Lidhje


Alibia e konspiracionistëve besimtar dhe paranojat islamofobe të furxhiut pa alibi!

Nga Alban Gorishti

 

Po e filloj nga takimi kontrovers që pata me furxhiun e lagjes ku banoj. Duke kaluar përditë përbri dyqanit të tij ishte i paevitueshëm diskutimi por edhe përplasja e botëkuptimeve, që përkudër asaj që mendoja ishin të pozicionuara tërësisht ndryshe nga njëra tjetra. I ndikuar nga teoritë e çartisura që qarkullojnë në web “aleati” i supozuar doli të ishte një përtypës i rëndomtë i imagjinatës kolektive, që fatkeqësisht ushqehet nga anonimati i tyre që duan të besojnë atë që është shumë më larg tyre sesa të justifikojnë dashamirësisht atë që gjallon në perimetrin e fqinjësisë së tyre.Gjithsesi teksa diksursi  u nxeh, ai nxorri alibinë e teorive të tij, alibi që qarkullon gjerësisht në psikikën islamofobe vendore, femrat me shami paguhen për ta mbajtur atë-tha ai duke më treguar një vajzë me hixhab. Teksa u shtanga, pasi për shkak të njohjes nuk e mendoja se ai do ta besonte vërtet atë gjë, e pyeta nëse kishte ndonjë “faturë” apo dëshmi të pagesave. Por natyrisht përgjigja e tij ishte sikurse e të gjithë atyre që thelb të dijeve të tyre kanë rrjetet sociale. “Më tha dikush, i kishin thënë, gjyshi im” etj, nga alibitë tipike që “rafshojnë” gjithçka në tokë vetëm sepse kanë patur ndonjë zhgënjim në ndonjë moment të jetës me ndokënd e kështu i vendosin “damkën” e paragjykimit dhe stigmën e armiqësisë së përjestshme.

 

Gjithsesi përtej kohës dhe temave të debatit disa pika të retorikës populiste të furxhiut tonë më bënë përshtypje, e para më dha njëfarë kuptimi të së gjithës kur më përshkroi komunizmin e të jatit të vet si dhe mohimin, përkundër traditës së gjithëpranuar, e pasjes në familje, fis apo lagje të ndonjë gjurme të trashëguar të islamit qoftë në formën e ndonjë paraardhësi apo farefisnie qoftë e afërt apo e largët. Ky nihilizëm fatkeqësisht u shoqërua edhe me informacione tërësisht apo pjesërisht të pavërteta.Më tej ishte prepotenca për të vërtetuar sisteme armiqësore dhe teori mesjetare nga ngushtica e punishtes së vet, që më stepën dhe më bën pesimist për atë drejt të cilës shoqëria jonë (e vogla dhe e madhja) po shkon.

 

Nga ana tjetër më kujtohet sistemi diellor dhe sistemi konspiracionist i disa besimtarëve në botën tjetër dhe mosbesimtarëve në disa zbulime të vërtetuara shkencore (Dielli është 1.4 milion km i gjerë, ndërsa hëna është vetëm 3,474 km. Me fjalë të tjera, dielli është afërsisht 400 herë më i madh se hëna. Por dielli ndodh gjithashtu të jetë 400 herë më larg se hëna etj). Ajo që më bën më habi tek këta të fundit nuk është shumë injoranca në fushën e shkencës sesa habia me madhësitë, fenomenet dhe funksionet e jashtëzakonshme të orbitave qiellore në sistemin aktual kozmik. E kështu pas kësaj habie dhe dyshimi konspiracionist i vendosin shenjën e nulit gjithçkaje që nuk kuptojnë, rrjedhimisht edhe asaj që mundet të shohi syri i tyre. Habia është e dyfishtë kur mendon se ata lexojnë hadithe si: " Dielli do të mbështillet dhe do të shuhet. Po kështu, edhe Hëna do të shuhet, dhe të dy, bashkë me Diellin, do të hidhen në Xhehenem" Silsiletu sahiha. Apo hadithe që tregojnë për madhështinë e asaj dite si: "Ditën e gjykimit sillet një person të cilit i shfaqin 99 regjistra ku secili regjistër është i madh aq sa arrin shikimi (me mëkate)....". Apo hadithi ku pohon se peshore që flasin për madhësinë e engjëjve që do tërheqin fronin e Allahut, apo kur dielli do të zbresë e do të qendrojë afër, mbi kokat e njerëzve në atë ditë, etj etj. E kështu të tillë besimtarë në madhështinë e asaj dite bëhen mos besimtarë në madhështinë e kësaj bote. Apo më saktë në madhështinë dhe plot fuqinë e Krijuesit të tyre. Tek e fundit shkenca pavarsisht se nuk i vendos emrin e përshtatshëm arkitektit të këtij kozmosi përsëri nuk e mohon dot Atë.

