Zgjedhjet Evropiane - Qëndrimet e Partive për zgjerimin
Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një ndër temat kryesore të diskutuara nga partitë gjermane në fushatën zgjedhore për Parlamentin Evropian 2024, por qëndrimet e tyre për këtë çështje partitë i kanë shkruar në programe. Ja një përmbledhje.
CDU/CSU: "Zgjerimi me kushte dhe gradual". CDU/CSU (Unioni Kristian-Demokrat dhe Unioni Kristian-Social), partia kryesore e opozitës, e mbështet zgjerimin e BE-së, por thekson se vendet kandidate duhet të përmbushin të gjitha kriteret e anëtarësimit.
Citat origjinal nga programi i CDU/CSU:
"Europa është më e madhe se BE-ja, por BE-ja është zemra e Evropës. Përpara një anëtarësimi duhet që të gjitha kriteret e anëtarësimit të plotësohen plotësisht. Anëtarëve të ardhshëm të BE-së duhet t'u ofrohet një perspektivë konkrete. Për këtë ne propozojmë hapa të ndërmjetëm për vendet kandidate drejt anëtarësimit në BE. Këto mund të përfshijnë pjesëmarrjen në programe të veçanta të BE-së, qasje graduale në tregun e brendshëm ose dhënien e katër lirive themelore."
Në bazë të sondazheve aktuale, CDU/CSU, e cila si kandidate kryesore kaUrsula von der Leyen (CDU) dhe Manfred Weber (CSU) pritet të marrë më së shumti vota në Gjermani, afro 30 përqind.SPD: "Përshpejtimi i anëtarësimit"
SPD (Partia Social-Demokrate e Gjermanisë) është një nga partitë më të vjetra dhe më të mëdha të Gjermanisë, që përfaqëson krahun e majtë dhe social-demokrat. Aktualisht, SPD kryeson koalicionin qeverisës të qendrës së majtë në Gjermani. Socialdemokratët kërkojnë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe propozojnë hapa të ndërmjetëm për integrimin e këtyre vendeve.
Zitat nga programi: "Pas dhjetëvjeçarëve të vonesave, është koha të pranojmë shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE, nëse plotësojnë kriteret e anëtarësimit. Ne besojmë se qasja në tregun e përbashkët duhet të jetë e mundur edhe para anëtarësimit të plotë, për të inkurajuar reformat dhe zhvillimin ekonomik."SPD aktualisht ka pësuar një rënie shumë të thellë në sondazhe. Të shtunën paradite ishte 16 përqind.
Die Grünen-Të Gjelbrit: Të gjelbrit janë të vetmit që Ballkanit Perëndimor i kushtojnë një pasazh më vete.
Die Grünen (Të Gjelbrit), partia ekologjiste dhe progresive që aktualisht është në koalicion qeverisës, është partia e vetme që i kushton një vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor në program.
ZItate origjinale nga programi:
"E ardhmja e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, është në BE. Premtimi për anëtarësim në BE është një motor i rëndësishëm për procesin e ndjeshëm të paqes dhe pajtimit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky premtim anëtarësimi nuk duhet të vihet në rrezik."
"Fillimi i bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, statusi i kandidatit për Bosnjën dhe Herzegovinën dhe liberalizimi i vizave për Kosovën janë hapa të rëndësishëm."
"Ne mbështesim zhvillimin demokratik dhe përpunimin e së kaluarës në Bosnjë dhe Herzegovinë dhe mirëpresim praninë e EUFOR-it për të forcuar sigurinë në vend. Ne forcojmë KFOR-in për të mbështetur procesin e paqes."
"Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme në tryezën e negociatave. Ky është parakusht për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe një çelës për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE."
Të Gjelbrit, që në qeverinë gjermane përfaqësohen ndër të tjera me ministren e Jashtme, Analenna Baerbock, në sondazhet e fundit dalin me humbje të elektoratit.
FDP: "Reforma dhe realizëm"
FDP (Partia e Lirë Demokratike), një parti liberale dhe mbështetëse e tregut të lirë, aktualisht e përfaqësuar në qeveri ndër të tjera, me ministrin e Financave,Christian Lindner, aktualisht është pjesë e qeverisë. FDP mbështet zgjerimin e BE-së, por kërkon më shumë realizëm dhe reforma institucionale për të siguruar që BE të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj.
