Lidhje


Rëndësia ekonomike e Gazës përgjatë historisë

Nga Stavro Xhardha
 
 
 
Rruga e famshme e mëndafshit kalonte nga dy qytete kryesore në atë kohë kur romakët hidheshin nga Europa në Azi dhe anasjelltas. Këto dy qytete ishin Gaza (Palestina e sotme) dhe Aden (në Jemenin e sotëm). Lufta shtatëqind vjeçare midis Romës dhe Persisë e ndau disa herë rrugën e mëndafshit sipas interesave ekonomike dhe gjeo-strategjike. 
 
 
Incidenti i famshëm i zotërimit të qytetit të Adenit nga persët shkaktoi zhvlerësim total të mallit që mbërrinte nga anijet romake. Ndërkohë kjo shkaktoi që mallrat në qytetin e Gazës të pësonin të kundërtën: rritje pafre të çmimeve.
 
 
Atë që po ndodhte e vuri re një tregëtar i kalibrit të vogël, por tepër i mençur. Emri i tij është shumë i famshëm për këdo që e njeh gjenealogjinë dhe prejardhjen e profetit Muhamed saws: Hashim Ibn Abdimenaf (stërgjyshi i profetit Muhamed saws). Ai pa një korridor ekonomik, por tashmë jo nga deti, por nga toka. Fakti që toka e gadishullit arabik ishte e tejmbushur me plaçkitës, Hashimin nuk e shqetësonte për të ruajtur karvanin e tij sepse ai ishte prej një qyteti që edhe përpara ardhjes së islamit konsiderohej i shenjtë: Meka. 
 
 
Hashimi hyri në aleancë me persët, por ishte e vetëkuptueshme se ata nuk mund ta linin që ai t'u shiste mall romakëve. Prandaj, Hashimi vendosi ta tregëtonte mallin e tij në Mekë. Hashimi e mbajti fjalën: Asnjë shkëmbim me romakët... Vëllezërit e tij nga ana tjetër, do ta blinin mallin nga Hashimi dhe do të niseshin drejt Gazës për të bërë tregëti me romakët (incidenti është përmendur edhe në kur'an). Nga ky sukses i Kurejshëve, u arritën edhe më tepër aleanca me Etiopinë, Persinë dhe Romën, aq sa Meka do të shndërrohej në qytetin më të pasur në rajon për kohën.
 
 
Dhe ende nuk flitej për rizbulimin e ujit të Zemzemit, rizbulim i cili i pasuroi ata gjer në palcë. Një karvan mesatar që kalonte në Meke numëronte rreth dy mijë deve të rreshtuara njëra pas tjetrës. Nuk është rastësi që Kurejshët u trëmbën aq sa konspiruan për ta vrarë profetin Muhamed saws kur ai solli mesazhin e islamit. Sepse gjithëkush rreth e qark me të cilët bëhej tregëti ishte pagan. 
 
 
Në udhëtimin e tij të fundit drejt Damaskut, Hashimi u sëmur rëndë dhe qëndroi në Gaza, ku edhe mbylli sytë. Prandaj Gaza njihet edhe gjatë me emrin Gazetul Hashim.
 
 
Një tjetër figurë interesante, disa breza më vonë na shfaqet në gjysmën e dytë gjeografike të korridorit: Nga Meka në Gaza apo nga Meka në Damask. Ajo është Hatixhja, gruaja e profetit Muhamed saws. Hatixhes nuk i lejohej të udhëtonte meqë ishte grua. Por asaj nuk i ndalohej të investonte. Dhe kështu bëri. Ajo u besonte paratë tregëtarëve më të besueshëm dhe fitimet e saj brënda një viti nga këto shkëmbime, u dyfishuan.
 
 
Pasuria e Hatixhes arriti në atë gradë sa arabët thonin se vetëm pasuria e saj ua kalonte Hashemitëve të grumbulluar bashkë (edhe pse kjo mund të jetë ndonjë hiperbolë). Nga kjo lloj tregëtie që kryente Hatixhja u bë e mundur dhe njohja me profetin Muhamed saws, asaj kohe thjesht një djalosh i ri, por ndër të vetmit i cili nuk i bënte asnjë truk për ta vjedhur apo për ti fshehur ndonjë fitim.
 
 
Sot mendohet nga shumë analistë se një prej arsyeve të tentativës për shkatërrimin e Gazës është devijimi i rrugës së vjetër të mëndafshit duke sabotuar portet Palestineze dhe Siriane e duke e kaluar korridorin për Europë nga portet Izraelite.
XS
SM
MD
LG