 

Më kujtohet se një nga lëndët që më pëlqenin më tepër në periudhën e shkollës së mesme por edhe më parë, ishin astronomia dhe shkenca përgjithsisht. Kështu përpiqesha të shihja, të mësoja, të kuptoja sa më tepër rreth gjithçkaje që kishte lidhje me fenomenet kozmik dhe dukuritë shkencore. Kurioziteti dhe habia më shpunë të lexoja sa më tepër rreth kësaj lëmie, ndaj kur erdhi periudha e pranimit të fesë gjithçka morri një kuptim sublim. Ajo që shpesh has teksa debatoj me njerëz të tillë është cekëtësia në të kuptuar (kuptohet ka përjashtime) dhe pikërisht zbrazëtia e informacionit që mesa kam parë origjinën e ka në mos interesin ndaj shkollimit që në faza të hershme. Kështu në momentin që pranuan fenë ligjëruan edhe keq informimin e tyre të përgjithshëm rreth asaj që është empirike dhe e dëshmuar prej teorive shkencore. Kështu u futën në fe me zbrazëti në kuptim duke tërhequr pas kështu edhe keqkuptimet e mundshme rreth gjithçkaje që ata nuk kuptojnë. Por e keqja është se pjesërisht kjo kategori ka tërhequr rreth vetes stigmatizimin e padrejtë të një pjese të fesë duke krijuar kështu edhe klishe të shumta në mendjet e konspiracionistëve islamofob apo atyre afetar.

 

Duke cituar kalimthi konceptet e përpunuara nga sociologu i njohur, ibn Khaldunin, ai do ta kufizonte njohurinë racionale të njeriut në sferën e dukurive të përjetuara por, sipas tij, kjo kompensohej nga përshpirtshmëria ( misticizmi, inteligjenca emotive) dhe zbulesa (vahji), të cilat njeriut i hapin derën e asaj që nuk njihet thjesht nga njohuritë racionale. Aftësia e njeriut për të menduar përfshin vizualizimin, analizën dhe sintezën. Ibn Khalduni, e ndan atë (intelektin) në tre shkallë: intelekti dallues, intelekti eksperimental dhe intelekti spekulativ. Tek Intelekti dallues, ai ndan të menduarit nga veprimi, dhe mendon se fillimi i veprimit është fundi i të menduarit dhe anasjelltas. Teksa intelekti eksperimental e ndihmon njeriun të dallojë të mirën nga e keqja,të vërtetës nga gënjeshtra.Ndërsa për intelektin spekulativ thotë se aftësia për të menduar çon në njohjen hipotetike të një objekti përtej perceptimit shqisor, i cili kur kombinohet me njohuri të tjera mund të çojë në perceptimin e ekzistencës, por duke qenë shpirti ai që i ofron njeriut mbështetje për të arritur intelektin(perceptim, besim) në sferën e mbinatyrshme.Pra me pak fjalë, perceptimi i brendshëm është mendim praktik apo llogjikë gjerësisht e pranuar. Kjo llogjikë gjerësisht e pranuar (common sense) plus imagjinatë, e cila është shoshitja e të dhënave shqisore për shpirtin, çon në fuqinë vlerësuese, që është fuqia për të perceptuar idetë abstrakte.

