Parazitët që duhet të paguajmë ne çdo ditë
Monday, 05 August 2024 22:40
Nga Gjergj Erebara
Para nja pesëmbëdhjetë vjetësh, nën këshillat e amerikanëve, u ndërmorr një reformë që synonte ta bënte koston e të bërit biznes në Shqipëri zero. Pra që të mos kishte barriera administrative, të mos kishte kosto paraprake të nisjes së biznesit. U bë Qendra Kombëtare e Biznesit, e cila filloi të ofrojë shërbime falas. U bë një sistem fiskal që u bazua te vetëdeklarimi. Pastaj doli një ministër dhe tha, na duhen ca pajisje, se nuk po paguhen taksat. Paf u vendos një taksë në formën e kasës fiskale, 300 mijë lekë të vjetra për çdo biznes të ri. E ashtuquajtura kasë fiskale e kishte koston as 30 mijë lekë. U bënë ca milionerë me atë punë.
Pastaj erdhi Rama dhe tha që nuk shkon kështu kjo punë. E hoqi kasën dhe vuri një gjë që quhet Certifikata e Fiskalizimit. 40 mijë leka. Pastaj vuri edhe një gjë që quhet Firma Elektronike. 48 mijë leka. Të dyja kushtojnë asgjë, por AKSHI ka nevojë për para që të paguajë ca kompani që kanë norma fitimi nga 60 dhe 70% dhe për të cilat, foli së fundmi edhe Beni se i njeh mirë ato punë.
Pastaj vuri edhe një gjë që quhet program për lëshimin e faturave. Fillimisht ishte lirë. Tani kërkohet 120 deri në 170 mijë leka në vit. Një program të tillë më parë ta ofronin për vetëm 100 mijë lekë të vjetra një herë.
Ajo që në rastin e Berishës ishte një taksë sa për ta bërë sefte 300 mijë lekë një herë, tani, me përparimin e Shqipërisë, u bë gradualisht taksë gati treqind mijë lekë çdo vit.
Çdo biznes duhet të paguajë të gjithë këta parazitë
Faleminderit, kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën tuaj!