Lidhje


Prapaskenat e Kongresit/ Ylli i Belindës në ngjitje, kandili i Veliajt po fiket

Belinda Balluku qëndroi në hije gjatë orëve të axhendës zyrtare të Kongresit. As e mori fjalën, as ia përmendi njeri emrin në recitimet e gjata patetike. U duk sikur dalja në një video promovuese do të ishte i vetmi vend që i kishin rezervuar në kongres. Por kur Rama zbuloi emrat e ministrave të rinj, emri i “Belës” nisi të lakohej gjithnjë e më i zëshëm në gumëzhimën e delgatëve në hollin e pallatit të Kongreseve.Sapo e panë, kolegët e rrethuan Belën me romuze dhe të qeshura (foto poshtë). Ata ishin të parët që e kishin nuhatur atë që kishte ndodhur. Zv.kryeministrja kishte qenë protagoniste e dorës së parë në kongres.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku e përqafuar nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro pas fjalimit të Ramës
Zv.kryeministrja Belinda Balluku e përqafuar nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro pas fjalimit të Ramës
Belinda Balluku me Pandeli Majkon pas fjalimit të Ramës
Belinda Balluku me Pandeli Majkon pas fjalimit të Ramës

Pirro Vengu dhe Petrit Malaj, dy vartës të Belinda Ballukut në ministri, njëri si drejtor i Portit të Durrësit dhe tjetri në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore sapo ishin katapultuar ministra, respektivisht tek Mbrojtja dhe tek Financat.

 

I treti, Ervin Hoxha edhe ky me lidhje të tërthorta me Ballukun, sapo kishte marrë postin e Taulant Ballës.

 

Kuptohet se para kongresit, Rama ia kishte vënë veshin sugjerimeve të Belinda Ballukut për emërimet në qeveri.

 

Pozicioni i privilegjuar si gruaja që i pëshpërit në vesh Edi Ramës e bën Ballukun de facto numrin dy të mazhorancës qeverisëse. Asnjë krahasim me ministra apo deputetë të tjerë që presin në ankth çfarë do të ndodhë në kongres, pa e ditur nëse fjalimi i kryetarit do t’i rrokullisë në të tatëpjetë, apo do të shtangen nga ndonjë emërim surprizë në qeveri.

 

Dikur në onturazhin e Edi Ramës, pozicioni i kanakarit ishte një ekskluzivitet i Erjon Veliajt (personi që duket në cepin e majtë, lart në foton më sipër).

 

Disa nga njohjet e tij të hershme janë ende në qeveri, apo në role drejtuese të Partisë Socialiste. Të tjerë e kanë të freskët në memorie karrierën e ndërprerë për shkak të armiqësisë që kanë pasur me të.

 

Vetëm se tani, për ish-delfinin e preferuar të Ramës fryn një erë tjetër.

 

“Lali Eri” është në qendër të një fortune me drejtësinë që lidhet me aferën e kompanisë “5D” të drejtorëve të tij. I vënë nën hetim pasuror nga SPAK, me miqtë më të mirë që dergjen në qeli për vjedhje ulëritëse dhe me një mandat të fundit në bashki që sa vjen e shkurtohet, batutat e Ramës tingëllojnë dyfish therëse.

 

Kësaj radhe në kongres, ia përmendi emrin Veliajt si asociim me varrmihësit e Sharrës dhe të Tufinës, kur ironizoi Pandeli Majkon se se “është mik me Lali Erin dhe i gjen varret aty ku do”. Është e disata herë, që Rama nuk nxjerr nga goja ndonjë fjalë të mirë për kandilin tashmë në fikje të Erion Veliajt./Lapsi.al

XS
SM
MD
LG