Lidhje


Dehumanizimi i palestinezëve në Gaza synon "shfarosjen dhe zhvendosjen" e tyre

Husein Al-Sheikh, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), tha sot se lufta e Izraelit në Gaza, e cila tani është në muajin e saj të 11-të, ka për qëllim “shfarosjen e dhe zhvendosjen e palestinezëve nga toka e tyre”, trannsmeton Anadolu.Në një deklaratë në X pas një takimi me Konsullin e Përgjithshëm të Türkiyes në Palestinë İsmail Çobanoğlu në Ramallah, Sheikh theksoi “nevojën për të ndaluar luftën kriminale në Rripin e Gazës që synon të zhdukë dhe zhvendosë popullin palestinez, dhe nevojën për të mbrojtur Bregun Perëndimor nga masat izraelite (të kolonizimit)”.

 

Ai shprehu mirënjohjen e tij për Türkiyen, “udhëheqjen dhe popullin e saj, për mbështetjen që i jep popullit palestinez dhe pozicionet e saj mbështetëse ndaj lidershipit (palestinez)”.

 

Sheikh përmendi gjithashtu fjalimin e fundit të presidentit Mahmoud Abbas në parlamentin turk më 15 gusht, në të cilin ai njoftoi vendimin e tij “për të shkuar, së bashku me gjithë udhëheqjen palestineze, në Rripin e Gazës”.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PLO-së njoftoi formimin e një komiteti për përgatitjen e vizitës së Abbasit në Gaza, duke vënë në dukje se “është bërë komunikim me komunitetin ndërkombëtar për të mbështetur këtë hap”.

 

Çobanoğlu, sipas Sheikh, ka thënë: “Të gjitha fraksionet politike brenda parlamentit e duartrokitën atë dhe e panë iniciativën për të vizituar Gazën dhe Kudsin një hap të rëndësishëm dhe të guximshëm”.

 

Sipas deklaratës, konsulli i përgjithshëm turk ka theksuar “nevojën që fraksionet palestineze të bashkohen për hir të interesit kombëtar”.

 

Në fjalimin e tij para parlamentit turk, Abbas deklaroi: “Unë do të shkoj në Gaza. Jetët tona nuk janë më të vlefshme sesa jeta e fëmijëve në Gaza”.

 

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij në Gaza pas një sulmi të grupit të rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor 2023, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

 

Sulmet izraelite, krahas shkatërrimit masiv, kanë rezultuar në mbi 40.300 palestinezë të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 93.300 të plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

 

Bllokada e vazhdueshme e Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

 

Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj./AA

XS
SM
MD
LG