Lidhje


E varrosën shkrimtarin që të flitet për Piktorin!

Nga Kim Mehmeti
 
 
Sot ishte dita kur u bë varrimi i shkrimtarit tonë të madh. Dhe i vetmi folës që u nda nga i ndjeri ishte Kryeministri i Shqipërisë, i cili nuk tha thuajse asgjë për të ndjerin, por i radhiti të gjitha hallet që ia kishte shkaktuar vdekja e tij. Andaj të gjallët që e dëgjonin mund të kenë menduar se ishin mbledhur që ta qetësonin Piktorin e tronditur nga kërkesat e të brengosurve për vendvarrimin e të ndjerit, e jo për ta nderuar shkrimtarin dhe për t’u shprehur ngushëllime familjarëve të tij.
Por sidoqoftë mirë që nuk pati më shumë folës dhe që foltoren nuk e pushtuan të gjithë vajtuesit dhe ‘kufoma ngrënësit’ profesionistë që kemi. Mbase mungoi vetëm edhe fjala e Kryeministrit të Kosovës.
 
 
Edhe atë jo pse në Shqipëri vdesin më shpesh njerëz me nam e nishan, e që ia mundësojnë Piktorit t’i varrosë ata që të flitet për të, por që të rrëfente sa trishtueshëm e kishte përjetuar natën e parë pa shkrimtarin mes të gjallëve.
 
 
Me rëndësi është se në këto homazhe nuk mungoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili u ngut t’i ofrojë shpatullat për dënesje vejanes së shkrimtarit. Si dhe t’u dëshmojë të pranishmëve se në Bashkinë që ai drejton dikasteri i hajdutërisë dhe ai i respektit ndaj artistëve janë të ndarë dhe nuk e dëmtojnë njëri tjetrin.
Po pra, sot u bë varrimi i shkrimtarit me të cilin mburrej dhe do të mburret shqiptaria. Dhe organizatorët e ceremonisë mortore nuk kishin harruar që të ndjerit t’ia plotësonin dëshirën që si urryes i fesë së prindërve të vet mysliman mbase e kishte ëndërruar gjatë tërë jetës: që mbi kokë ta kishte kryqin?!
 
 
Ku ta dish, mbase edhe asgjë nuk mund të ishte ndryshe përpos që edhe në ditën e tij të fundit mbi këtë tok të ndjerin ta përdornin vetëm ata të cilëve ai ndershëm u kishte shërbyer gjatë tërë jetës së vet: të pushtetshmit! 
XS
SM
MD
LG