 

Me çduket një pjesë e shoqërisë sonë apo edhe një pjesë e botës moderne e ka humbur këtë fuqi vlerësuese këtë aftësi për të perceptuar idetë abstrakte (sikurse feja apo shkenca). Kështu me ndihmën e shpirtit të vet dhe me mëshirën e Allahut, njeriu mund të fitojë njohuri të natyrës shpirtërore apo të forcojë disa njohuri intelektive në mënyrë që aftësinë mendore njerëzore ta shfrytëzojë për të krijuar lidhje dhe për të perceptuar (apo diskurtuar) bazuar në njohuritë që ka fituar.Me sa duket diku në rrjedhën e këtyre lidhjeve metafizike çalon edhe lidhjet neurotransmetuese të populistëve tanë qofshin mohuesit e shkencës apo mohuesit e fesë.Një ngërç që ndoshta fillon që nga procesi i kujtesës e përfundon tek procesi i kuptimit apo i ndjeshmërive shqisore.E nëse ky zinxhir shkak pasojash është prishur në një hallkë prej hallkave të veta atëherë të tillët këshillohen të riforcojnë njohuritë duke i mësuar nga ata që tashmë i posedojnë. Ekziston edhe një ngërç fenomenologjik, korruptimi shqisor i cili çon shpesh edhe në dobësi shpirtërore kaq të doosdoshme për të besuar ndodhitë e mbinatyrshme (si ato të botës tjetër apo të dhënat shkencore) të botës tjetër apo të vlerësojnë intelektin eksperimental duke e bërë të vështirë të dallojnë të mirën nga e keqja apo të vërtetën nga e gënjeshtra. Kjo e fundit po bëhet me të vërtetë shqetësuese për popullin tonë, paaftësia funksionale për të dalluar fenomenet bazuar në atë që dinë dhe jo atë që nuk e perceptojnë dot.

 

Shqetësuese bëhet edhe për një pjesë të komunitetit tonë, besimtarë të mbinatyrshmes, të cilët e shpërfillin porosinë Kuranore:Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtetë, dëgjimi, shikimi, dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi. Isra, 36. Teksa nuk mundet të kërkoj lojalitet nga islamofobët pa alibi pasi teksa po flisja me furxhiun tonë dhe kujdesi shqisor në ato që i thoja mu kujtua një realitet shkencor i cili thotë se se dëgjimi tek fetusi zhvillohet para shikimit, madje dëgjimi është shqisa e parë që funksionon tek qenia njerëzore. Veshi është superiorë ndaj syrit për shkak se nuk ndalon se vepruari derisa flemë. Zhurma e ditës përkundër qetësisë së natës, e pengon njeriun të zhytet në një gjumë të thellë. Veshët asnjëherë “nuk flenë” as që humbin vëmendjen. Duhet të përmendim se fjala dëgjim gati se gjithmonë  në Kuran përmendet para fjalës shikim, përveç se në një ajet i cili flet për Ditën e Gjykimit: “Sikur t’i shohësh keqbërësit se si para Zotit të tyre kokulur do të thonë: “O Zoti ynë, pamë dhe dëgjuam, andaj, kthena (në atë botë) që të bëjmë vepra të mira! Ne tashmë besojmë me bindje!” Sexhde, 12. Këtë funksion, furxhiu ynë mu duk sikur e kishte humbur, e bashkë me të edhe shumica e atyre që e stigmatizojnë fenë pa e njohur. Ndaj mos u bëni si ata që e humbën veten, shpirtin pa dëgjuar shushurimën e mikut, e të njohurës racionale, e dijes dhe llogjikës shqisore.

 

 

XS
SM
MD
LG