin gjatë një takimi me kreun e departamentit të shenjtërimit të Vatikanit, kardinalin Marcello Semeraro, thuhet në një deklaratë të enjten. Acutis u "lumturua" në vitin 2020 pasi iu atribuua një mrekulli.
Atribuimi i një mrekullie të dytë do të thotë se ai tani mund të ngrihet në shenjtëri, por Vatikani nuk tha se kur do të ndodhte kjo.
Kisha Katolike Romake mëson se vetëm Zoti kryen mrekulli, por shenjtorët që besohet se janë me Perëndinë në parajsë ndërmjetësojnë në emër të njerëzve që u luten atyre. Një mrekulli është zakonisht shërimi i pashpjegueshëm mjekësor i një personi.
Për shkak të "rolit të tij të rëndësishëm në ungjillizimin përmes internetit", Acutis u emërua si mbrojtës i Ditës Botërore të Rinisë vitin e kaluar në Lisbonë, thanë organizatorët e ngjarjes.
Devotshmëri e fortë fetare
Acutis lindi në Londër më 3 maj 1991, nga prindër italianë dhe u transferua në Milano si fëmijë.
Që herët, ai tregoi një përkushtim fetar që i habiti prindërit e tij që nuk praktikonin fe. Nëna e tij i tha gazetës Corriere della Sera se që në moshën tre vjeçare do të kërkonte të vizitonte kishat në Milano dhe në moshën shtatë vjeç kishte kërkuar të merrte sakramentin e Kungimit të Shenjtë, duke fituar një përjashtim nga nevojat e zakonshme të moshës.
Kurioziteti i tij e shtyu atë të studionte teologji në mënyrë që t'u përgjigjej dilemave të tij, duke ripërtërirë besimin e tij.Acutis u varros në Asizi me kërkesën e tij./Nga Al jazeera