Lidhje


Ambasadori për urën/ Qëndrimet qesharake të një amerikani arrogant

Me sjelljen partiarkale të një babai autoritar që i bërtet fëmijës: “nuk ta shpjegoj sepse, po ti duhet të bësh kështu siç them unë”, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dhënë një nga intervistat më absurde që diplomatët amerikanë kanë shqiptuar ndonjëherë. Duke dashur të japë mesazhe se Ura e Ibrit, që ndan dy pjesët e Mitrovicës, nuk duhet hapur për qarkullimin e makinave, ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo nismë e qeverise Kurti, mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

 

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, deklaroi Jeffrey Hovenier duke e vënë theksin te fakti se ky veprim mund të nxisë dhunë, por duke anashkaluar “naivisht” autorët e mundëshëm te saj: “Nuk mund të flas se kush mund të shkaktojë dhunë”.

 


Duke shpresuar se qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime, Hovenier tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

 

Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

 

Këto kërcënime dhe shantazhe në formë duken shumë të rënda, por për të matur peshën e tyre duhet kuptuar më parë thelbi i këtij qëndrimi absurd që nuk i rreziston dot as një arsyetimi logjik bazik. Vetëm po të kesh arrogancën e më të fortit dhe sindromën e Laurencit të Arabise mer guximin t’i shqiptosh këto argumenta në publik. Le t’i marrim me radhë…

 

Ambasadori Hovenier e pranon se Ura e Ibrit duhet hapur. Ai nuk mund të dalë botërisht kundër lëvizjes së lirë dhe as sovranitetit teritorial të Kosovës, shtet të cilin vendi i tij e ka njohur që në 2008. Prandaj ai nxjerr pretekstin: “nuk është koha tani”. Po pse nuk qenka koha? Sepse hapja mund të nxisë dhunë. Ai rrefuzon t’a thotë po për dhunë kërcënojnë Beogradi dhe serbët lokalë të nxitur nga Vuçiç që e shohin urën me barrikada si një simbol të ndarjes së Kosovës. Dhe kjo dhunë e tyre mund të vërë në rrezik jetën e ushtarëve amerikanë e çon arsyetimin në skaj ambasadori. Po ç’do njeri me mendje normale mund të pyesë: po kur lëvizja mbi urë është gjëja e duhur pse ajo duhet të shkaktojë dhunë? Po nëse dhunën e nxisin ata që janë kundër normalitetit, pse i tërhiqet vëmendja palës kosovare? Po nëse rrezikimi i jetës së ushtarëve amerikanë frymëzohet nga Beogradi, pse u dashkërka penalizuar e ardhmja euroatlantike e Kosovës? Pra nëse në esencë, Prishtina po bën gjënë e duhur duke lehtësuar komunikimin mes njerzve normalë, pse kërcënohet Kurti dhe jo Vuçiçi?

 

Një njeri që është i bindur se ka të drejtën me vete, i jep përgjigje këtyre dilemave fije për pe. Po a e dini ç’argument fëmijënor dhe arrogant jep ambasadori Hovenier për t’iu shmangur atyre: besnikërinë ndaj Amerikës. “Kosova na thotë se është vendi më proamerikan në botë, prandaj, do të shpresoja që vendi më proamerikan në botë t’i dëgjojë kërkesat specifike të Qeverisë amerikane…” qe mesazhi qesharak prej babai që thotë: “bëni si them unë”.

 


Qeveria e Kosovës këmbëngul që prej pranverës ta hapë për qarkullimin e automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se ajo “nuk është kundër askujt”.

 

Edhe në mbledhjen e fundit të qeverise Kurti, ka deklaruar se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër partnerëve të Kosovës.

 

Ai tha se Kosova është shtet normal dhe se si i tillë duhet t’i ketë edhe urat normale – të hapura.

 

“Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, ka thënë Kurti./Lapsi.al

XS
SM
MD
LG