Zitat origjinal nga programi: "Politika e zgjerimit të BE-së duhet të jetë më realiste dhe të shoqërohet me reforma institucionale për të bërë BE-në më të aftë për të pranuar anëtarë të rinj. Kandidatët duhet të plotësojnë të gjitha kriteret e anëtarësimit, me një fokus të veçantë në sundimin e ligjit."
AfD: Zgjerimit i BE-së me referendum popullor
AfD (Alternativa për Gjermaninë) është një parti e djathtë dhe euroskeptike. Është një nga partitë më të zëshme dhe është nën vëzhgim nga organet kushtetuese, si parti ekstremiste. Në program, AfD nuk përmend specifikisht vendet e Ballkanit Perëndimor, por thekson se çdo zgjerim i BE-së duhet t'i nënshtrohet një referendumi popullor. Ata theksojnë rëndësinë e rikthimit të sovranitetit kombëtar dhe vendimmarrjes së pavarur për çdo ndryshim të marrëveshjeve që lidhen me zgjerimin e BE-së, dhënien e sovranitetit dhe angazhimet financiare.
Zitat nga programi: "Për sa kohë që sovraniteti shtetëror i shteteve kombëtare nuk është rikthyer, Gjermania nuk duhet të ndryshojë apo të nënshkruajë marrëveshje lidhur me zgjerimin e BE-së, dhënien e sovranitetit dhe angazhimet financiare pa një referendum popullor. Ne e konsiderojmë si një të drejtë të natyrshme të çdo populli në Bashkimin Evropian të votojë për qëndrimin në BE, unionin monetar apo projekte të tjera mbikombëtare."
AfD mendohet të pësojë një rritje në këto zgjedhje, në sondazhet më të fundit lëviz nga 13 deri 16 përqind.
BSW (Bündnis Sahra Wagenknecht): "Moratorium për zgjerimin"
BSW (Aleanca Sahra Wagenknecht), një lëvizje e re politike e udhëhequr nga Sahra Wagenknecht, një figurë e njohur e së majtës gjermane, është gjithashtu kundër zgjerimit.
Zitat nga programi : "Një politikë fqinjësie që synon paqen, eliminimin e varfërisë dhe zhvillimin duhet të zëvendësojë premtimet e ngutshme për anëtarësim. Ne besojmë se zgjerimi duhet të ndalet derisa të plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme."
Një nga arësyet e kundërshtimit, është kostoja ekonomike, shkruan në program, BSW.
Zitat nga programi: "Një anëtarësim i pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë do të ngarkonte buxhetin e BE-së me 36.7 miliardë euro shtesë çdo vit. Prej tyre, vetëm për Ukrainën do të shpenzoheshin 26.6 miliardë euro. Tatimpaguesi gjerman do të duhej të siguronte shpenzime shtesë vjetore prej 9 miliardë eurosh, një shumë që është urgjentisht e nevojshme në institucionet tona të kujdesit ose në shkolla!"
Në sondazhet e kohëve të fundit, BSW pritet ë marrë afro 7 për qind të votave gjermane.
Die Linke: "Zgjerimi i lidhur me standardet sociale dhe demokratike"
Die Linke (E Majta) është një parti e majtë që përfaqëson interesat e punëtorëve dhe shtresave më të ulëta të shoqërisë. Ata mbështesin zgjerimin e BE-së, por kërkojnë që anëtarësimi të jetë i lidhur ngushtë me përmbushjen e standardeve sociale dhe demokratike.
Citat origjinal nga programi i Die Linke:
"Zgjerimi i BE-së duhet të lidhet me standarde sociale dhe demokratike! Një anëtarësim në BE duhet të lidhet me indikatorë zhvillimi social, të sundimit të ligjit dhe demokratik në vend dhe nuk duhet të jetë as pjesë e marrëveshjeve gjeostrategjike të NATO-s dhe SHBA-së dhe as të jetë i lidhur me kushte për shkurtime dhe privatizime."
E majta pritet të marrë rreth 3 përqind të votave të elektoratit gjerman.
/DW